Ne rrjet

Shqiptari që do të drejtojë shërbimet sekrete maqedonase

Për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut, shërbimet sekrete të vendit do të drejtohen nga një shqiptar. Presidenti Stevo Pendarovski ka hapur dyert e kabinetit të tij për shqiptarët duke emëruar fillimisht Eroll Musliun në krye të Agjencisë së Kundër zbulimit.

Musliu, me origjinë nga Kërçova, ishte për një kohe të gjatë pjesë e agjencisë sekretet të vendit fqinj, duke ndërtuar një karrierë mjaft të suksesshme.

Përpara se të emërohej në krye të shërbimeve sekrete, Musliu shërbente si këshilltar i drejtorit të Agjencisë së Kundërzbulimit dhe përpara kësaj detyre kishte udhëhequr disa drejtori të rëndësishme në këtë agjenci. Mediat në Shkup shkruajnë se Musliu u përzgjodh pas konsultimit të Pendarovskit me koordinim me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.

Megjithatë, babai i re vajzave nuk do të jetë shqiptari i vetëm që është bërë pjesë e kabinetit të presidentit të ri të Maqedonisë së Veriut, pasi Pendarovksi ka përzgjedhur si këshilltarë edhe tre shqiptarë të tjerë.

Eroll Musliun

Profesoresha Besa Arifi do të jetë këshilltarja e re e presidentit për çështjet juridike, Blerim Kolalli është përzgjedhur si këshilltar për sigurinë kombëtarë, ndërsa Luljeta Ademi do të drejtojë sektorin për njerëzit me nevoja të veçanta. Pendarovski ka ftuar edhe Blerim Reken, kundërshtarin e tij politik në zgjedhjet presidenciale të bëhej pjesë e kabinetit, por ky i fundit duke se ka refuzuar ketë angazhim publik.

Për Muhamet Zekirin, deputet i partisë së kryeministrit Zoran Zaev, emërimi i Musliut në krye të shërbimeve sekrete, por edhe përzgjedhja e shqiptarëve të tjerë në kabinetin e Pendarovskit, tregon se Maqedonia e Veriut ka më në fund një president që u shërben të gjithë qytetarëve.

“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjërat po ndryshojnë në të mirë të gjithë shoqërisë. Dëshmi për këtë nuk janë vetëm rezultatet e Qeverisë së kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev, por tanimë edhe të presidentit Stevo Pendarovski. Përzgjedhja e ekipit të tij dëshmon se Pendarovski është president i të gjithë qytetarëve të vendit dhe se përparësi kanë profesionistet jo përkatësia e tyre etnike. Uroj presidentin Pendarovski i cili për herë të parë në historinë e vendit tonë vendosi të emërojë për drejtor të Agjencisë së Zbulimit një shqiptar jo për shkak të përkatësisë se tij etnike, por për shkak të profesionalizmit dhe aftësive që Erold Musliu gëzon”, shkruan ai. “Urime edhe për Blerim Kolallin, i cili do të jetë këshilltar i sigurisë së kombëtare në kabinetin e presidentit. Urime dhe suksese edhe për këshilltarët e tjerë Goce Karajanov, Biljana Radeva, Aleksandar Spasov, Denko Malevski, Mirjana Lazarova Trajkovska dhe Besa Arifi”, përfundon Zekiri.

Stevo Pendarovski

Karriera e një shqiptari në kundërzbulim

Por kush është Musliu dhe pse kreu i shtetit maqedonas e zgjodhi në krye të shërbimeve sekrete të vendit fqinj?

Musliu ka lindu në vitin 1969 në Kërçovë dhe është diplomuar për kriminologji në Fakultetin e Sigurisë në Shkup. Nga viti 1993-1998 ai ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme maqedonase, ku ishte inspektor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim.

Karrierën në agjencinë e shërbimeve sekrete të Maqedonisë së Veriut, Musliu do ta niste në vitin 1998, ku nisi të punonte si agjent terreni i kundërzbulimit të terrorizmit ndërkombëtar.
Në periudhën nga viti 2000-2007 nisi punën operative, duke drejtuar një sërë misionesh në terren.

Në periudhën nga viti 2007 deri në vitin 2012, Musliu ishte në krye të Drejtorisë së Zbulim të Terrorizmit Ndërkombëtar dhe Krimit të organizuar, për të koordinuar më pas për bashkëpunimet ndërkombëtare të Agjencisë.

Nga viti 2015 e deri më sot, Musliu ishte ndihmës drejtor i Agjencisë së Kundërzbulimit dhe koordinonte punët operative të Agjencisë maqedonase të Kundërzbulimit.

Gjatë karrierës shqiptari ka kryer më shumë trajnime ndërkombëtare, duke marrë pjesë në seminare që kanë të bëjnë me punën në terren. Po ashtu ai ka udhëhequr operacione të ndërlikuara anti-terrorizmi, disa operacione rajonale dhe ka marrë pjesë edhe në operacione ndërkombëtare.

Përveç gjuhës shqipe dhe maqedonase, Erolld Musliu e flet edhe gjuhën angleze, italiane dhe franceze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë