Art dhe Kulture

Si do të duket arti pas 20 vitesh?

Devon Van Houten Maldona pyet artistët dhe kuratorët të imagjinojnë ndryshimet dhe trendet që do të influecojnë botën e artit në dy dekadat e ardhshme.

E ardhmja mund të jetë e paditur për ne, por disa gjëra janë të pamohueshme, si ndryshimet klimatike, ndryshimet në popullatë apo gjeopolitika. E vetmja gjë e sigurt është që do të ketë ndryshime si të bukura ashtu edhe të tmerrshme. Ja vlen të konsiderojmë se si do të përgjigjen artistët kundrejt këtyre ndryshimeve, gjithashtu qëllimin përse shërben arti, tani dhe në të ardhmen.

Raportet mendojnë se deri në vitin 2040 ndikimet e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu do jenë të pashmangshme, duke e bërë këtë problemin më të madh në qendër të artit pas 20 vitesh. Artistët në të ardhmen do të luftojnë me një epokë pas njeriut apo pas njerëzimit, inteligjencën artificiale, apo kolonitë njerëzore në hapësirën e jashtme.

Identiteti i politikës i cili është parë në lëvizje të ndryshme si ‘Me Too’ apo ‘Black Lives Matter’ do të rritet ndërkohë që mjedisi, politikat kufitare apo migrimi do të jenë më në fokus. Arti do të jetë në rritje të vazhdueshme dhe “mund të mos duket” si arti që ne presim të shohim. Në të ardhmen, ndërsa ne të bëhemi të vetëdijshëm që jetët tona janë të depërtueshme online dhe privacia jonë ka humbur, mbajtja e një jete private jashtë medieve sociale do jetë më e dëshirueshme se fama. Në vend të mijëra apo milionave pëlqimeve apo ndjekësve, ne do të jemi duke kërkuar për lidhje të vërteta në jetën reale. Gjithashtu, arti mund të bëhet më i bashkuar dhe eksperimental sesa individual.

Një botë arti më gjithëpërfshirëse?

“Imagjinoj që arti pas 20 vitesh do të jetë shumë më i rrjedhshëm se ç’është sot”, tha kuratorja Jeffreen M Hayes për ‘BBC’, “Në kuptimin e kufijve që janë shembur midis medias, midis llojit të artit që është emërtuar art, në kuptimin tradicional. Unë gjithashtu e shoh atë më përfaqësues të demografisë sonë në rritje dhe në ndryshim, më shumë artistë me ngjyrë, më shumë vepra të identifikuara nga femrat, dhe gjithçka tjetër.”

“Shpresoj se në 20 vjet, ndërsa ndryshimet e artit dhe artistët ndihmojnë për të udhëhequr rrugën, institucionet fillojnë të jenë jo vetëm në ndjekje të një qëllimi, por të mendojnë për mënyra të ndryshme se si mund të prezantohet arti, dhe bota të kërkojë jo vetëm një staf kuratorial por edhe përfshirje, por gjithashtu edhe udhëheqje”, thotë ajo.

Artistja por njëkohësisht edhe kuratorja nga Senegal-i Modou Dieng u shpreh për ‘BBC’ se “ E ardhmja e artit është e zeza”. Sot, artet afrikane, afrikano-amerikane, afro-europiane dhe afro-latine janë një trend global, të shënuar nga një hapje ndaj artistëve të diasporës Afrikane me ligjërime përtej trupit të zi dhe kolonializmit. Abstrakti, kurimi dhe performanca janë të gjitha në qendër. Duke u rritur në një Senegal të ri, në kërkim të identitetit të tyre si njerëz, “ne e pamë migrimin si një zgjidhje, jo si një problem” , thotë Dieng, punimet e së cilës janë të përfshira në Departamentin e Shteteve të Bashkuara.

Aktivizmi

Fushatat e artit aktivist janë treguese të trendeve në ndryshim, në drejtim të përgjegjësisë, duke zbuluar gjithashtu dinamikën e pushtetit dhe parave të pista në botën e artit. ‘Decolonize This Place’, një grup artistësh dhe aktivistësh, të cilët e përshkruajnë veten si “një lëvizje e orientuar drejt veprimeve, të përqëndruar në luftën indigjene, çlirimin e njerëzve me ngjyrë, punëtorëve me paga të ulëta dhe në bërjen e pronave të përballueshme vetëm nga njerëzit e pasur, në të përballueshme edhe për shtresën e varfër”, kanë bërë  protesta brenda ‘New York’s Whitney Museum of Art’ kundër nënkryetarit Warren B Kanders, i cili zotëron një kompani që prodhon gaz lotsjellës, i cili përdoret për të shtypur njerëzit nëpër botë.

“Unë shpresoj se arti do vazhdojë të jetë një hapësirë për inovacionin formal, eksperimentimin radikal dhe paligjshmërinë”, kuratori Chris Sharp thotë për ‘BBC Culture’, “në mënyrë që të vazhdojë të shmangë instrumentalizimin e kapitalizmit, politikës dhe ideologjisë, duke krijuar një hapësirë jo ​​për të menduarit e drejtë apo të gabuar, por për mendimet të cilët nuk mund të jenë as cilësore dhe as sasiore.”

Ata që besojnë në “art për të mirën e artit”, mund të thonë se arti si një forcë e papërcaktuar, duhet të mbetet jashtë normave sociale apo ideologjike, ndryshe mund të rrezikojë të kthehet në diçka tjetër. Disa ekspertë si Sharp, mendojnë se nuk është diçka normale mbështetja e artit tek aktivizmi, sepse nuk është ai qëllimi. (Kuratori gjithashtu argumenton se është e pamundur që arti të mos përfshihet në politikë). Është një pikëpamje e përkushtuar ndaj artit si një forcë e vetme, një proces i eksperimentimit radikal, i cili rezulton në një vepër arti, përgjatë një linje hetimi, jo për të ilustruar një fund apo për t’i dhënë kuptim një objekti. Nuk duhet të dalim në përfundime për artin, tani apo në të ardhmen sepse është forca kundër universalizmit, e cila duhet të ndërpritet nga artistët, për t’i thënë botës “zgjohu!”.

Piktura

Pas dy dekadash, do të jenë bërë 200 vite që kur Paul Delaroche bërtiti se “piktura ka vdekur”. Ideja e Delaroche është përsëritur dhe ricikluar pafundësisht, ndërkohë që mediumet e reja kanë punuar për të qënë në qendër të vëmendjes, por piktura ka mundësi që të mos ketë një zhvillim.

Shitjet e pikturave janë ende përbërësi kryesor i shtëpive të ankandit, panaireve artistike apo galerive, duke dominuar të gjitha shitjet rekorde të artit. Pikturat moderne të bëra gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20-të, vazhdojnë të jenë veprat e artit më të dëshirueshme dhe të kushtueshme në treg. 9 nga 10 pikturat më të shitura janë bërë midis viteve 1822 dhe 1955, përjashtimin e vetëm e bën një vepër e zbuluar së fundmi e Leonardo da Vincit e viteve 1490-1519, e cila arriti vlerën marramendëse prej 450.3 milion dollarësh në një ankand, duke e bërë atë veprën më të shtrenjtë të artit të shitur ndonjëherë.

“Në 20 vite, tregu mund të mos jetë shumë i ndryshëm nga ç’është tani – i dominuar nga pikturat moderne”.

Maite Borjabad, kuratore e arkitekturës në Insitutin e Arteve në Çikago, thotë se ne duhet “të jemi gati të shohim gjëra të cilat nuk mund t’i parashikojmë.” Me pak fjalë, ne nuk mund të presim të parashikojmë të ardhmen, por duhet të jemi gati për shumë të ardhme.

“Mendoj se e ardhmja është e shumëfishtë, nuk është e ardhme”, tha Maite Borjabad për ‘BBC’.

Një muze nuk është vetëm një vend ku gjërat ekzistojnë, por është një platformë për zëra të tjerë që të dëgjohen. Sipas Borjabad-it kuratori është një ndërmjetës. Për shembull, muzeu nuk është vetëm një vend ku prezantohet arti, por edhe një “inkubator idesh” për të prodhuar punë të reja.

Në vitin 2040, arti mund të mos duket si art, por do të duket si gjithçka tjetër, duke reflektuar shpirtin e një gjenerate të re po aq të larmishme dhe të ndryshme sa vetë artistët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë