Futboll

Shuhet ëndrra e Bylisit, Tirana është finalistja e parë e Kupës

Ka ndodhur ajo që pritej në stadiumin “Selman Stërmasi”, nuk ka pasur asnjë surprizë. Tirana ka mundur 2-0 Bylisin në ndeshjen e kthimit dhe është skuadra e parë finaliste e Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e parë, për të cilën ka një hetim të hapur nga Komisioni i Etikës, ishte fituar nga Bylisi me rezultatin 2-1, ndërsa rezultati i përgjithshëm pas dy gjysmëfinaleve është 3-2 në favor të bardhebluve.

Ernest Muçi pas vetëm 6 minutash lojë dhe më pas Erjon Hoxhallari shënuan dy gola që i dhanë Tiranës qetësinë e nevojshme për ta menaxhuar këtë ndeshje. Bylisi tentoi ta rihapte kualifikimin, por skuadra e trajnerit Emanuel Egbo e administroi mjaft mirë lojën. Shuhet kështu ëndrra e Bylisit për të shkuar në finale.

Tirana në anën tjetër këtë sezon ka një shans të mirë për të fituar të dy trofetë, titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Kundërshtari i finales së 2 gushtit do të mësohet pas ndeshjes Teuta-Kukësi. Nëse bardheblutë fitojnë të dy trofetë, do të ishte vërtet diçka e bukur me rastin e 100-vjetorit të krijimit të klubit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë