Futboll

Shuhet më i madhi i të mëdhenjve, Diego Armando Maradona

Ishte një mit, tani bëhet i përjetshëm. Një lajm tronditës për gjithë botën e futbollit. Në moshën 60-vjeçare ka ndërruar jetë Diego Armando Maradona, një nga futbollistët më të mëdhenj (për shumë më i miri) të të gjitha kohërave, pas një ataku kardiak. Lajmi i publikuar nga “Clarin” në Argjentinë është përhapur me shpejtësi në gjithë mediet botërore.

Javët e fundit Maradona i ishte nënshtruar një operacioni në kokë, që e përballoi me sukses. Ish-kampioni i botës me Argjentinën ndodhej në banesën e tij, kur zemra e tradhëtoi, gjithmonë sipas shtypit argjentinas. Lajmi ka tronditur gjithë sportadhësit, pasi Maradona i ka bërë të gjithë për vete me atë çka ka bërë në fushën e blertë me fanellat e Argjentinës, Barcelonës dhe Napolit.

Diego Armando Maradona. Gazeta Si, 25 nëntor 2020

“Dhe një ditë ndodhi. Ndodhi e pashmangshmja. Është një shuplakë kombëtare, një goditje që jehon në gjithë botën. Fjalia që u shkrua disa herë, por që u driblua nga fati, tani është pjesë e realitetit të trishtuar: Diego Armando Maradona vdiq”, - shkruan “Clarin”.

Kampioni i botës me Argjentinën mbylli sytë në shtëpinë e tij, në lagjen San Andrés, në Buenos Aires. Më 30 tetor festoi 60-vjetorin e lindjes, ndërsa sot vjen lajmi që pikëllon jo vetëm argjentinasit, por të gjithë ata që janë dashuruar me artin që Maradona bënte në kuadratin e blertë.

Përveçse spektakolar dhe mahnitës në fushë, Maradona ka qenë gjithmonë një personazh i jashtëzakonshëm edhe jashtë saj. “Dora e Zotit” është një ndër batutat kult të yllit argjentinas referuar golit me dorë ndaj Anglisë në Botëror. Ishte e njëjta ndeshje ku "El Pibe de Oro" shënoi edhe golin e shekullit, duke dribluar thuajse gjithë ekipin kundërshtar.

Goli i shënuar me dorë nga Maradona ndaj Anglisë. Gazeta Si, 25 nëntor 2020

Reagimet për humbjen e madhe
"Nuk mund ta besoj, është e tmerrshme". Ky është komenti i Cesar Luis Menotit, trajnerit argjentinas, i cili me Maradonën fitoi Botërorin në vitin 1978. Një mesazh që sigurisht i referohet Diego Armando Maradonë, i ndarë nga jeta pasditen e sotme, duke shokuar gjithë botën e futbollit dhe jo vetëm.

https://twitter.com/Argentina/status/1331637593457520642?s=20
Postimi i kombëtares argjentinase. Gazeta Si, 25 nëntor 2020

"Hasta siempe, Diego". Kurse ky është mesazhi i kombëtares argjentinase në profilin e saj në Tuiter për t’i dhënë lamtumirën Diego Armando Maradonës, pas lajmit të vdekjes së tij. "Do të jesh i përjetshëm në zemrat e gjithë botës së futbollit", - shkruhet gjithashtu në këtë postim.
Pas lajmit të trishtë kanë reaguar thuajse gjithë klubet e mëdha në botë, veçanërisht ato ku Maradona ka lënë gjurmë. Argjentina ndërkohë ka shpallur tri ditë zie kombëtare për t’i bërë homazhe legjendës së futbollit.

Pelè: Një ditë do luajmë bashkë në qiell
Lajmi i vdekjes së Maradonës ka bërë xhiron e botës dhe reagimet nga ikonat e futbollit botëror kanë qenë të panumërta. Mes tyre veçohet ajo e brazilianit Pele, rivalit të përjetshëm të argjentinasit. “Është shumë e trishtë të humbësh miq në këtë mënyrë. Me siguri një ditë do të luajmë bashkë futboll në qiell”, - ka thënë Pele.

Maradona dhe Pele. Gazeta Si, 25 nëntor 2020

“Maradona ka qenë historia e futbollit”, - u shpreh trajneri i njohur italian, Fabio Kapelo, kurse kolegu i tij, Arrigo Saki, theksoi: “Në ikën një fenomen, një njëri i mirë, bujar, që e donte futbollin. Një protagonist i jashtëzakonshëm, më i madhi absolutisht. Kam tri firma të dedikuara në një top, ato të Pelé, Di Stefanos dhe Maradonës. Diego ka bërë të ëndërrojnë miliona persona me lojërat e tij. Ishte një lojtar që evoluoi futbollin. Nuk ka qenë kurrë individualist”.

Ferlaino: Jam i shkatërruar, ishte shpirti i Napolit
Nuk ka mundur t’i mbajë lotët Korrado Ferlaino, ish-presidenti i Napolit, kur ka mësuar lajmin e vdekjes së Maradonës. "Jam i shkatërruar. Maradona i ka dhënë shumë Napolit dhe mua. Nuk kam fjalë. Kam shkuar në Argjentinë, kur ka qenë sëmurë, por gjithmonë e ka kaluar krizën. Ne napoletanët e vajtojmë, sepse ai ishte shumë për këtë qytet. Maradona nuk ishte një njeri i zakonshëm, nuk ishte një lojtar i zakonshëm.

Ish-presidenti i Napolit, Ferlaino, dhe Maradona. Gazeta Si, 25 nëntor 2020

Napolit i ka dhënë dy tituj. Unë nuk e di, nëse Napoli do të fitojë më tituj në Itali, por deri tani dy të vetmit janë fituar në kohën e Maradonës", - ka thënë njeriu që e solli argjentinasin në Itali në vitin 1984, pasi pagoi 13 miliardë lira te Barcelona. "Tifozët napoletanë kanë shpresuar gjithmonë të fitojnë një titull. Ndodhi për meritë të Maradonës, një kampion i madh di ta motivojë skuadrën, përveç asaj që bën në lojë. Ishte shpirti i Napolit për vite me radhë, jo vetëm një lojtar futbolli”, - ka përfunduar Ferlaino.

Nga Duka te Hysaj, reagime edhe nga Shqipëria
Për vdekjen e Maradonës ka pasur reagime të shumta edhe nga Shqipëria, nga FSHF-ja, klube të ndryshme dhe futbollistë të Kombëtares. “Futbolli humbi një mbret! Diego Armando Maradona është ndarë nga jeta duke lënë një boshllëk të madh dhe të pazëvendësueshëm në botën e madhe të futbollit. Qoftë i parajsës, sepse ç’ka lënë është miliona herë më e madhe se vitet e jetës… Është pavdekësia!” – shkruan presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në faqen e tij në Facebook.

Maradona dhe Hysaj. Gazeta Si, 25 nëntor 2020

Po me anë të rrjeteve sociale ka reaguar edhe mbrojtësi kuqezi i Napolit, Elseid Hysaj. Shkodrani që luan me ekipin ku argjentinasi bëri epokë, ka postuar një foto me Maradonën në Instagram, ku shkruan: “Pusho në paqe Zot i futbollit”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë