Politike

Shumë zhurmë për asgjë? Manja: Nga zyrtarët e dënuar nga GJKKO përfitojnë vetëm 3 ish-policë, nëse qenka hataja për aq, gati ta tërheqim

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të votojnë ligjin për amnistinë penale.

Manja tha se nga amendamenti i propozuar prej mazhorancës për zyrtarët e korruptuar të dënuar nga GJKKO, përfitojnë vetëm 3 ish-punonjës të policisë së Kukësit të dënuar për shpërdorim detyre. Manja tha se janë gati të negociojnë me opozitën për këtë amendament me qëllim që të sigurohen votat.

“Bëhet për amnisti për një kategori të dënuarish që kanë vuajtur 2/3 e dënimit.  Meqë jemi tek amnistia një nga parimet e saj ka humanizmin dhe qëllimin e dënimit që është rehabilitimi dhe riintegrimi në shoqëri. Ka mbi katër vite që nuk ka pasur amnisti penale. Kjo që kemi paraqitur më vjen keq që asnjë nuk e ka marrë mundimin ta lexojë ligjin, por hodhi dikush një gur në zall dhe të gjithë u bënë bashkë të ‘shpëtojmë’ Republikën nga një ligj amnistie.

Është një amnisti e cunguar 95% e veprave penale që ka Kodi Penal janë të përjashtuara nga kjo amnisti. Në thelb kjo amnisti ka këto qëllime dhe askush nga ne nuk ka qëllim që të amnistojë asnjë person të dënuar nga GJKKO. Debati është bërë për një amendament që për të siguruar barazinë ka dhënë mundësinë që të përfitojnë 1 vit ulje dënimi burrat dhe një vit e gjysmë gratë që nuk përfitojnë nga amnistia e plotë. Ulja e dënimit nga amnistia nuk ta heq njollën. Quhesh i dënuar, por gjithsesi ky amendament nuk ka qenë. Ne kemi qenë të hapur për ta diskutuar sepse nga ky amendament nëse do të miratohet përfitojnë nga një muaj dhe tre muaj, tre ish-policë të dënuar nga GJKKO në Kukës” tha Manja.

Manja tha se janë gati që të ulen me opozitën dhe të rishikojnë këtë amendament.

“Sa vota keni? Do e fusim në parlament kur deputetët e opozitës të jenë në sallën e parlamentit dhe do jenë ata që do e kërkojnë futjen në rend dite. Ne e kemi bërë detyrën tonë, kemi depozituar ligjin ka tre muaj. Tani është në seancë plenare, kur të bëhen gati. Do të kërkoja dhe dëshiroja që ky ligj të marrë votat e gjithë deputetëve të Kuvendit. Jemi të gatshëm të ulemi për këtë amendament, por nëse qenka hataja për opozitën se do përfitojnë ulje dënimi 3 ish punonjës policie për shpërdorim detyrë në Kukës tërhiqemi ne nuk është problem”, tha Manja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë