Politike

Përplasja për qiratë, PD: T’i paguajë Qeveria. Rama: Opozita do prapë ’97-n

Partia Demokratike e cilëson antikushtetues aktin normativ të Qeverisë që shtyn në kohë pagesat e qirave për muajt prill dhe maj. Ish-deputetja Jorida Tabaku thotë se Qeveria nuk mund të ndërhyjë në marrëdhënien mes privatëve, duke mos marrë parasysh se jo vetëm qiramarrësit, por edhe shumë qiradhënës varen vetëm nga të ardhurat që sigurojnë përmes qirasë.

“Shtyrja e qirave është një lajm shumë i keq dhe nuk e kuptoj si është shkruar dhe është bërë në një dokument zyrtar. Është një akt që cenon demokracinë. Nuk duhet të lejojmë që situata aktuale të jetë shkas për të shkelur Kushtetutën. Nxit konflikt social për ata që janë më të varfër. Bëhet fjalë për persona që jetojnë nga qiraja dhe mbahen me qiranë. Të tërhiqen dhe të mbështesin biznesin e vogël”, deklaroi ajo në një intervistë për News24.

Në vend të këtij hapi, PD propozon që qiratë të paguhen nga Qeveria dhe për biznesin e vogël kërkoi shtyrjen e tatimeve dhe detyrimeve të tjera me tre muaj. Paratë për të kryer këto pagesa, opozita këmbëngul se janë tek koncesionet dhe PPP-të 120 milionë euroshe, sipas saj korruptive.

Tabaku thotë se shtyrjen e qirave dhe ndërhyrjen në një marrëdhënie privat-privat, asnjë vend tjetër nuk e ka ka ndjekur si model.

Rama: Honxhobonxhot opozitarë duan prap '97-ën

Në lidhje me këtë deklaratë të ish-deputetes demokrate iu përgjigj me doza të forta ironie dhe sarkazme, Kryeministri Edi Rama. Ai solli si shembuj Gjermaninë dhe Francën, si dy vende që kanë ndërhyrë në marrëdhënien privat-privat në këtë periudhë krize.

Sipas postimit të Kryeministrit, Gjermania ka përfshirë periudhën tremujore prill-maj-qershor përmes një vendimi ku detyron qiradhanësin që të mos e zgjidhë kontratën me qiramarrësin nëse ky i fundit nuk mund të përmbushë detyrimin kontraktor për shkak të gjendjes së shkaktuar nga koronavirusi.

Një masë të ngjashme, Rama thotë se ka ndërmarrë edhe Franca, por duke përfshirë qiratë që duhej të ishin paguar nga 12 marsi, deri në një afat dymujor pas përfundimit të gjendjes së emergjencës shëndetësore.

“E pra, balona tabake, që ne e quajmë gabimisht opozitë, ta harrojë se i bën dot Shqipërisë atë që as armiku i padukshëm nuk ka për t’ia bërë dot, sepse koha kur ky vend u katandis në balonë tauke nga këta honxhobonxho ka vdekur dhe nuk kthehet më”, thotë Rama.

Faik Konica i cilëson shqiptarët honxhobonxho si të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk, ndërsa Kryeministri thotë se “honxhobonxho është dikush që jo vetëm nuk ndryshon mendim përballë faktit, por nuk ndryshon as argument”, ndërsa akuzon opozitën se synon që të shkaktojë trazira sociale dhe ekonomike, ashtu si në ’97-ën.

“…këta honxhobonxhot opozitarë vazhdojnë të merren me Qeverinë, sepse duan të vrasin me një gur dy zogj, duke synyar që nga një anë të nxisin mllef e përçarje mes popullit e Qeverisë, që po luftojnë së bashku, e nga ana tjetër të shkatërrojnë arkën e shtetit për të nxitur rrëmuja më pas, si në 97-ën”, deklaron ai.

Rama e mbyll këtë reagim duke deklaruar se shumë shpejt do të informojë për aktet zbatuese të aktit normativ mbi qiratë dhe sipas tij, “njerëzit më në hall do të shohin, edhe njëherë në tërësi dhe edhe më qartë për qiratë në veçanti, se ai dhe kjo qeveri, është me ta dhe për ta”.

Kundërpërgjigjet Basha: Kryeministri çfarë thotë në drekë e ndryshon në darkë

Përgjigjen ndaj këtij reagimi të Ramës e dha Lulzim Basha. Përmes një deklarate të shpërndarë nga Partia Demokratike, ai thotë se ajo çfarë ka kërkuar opozita është subvencionimi i qirave dhe pagesave për qytetarët dhe bizneset në nevojë. Si shembull Basha sjell Kosovën.

Kreu i PD-së përsërit se deklaratat dhe masat e Qeverisë tregojnë se asaj i mungojnë si idetë, ashtu edhe një plan për përballimin e emergjencës.

“Boll me fyerje dhe sulme ordinere: ato nuk i mbushin xhepat dhe tryezat bosh të shqiptarëve.‬ Fyerjet dhe sharjet ndaj opozitës tregojnë se kryeministri nervoz nuk ka as ide dhe as plan masash për emergjencën. Çfarë thotë në drekë, e ndryshon në darkë! Ai sot po tregon se nuk ka hallin e shqiptarëve, por ka vetëm merakun e oligarkëve”, thuhet në reagimin e Bashës. ‬

Basha kërkon me urgjencë anulimin e koncesioneve dhe rialokimin e fondeve të tyre tek fondet e emergjencës për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. “Koha nuk pret!”, mbyllet reagimi i kryedemokratit Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë