Politike

Rama “de jure” ministër i Jashtëm, po “de facto”?

Kryeministri Edi Rama mori vetë përsipër detyrën e ministrit të Jashtëm. Këtë zgjidhje ai e interpreton si të përkohshme deri në momentin kur do të rikthehet në funksionim Gjykata Kushtetuese, ku socialistët do të dorëzojnë ankimimin ndaj Presidentit Ilir Meta për vendimet e tij për të mos dekretuar, as shkarkimin e Ditmir Bushatit dhe as dekretin e emërimit të Gent Cakajt.

Ky ishte vendimi i marrë nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste këtë të hënë. Mbledhja u zhvillua pa praninë e mediave, por në përfundim të saj, vetë Kryeministri konfirmoi përmes rrjeteve sociale vendimin e marrë për t’u shndërruar edhe në kryediplomat.

Përmes një postimi në Twitter Rama është i bindur se Ilir Meta ka shkelur afatet kushtetuese me mosdekretimin e shkarkimit të Ditmir Bushatit, por si shkelje nuk përmend vetëm këtë rast. Flet edhe për të tjera shkelje, që thotë se do të ballafaqohen në Gjykatën Kushtetuese. Sot kjo gjykatë është jashtë funksionit. Kryeministri nuk flet me datë konkrete se kur do të rikthehet në punë kjo trupë, por një afat “shumë shpejt” e sinjalizon.

https://twitter.com/ediramaal/status/1084765894264401921

Reagimi i Presidentit Meta ishte i menjëhershëm. Po përmes rrjeteve sociale ai ndau bindjen se jo vetëm nuk po e shkel Kushtetutën, por po e mbron atë.

“Presidenti në krye të punës. Për Presidentin e para është Kushtetuta dhe sundimi i ligjit. NO MORE FAKE STATE. Shqipëria e para!”, shkruan ai.

Me “No more fake state”, e përkthyer në shqip “Jo më shtet fals”, Ilir Meta paralajmëron të tjera përplasje me Edi Ramën. E radhës mund të ketë nisur që këtë të hënë dhe mollë sherri mund të jetë sërish Ditmir Bushati.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/2087280324651563

Bushati mban ende postin e ministrit të Jashtëm. Emri i tij iu dorëzua sërish në Presidencë për të dekretuar shkarkimin, që më pas Kryeministri Edi Rama të marrë, ashtu siç ai thotë, “de jure” detyrën e ministrit të Jashtëm.

Mbetet për t’u parë nëse Meta këtë herë do të bindet dhe do të dekretojë shkarkimin e Bushatit për t’i hapur rrugë marrjes nga Edi Rama të këtij posti. Ai ka afat 7 ditë. Me këtë lëvizje, Kryeministri shpreson që t’i ketë hequr të gjitha alibitë e një refuzimi të mundshëm nga Ilir Meta, por i hap rrugën edhe një skenari tjetër, atij që “de jure” ta drejtojë vetë Ministrinë e Jashtme si titullar i saj dhe “de facto” kjo ministri të drejtohet nga Gent Cakaj si zv.ministër i Jashtëm.

Ish-Kryeministri Sali Berisha flet për dy ministra të Jashtëm. Ditmir Bushatin e quan si kushtetues, ndërsa Edi Ramën antikushtetues.

“Situata me dy ministra të Jashtëm është tragjikomike dhe dëshmon se mazhoranca e drogës, krimit dhe vjedhjeve po kapitullon. Kjo situatë do të thotë se Shqipëria “de facto” është pa ministër të Jashtëm”, shkruan ai.

Në prapaskenë, nënkupton Berisha, po zhvillohet një sherr i madh mes socialistëve dhe protagonistë janë dy emra; Ditmir Bushati dhe Edi Rama.

https://www.facebook.com/SaliBerisha/posts/1191606757666896

“Rama, i tmerruar nga vizita e parashikuar me kohë për sot dhe nesër e Ditziut në Berlin, shumë e rëndësishme për hapjen e negociatave në qershorin që vjen, bllokoi vizitën. Ai, pasi dështoi ta detyrojë Ditziun t’i paraqesë dorëheqjen, sipas diplomatit dixhital, kaloi në ekstrem duke i bllokuar pasaportën diplomatike dhe bërë të pamundur udhëtimin e Ditziut për Berlin, por njëkohësisht duke dërguar një mesazh të neveritshëm dhe turpërues në kancelarinë gjermane”, deklaron ish-Kryeministri.

Reagimi i parë nga opozita mbërriti nga Tritan Shehu. Ai e quan të pakuptimtë dhe të pakrahasueshme me rastin Tsipras. Shehu thotë se në vend të emërimit të vetvetes në krye të Ministrisë së Jashtme, Edi Rama duhet të jepte dorëheqjen.

“Për mjegullnajë kërkohet të bëhet paralelizëm me Tsipras. Në fakt janë dy raste krejt të ndryshme e shumë larg njëra-tjetrës. Në Greqi dha dorëheqjen normalisht ministri i Jashtëm dhe nuk u rrëzua ndonjë kandidaturë e Kryeministrit”, shkruan Tritan Shehu.

https://www.facebook.com/tritan.shehu.9/posts/2297972753773043


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë