Politike

Shtatë kryeministrat që ishin edhe Ministra të Jashtëm

Kryeministri Edi Rama ka vendosur që mbajë edhe postin e ministrit të Jashtëm, duke ndjekur një model që po përdoret në shtetin fqinj Greqi. Vetë kryeministri e cilëson si një zgjidhje jo të përhershme vendimin e marrë për të pasur dy postet.
Por Instituti i Studimeve Politike ka publikuar faktet se në 107 vite shtet, edhe më parë ka pasur kryeministra që kanë ushtruar njëherësh edhe detyrën e kryediplomatit.
Precedentë të tillë datojnë me kryeministrin e qeverisë së parë pas pavarësisë, Ismail Qemalin dhe përfundojnë me diktatorin Enver Hoxha. Ndërsa për periudhën post regjimit komunist, me demokracinë, në Shqipëri nuk ka pasur ndonjë rast që kryeministri të ushtronte edhe detyrën e kryediplomatit.

“Kryeministri edhe ministër i jashtëm? Një model “grek“ emergjent për Shqipërinë? Në fakt në traditën tonë shtetërore ka pasur edhe raste të tjera kur kryeministri ka ushtruar edhe postin e Ministrit të jashtëm. Instituti i Studimeve Politike (ISP) paraqet rastet në 107 vjet, por në tërësi, kanë qenë kabinete në situata të jashtëzakonshme (1912, 1914, 1921, 1944) apo për periudha shumë të shkurtra kohore. Përjashtim bën periudha 1946-1953 kur kryeministri mbante të gjitha postet e rëndësishme në parti, shtet dhe në qeveri, - një tipar i partive shtet. Në rastet e tjera jetëgjatësia e këtij eksperimenti ka qenë me disa muaj. I tillë mund e duhet të jetë edhe tani”, thuhet në studimin e ISP-së.
Por për ISP-në ky propozim i kryeministrit Edi Rama nuk vjen për shkak se vendi është në ndonjë krizë politike, por se një gjë e tillë vjen për shkak të konflikteve të personalizuara, çka nënkupton përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta.
“Shqipëria e sotme nuk është në asnjë prej krizave politike të viteve të eksperimentimeve politike dhe as në situatë të jashtëzakonshme. Ne kemi Parlament, kemi qeveri, kemi president, kemi parti, kemi opozitë, por pavarësisht institucioneve kushtetuese e legjitime ne vijojmë të kemi konflikte të personalizuara, të cilat zëvendësojnë institucionet dhe kështu, krijojnë kosto, të cilën e paguajnë vetë institucionet, shteti dhe shoqëria”, thekson ISP-ja.
Gjithsej kanë qenë shtatë kryeministra që kanë ushtruar dy detyra njëherësh dhe se Rama do të jetë kryeministri i tetë në histori që do të ketë këto atribute shtetërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë