Art dhe Kulture

Lamtumirë Agim Krajka!

... “O ra zilja m’nisi frika/ kur mësuesi hyri në mësim/ dhe në vend si s’më ra pika/

Kur ai thirri emrin tim/ Unë asnjë fjalë s’kisha mësuar/ Se mbrëmë në takim isha me ty/

Po nisi lemza e bekuar/ Në d’rrasë të zezë shihja dy sy”…

Kënga e famshme “Lemza”, e kompozuar nga mjeshtri Agim Krajka do të mbetet ngahera në mendjet e shqiptarëve, edhe pse ai udhëtoi drejt parajsës pasditen e 1 marsit.

Arti shqiptar humbi një artist të madh, një mjeshtër i muzikës, që gjithë jetën i kanë vallëzuar gishtërinjtë e duarve në tastierat e fizarmonikës e të pianos.

Kompozitori i mirënjohur, Agim Krajka, mbylli sytë përgjithmonë në moshën 84-vjeçare.

“Shpirti yt u prehtë në paqe babi ynë i dashur”, do të shkruante i biri Ulis Krajka në rrjetet sociale, duke dhënë lajmin e hidhur për të gjithë miqtë e bashkëpunëtorët e tij.

Mesazhe të shumta ngushëllimi për ndarjen nga jeta të kompozitorit kanë ardhur dhe nga miqtë e tij e po ashtu edhe Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ndërsa vlerëson kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin e kulturën shqiptare, i shpreh ngushëllime familjarëve të tij.

“Në emër të drejtuesve të TKOBAP, Ansamblit Popullor, artistëve dhe administratës së TKOBAP i shprehim ngushëllime familjes,  miqve dhe artdashësve të shumtë të Agim Krajkës – ‘Nderit të Kombit’. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, shkruan TKOBAP.

I madhi Agim Krajka, i vlerësuar edhe me çmimin “Artist i Popullit”, ka një karrierë të gjatë muzikore.

Një veprimtari e gjatë muzikore që ka përfshirë një periudhë prej tri dekadash, pasi ai ka shkruar muzikë në shumë zhanre.

Krajka ka lindur në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane dhe dashuria dhe pasioni për muzikën te Krajka do të lindnin që herët, në fëmijërinë e tij, një pasion i ushqyer nga vetë i ati e që do të vazhdonte me studimet e tij për teori e kompozicion në vitin 1963.

Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja.

Në vitin 1960 filloi punë në Ansamblin e Ushtrisë ku punoi 2 vjet, ndërsa në vitet 1962-1964 kaloi në Radio Tirana si fizarmonicist dhe drejtues i kompleksit të vogël instrumental.

Viti 1964 e gjeti pranë Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre dhe drejtues artistik.

Krajka ka shkruar muzikë për të gjithë duke lënë vulën e tij si me muzikën e lehtë, ashtu edhe në atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961.

Gjatë karrierës së tij u vlerësua me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova.

Ndërkohë në vitin 2018 në koncertin që Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP) realizoi në 81-vjetorin e lindjes së kompozitorit Agim Krajka, Presidenti i Republikës e dekoroi mjeshtrin Krajka me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë