Mendim

Shteti të rimbursojë 100% testimin e individëve për Covid në privat

Nga Erion Dasho-Përfshirja e sektorit privat në ofrimin e shërbimit të testimit për COVID është një lëvizje në drejtimin e duhur, sepse në shtatë muaj pandemi sektori shtetëror u tregua i paaftë t'a ofronte këtë shërbim në përputhje me kërkesën dhe nevojat.

Në kushtet kur spitale private, klinika dhe laboratorë do të nisin të ofrojnë këtë shërbim, lind nevoja për disa masa rregullatore urgjente:

1. Në mënyrë ideale, shërbimi që ofrohet nga sektori privat duhet paguar nga pare publike, pra shteti të rimbursojë 100% çmimin e testit. Kjo është në përputhje edhe me ligjin e sëmundjeve infektive.

2. Ofruesit e shërbimit të testimit (qoftë të testit të tamponit, qoftë të testit serologjik) duhet të bëjnë publik informacionin teknik dhe financiar lidhur me testet e përdorur. Minimalisht duhet të deklarojnë çmimin, prodhuesin, vendin e prodhimit, vende të tjera europiane ku përdoret ky test dhe parametrat bazë (sensitivitetin dhe specificitetin).

3. Si në rastin kur është shteti që paguan, ashtu edhe në rastin kur qytetarët paguajnë privatisht, çmimi i ofrimit të testit duhet të rregullohet. Një nga mënyrat është çmimi tavan, por kjo ka anën negative se mund të nxitë ofruesit të blejnë teste me cilësi të ulët. Mënyra më e drejtë do të ishte vendosja e një marzhi fiks bazuar mbi çmimin e blerjes.

-Sot vlerësohet se ka një nevojë testimi të papërmbushur prej disa qindra teste në ditë. Kjo përkthehet në një biznes të garantuar që luhatet nga 1 deri në 2 milionë dollarë në muaj!

-Volume të tilla tërheqin jo vetëm ofruesit e ndershëm të shërbimeve shëndetësore privare, por edhe spekulantët e mundshëm që nuk mungojnë në këto raste!

-Është përgjegjësia e Ministrisë së Shëndetësisë të rregullojë urgjentisht këtë sektor jetik në funksion të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të qytetarëve dhe mos lejimit që ata të bëhen pre e shërbimve me cilësi të ulët dhe çmime të kripura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë