Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe Autoriteti Menaxhues në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka vendosur shtyrjen e afatit për Dorëzimin e Aplikimeve, në kuadër të Programit IPARD II deri në datën 15 Janar 2020.
Të gjitha aplikimet duhet të dorëzohen vetëm në zyrat qendrore të AZHBR-së në zarfe të mbyllura me titullin Thirrje për Dorëzimin e Aplikimeve, së bashku me titullin e masës, emrin e plotë dhe adresën e aplikantit dhe me shënimin “Të mos hapet përpara dorëzimit”.
Aplikimet duhet të dorëzohen si më poshtë: Nëpërmjet dërgesës postare rekomande, ose dorazi (duke përfshirë shërbimet koriere) direkt në Autoritetin Kontraktues në këmbim të një mandati dorëzimi me firmë dhe datë nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.
Aplikimet e dërguara nëpërmjet çdo mënyre tjetër (p.sh. me faks apo e-mail) apo të dërguara në adresa të tjera do të refuzohen. Çdo aplikim i mbërritur në AZHBR pas datës 15 Janar 2020 do të refuzohet.
Programi IPARD II, nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA II) për Zhvillimin Rural (IPARD), kontribuon me 94 Milionë Euro, fonde nga BE dhe Qeveria Shqiptare, për harkun kohor 2014-2020, me qëllim zhvillimin e sektorit agro-ushqimor.
Programi IPARD II ka objektiv dhe prioritet mbështetjen e investimeve në sektorin agro-ushqimor, përmirësimin e konkurrencës, pajtueshmërisë me standardet e BE-së, mbështetjen e investimeve në zonat rurale me qëllim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e biznesit, duke çuar në përmirësimin e mundësive të punësimit dhe përfshirjes sociale.
Thirrja është e hapur për të gjithë (persona fizikë dhe juridikë), puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në fushat e prodhimit bujqësor, agropërpunimit dhe zhvillimit rural, nga data 30 Tetor – 15 Janar 2019, në:
Masa 1: "Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore" në sektorët:
Qumësht, Mish, Fruta-Perime,Vresht.
Masa 3: “Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore” në sektorët:
Qumështi dhe përpunimi i qumështit, Përpunimi i mishit, Përpunimi i frutave dhe perimeve,
Vera.
Masa 7: “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” në sektorët:
Sigurimi dhe Prodhimi i bimëve medicinale dhe aromatike, kërpudhave, mjaltit, bimëve
dekorative, kërmijve; Përpunimi dhe tregëtimi në nivel ferme i produkteve bujqësore
(qumështi, mishi, frutat perimet dhe verës); Përpunimi dhe tregtimi i bimëve medicinale dhe aromatike të egra apo të kultivuara, kërpudhave, vaji i ullirit, mjalti, peshku dhe produktet e peshkut, prodhimi dhe tregtimi i vajrave esenciale; Akuakultura (në ujëra të ëmbla dhe të kripur): Turizmi rural dhe i natyrës; Shërbime për popullsinë dhe bizneset rurale; Punimet e artizanatit dhe industria e manifaktures; Prodhimi i energjisë së rinovueshme.
Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 57.68 milion EURO nga të cilat 75% ose 43.26 Milion EURO kontribut i BE dhe 25% ose 14.42 Milion EURO kontribut i buxhetit të shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.