Para

Shqiptarët vazhduan të merrnin masivisht kredi për shtëpi gjatë tremujorit të parë

Kredia për blerjen e banesave ka vijuar tendencën e rritjes gjatë tremujorit të parë të këtij viti sipas të dhënave të BSH.

Në fund të tremujorit, kredia hipotekare përbën mbi 70% të kredisë për individë dhe pesha e saj është rritur me 0.7 pikë përqindjeje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përbërja sipas monedhës e kredisë hipotekare është lehtësisht e dominuar nga kredia në monedhë vendase, me 56% të totalit.

 Ecuria e kredisë për shtëpi është mbështetur nga kushtet e ofertës, ku vërehet një lehtësim i standardeve të kredisë për blerje banese, nga tremujori i tretë i vitit 2020 dhe duke vijuar kështu edhe në dy tremujorët pasardhës.

Paralelisht, edhe kërkesa e individëve për kredi me qëllim blerjen e një banese ka hyrë në territor pozitiv.

BSH vërën se është përmirësuar edhe kredia konsumatore e cila përbën rreth 30% të kredisë së dhënë për individë, duke e lidhur këtë zhvillim me përmirësimin e treguesit të besimit konsumator.

 Norma mesatare e interesit për kreditë në lekë për individët rezultoi 6.5% në tremujorin e parë të vitit, duke u rritur lehtë nga niveli mesatar prej 6.3% që ishte në dy tremujorët e mëparshëm.

 Në këtë horizont kohor, interesi i kredive konsumatore mbeti thuajse i pandryshuar, në 8.4%.

Rënia e interesit të kredisë hipotekore në euro, në 3.3%, nga mesatarja relativisht e qëndrueshme prej 4.0% e vitit 2020 është ajo që bie në sy për tremujorin e këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë