Futboll

Si do e zëvendësojë Real Madrid Ronaldon?

Në Angli dhe Itali merkato është mbyllur që me fillimin e kampionatit. Por në Spanjë dhe kampionatet e tjera në Europë mund të blihen dhe shiten lojtarë deri në fund të këtij muaji.

Një nga ekipet më të përfolur këtë merkato transferimesh është Real Madrid. Klubi “los blancos” si rrallë herë ka qendra e lajmeve të medieve sportive në botë për largimet e shumta të futbollistëve gjatë kësaj vere. Pa asnjë diskutim që largimi më i madh që Real Madrid mund të ketë bërë në dekadat e fundit është golashënuesi më i mirë i historisë së saj, Cristiano Ronaldo. Portugezi zgjodhi të vijojë karrierën e tij në Itali me Juventus.

Por të gjithë te Real Madrid dhe më gjerë prej javësh kanë ngritur pyetjen e madhe. Si do e zëvendësojë Real Madrid Cristiano Ronaldo?

Zgjidhja nga blerjet

Me tregun e transferimeve hapur, Cristiano Ronaldo mund të zëvendësohet me një sulmues që do të vinte nga jashtë. Emrat janë të shumtë dhe përfliten prej kohës, si Robert Lewandovski, Mauro Icardi, Timo Verner, Eden Hazard, Mariano, Kylian Mbappe apo edhe Momo Salah. Por të gjithë këta emra që përmendëm për të mos thënë e pamundur është shumë e vështirë që të kalojnë në Madrid në një afat kaq të shkurtër kohor. Për të sjellë njërin prej tyre në “Bernabeu” drejtuesve madrilen përtej të gjithë vështirësive nuk iu tepron as koha fizike. Me përjashtim të Mariano apo ndonjë sulmuesi të një profili më të ulët, Real Madrid do e ketë shumë të vështirë ta zëvendësojë Cristiano Rolandon me një blerje nga merkato.

Radha e Benzema për të dalë në skenë

Nëse merkato është e vështirë dhe nuk premton shumë kohë, Karim Benzema ka gjithë kohën e duhur për t’ju treguar gjithë kritikëve se edhe ai vlen. Sulmuesi franzec shkëlqeu me dy gola në ndeshjen e dytë të kampionatit duke realizuar dopietën e parë për këtë vit, por gjithashtu ka ndihmuar ekipi të marrë tre pikët. Përgjatë qëndrimit të Ronaldos me klubin “Merengues”, Benzema ishte gjithmonë nën hijen e portugezit. Ai kur erdhi në vitin 2009 ishte një nga sulmuesit më premtues në botë dhe ndoshta tashmë që do ketë më shumë mundësi ta tregojë veten. Francezi me shumë gjasa këtë sezon pritet të mbajë peshën kryesore në sulmin e skuadrës së Lupeteguit, sigurisht me asistencën e Bale dhe Asensio.

Balë në rolin liderit dhe shpërthimi i Asenesio

Një Gareth Bale në rolin e liderit dhe një shpërthim i Marco Asensio do të bënin që Real Madrid të mos shqetësohej për largimin e Cristano Ronaldo dhe boshllëkun e golave që ai ka lënë. Uellsiani që prej mbërritjes në Bernabeu është  thënë gjithmonë se nuk mund të bëhet lider i këtij ekipi përderisa aty të jetë edhe Cristiano Ronaldo. Por tashmë që ai është larguar, është koha e ish-lojtarit të Totenham, që të marrë mbi vete përgjegjësitë e një lideri në fushë, por mbase edhe jashtë saj. Bale nëse do të shpëtojë këtë vit nga kalvari i gjatë i dëmtimeve do të mundohet ta mbushë me gola ose me asiste hapësirën e madhe të lënë nga CR7, që minimalisht shënonte 45 gola për çdo sezon. Por edhe nëse Bale nuk bëhet lider, Real Madrid ka një “diamant” në gjirin e vet. Ai quhet Marco Asensio dhe prej dy vitesh vesh fanellën e Real Madrid madje me shumë dinjitet, duke bërë paraqitje shumë pozitive në ato pak mundësi që ia janë dhënë. Ai është pjesë edhe e kombëtares së Spanjës dhe pritet që këtë vit ai të shpërthejë. Në dy sezonet e fundit ai ka treguar se ka nëj nuhatje të kënaqshme për golin, por di të vihet edhe në shërbim të skuadrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë