Njerez

Shqiptaro-ukrainasja Neli mbërrin e sigurt në Gjermani, bashkëkombësi nga Kosova i hap dyert e shtëpisë

Gazeta Si - Pas një kalvari vuajtjeje dhe frike prej tre ditësh, shqiptaro-ukrainasja Neli Supur, së bashku me djalin e saj të vogël ka mbërritur shëndosh e mirë në Gjermani.

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, ajo vendosi të largohej nga vendi, ndërsa bashkëshorti i saj shkoi në luftë.

Por Neli nuk e ka pasur të lehtë deri sa mbërriti në Gjermani. Thirrjes saj në Facebook për ndihmë, i janë përgjigjur me qindra bashkëkombës.

Mes tyre, shqiptari nga Kosova, Sheip Pacolli, i cili jeton me familjen në Gjermani, pasi dëgjoi thirrjen e Nelit shkoi në kufirin e Ukrainës me Poloninë për ta marrë atë dhe djalin e saj. Me anë të një postimi në Facebook, Pacolli bën me dije se është takuar me Nelin dhe Ervinin e vogël.

“Më në fund u takuam me Nelin. Neli është e lodhur pak, por tash është mirë, edhe djali Ervini i vogël është shumë mirë dhe në duar të sigurta. Mos e kontaktoni Nelin, sepse telefoni s’i bën, as interneti. Tani u nisëm nga Medyka, Poloni dhe po vazhdojmë për Gjermani”, shkroi ai në rrjet.

Tashmë Neli Supur ka veç një lutje, të marrë fund kjo luftë dhe biri i saj të ketë mundësinë të përqafojë të atin.

Gruaja me profesion koreografe, është pjesë e komunitetit shqiptar prej rreth 60 personash që jetojnë prej vitesh në Ukrainë dhe kanë krijuar familjet e tyre atje.

Më herët, Ministrja e Jashtme Xhaçka njoftoi se autoritetet shqiptare kanë qenë në kontakt me një numër të vogël të tyre që kanë kërkuar asistencë për t’u larguar nga Ukraina pas nisjes së pushtimit nga Rusia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë