Futboll

Shtypi italian masakron Elseid Hysajn: Paraqitje horror!

Në stol në Champions League ndaj PSG-së dhe 70 minuta ndaj Romës në kampionat. Elseid Hysaj, mbrojtësi i Kombëtares dhe Napolit, po kalon një moment të vështirë në karrierën e tij. Shkodrani ka humbur formën, diçka që mund t’i ndodhë çdo lojtari, por e rëndësishme është se sa forca do të ketë ai të ringrihet. Përveç defekteve në lojën sulmuese në krah, tani po gabon edhe në lojën mbrojtëse. Pas paraqitjes në ndeshjen ndaj Romës, që e nisi titullar dhe u zëvendësua në minutën e 70-të, kritikat për Hysajn kanë qenë të mëdha. Shtypi sportiv e ka fajësuar për golin e pësuar nga Napoli, duke evidentuar indiferencën e shqiptarit në atë aksion, edhe pse nuk është vetëm ai fajtor.

Hysaj në dyluftim me Xhekon

“Tuttomercatoweb” e ka vlerësuar me notën 5.5 paraqitjen e futbollistit të Kombëtares shqiptare. Me të njëjtën notë janë vlerësuar edhe mbrojtësi i qendrës Kulibali, por edhe mbrojtësi i majtë Mario Rui. Sipas kësaj faqeje sportive, mbrojtësi ka vuajtur formën e mirë të El Sharauit dhe ka gabuar, ndërkohë që ka harruar të dalë përpara në sulm. Kurse “Il Mattino” ka qenë shumë më i ashpër me Hysajn, duke e konsideruar horror lojën e tij për aq minuta sa ishte në fushë.      

Ja dhe vlerësimi i “Il Mattino” për Elseid Hysajn

4,5 HYSAJ

“Halloween” festohet para kohe nga futbollisti shqiptar. Një mbrëmje horror për mbrojtësin e djathtë, në gjumë në rastin e golit të Romës. Topi i kalon shumë pranë dhe ai nuk ndërhyn, por nuk është ky rasti i vetëm që gabon. Për fatin e mirë të Napolit, gabimet e tjera nuk kanë qenë me kosto për ekipin.

Edhe në ndeshjet e fundit me Kombëtaren Hysaj nuk ka qenë në nivelin e mëparshëm. Ka një rënie të nivelit të lojës së mbrojtësit të krahut të djathtë dhe vendimet e fundit të trajnerit të Napolit, Karlo Ançelotit, e vërtetojnë këtë fakt, pavarësisht se ai me diplomaci e ka mbështetur 24-vjeçarin. Mund të jetë ky një moment “jo” për shkodranin, apo kaq është limiti i tij? Koha do ta vërtetojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë