Politike

Shumica e partive holandeze mbështesin negociatat me Shqipërinë, ekstremistët e djathtë jo

Debati i zhvilluar këtë të mërkurë në Komitetin për Punët e Jashtme të Parlamentit holandez konfirmoi se Holanda është dakord me mbajtjen e parë të konferencës ndërqeveritare si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut.

Të gjitha partitë holandeze, të majtë, të qendrës dhe qendrës së djathtë u shprehën pro propozimit të Qeverisë të shpalosur nga ministrja e Jashtme në detyrë, Sigrid Kaag, me përjashtim të Forumit Demokratik, një parti e ekstremit të djathtë dhe euroskeptike, por pa peshë dhe me vetëm dy deputetë në Parlamentin holandez.

“Holanda është e kënaqur me progresin e bërë nga Shqipëria, por do të vazhdojë ta vëzhgojë imtësisht situatën. Metodologjia e re e bën procesin e zgjerimit me strik dhe më kushtëzues dhe në dorë të vetë vendit kandidat”, deklaroi kryediplomatja holandeze.

Kaag tha se Holanda është pro mbajtjes së konferencave të para ndërqeveritare si me Shqipërinë, ashtu edhe me Maqedoninë e Veriut, por theksoi se Komisioni po kërkon hapjen në bllok të tyre dhe vetoja bullgare mund të penalizojë edhe Shqipërinë.

Kryediplomatja u pyet nga deputetët e ekstremit të djathtë se “përse është në interes të Holandës anëtarësimi i Shqipërisë në BE”.

“…kur gjysma e shqiptarëve janë kundër të drejtave të komunitetit LGBTI? A nuk çon kjo te më shumë krim të organizuar dhe më shumë trysni mbi tregun e strehimit?”, tha përfaqësuesi i tyre.

Ministrja Kaag u përgjigj duke thënë se zvarritja e mëtejshme e këtij procesi rrezikon besueshmërinë, dëmton interesat dhe ambiciet e Bashkimit Europian për të qenë një aktor gjeopolitik global.

“Shqipëria ndodhet në mes të Italisë dhe Greqisë, ku mund të hyjnë aktorë të tretë”, theksoi shumica e deputetëve holandezë të këtij komiteti.

Dakordësia e shumicës së këtij komiteti nuk përkthehet domosdoshmërisht në një vendim përfundimtar. Vendimi i fundit do të merret nga Parlamenti, ndërkohë që deri në atë moment, dokumenti pro hapjes së negociatave mund të pësojë ndryshime për shkak të propozimeve që mund të bëhen nga partitë vendase.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë