Sabina Veizaj-Shqiptarët martohen më pak se 5 vite më parë. Janë lezhianët ata që preferojnë martesat më shumë se personat e qyteteve të tjera të vendit.
Sipas INSTAT, norma bruto e martesës, që do të thotë, numri i martesave për mijë banorë është 7,7 martesa. Kjo vlerë në qarkun e Lezhës është 10,2 martesa për mijë banorë dhe më e ulta është regjistruar në qarkun e Tiranës me 6,8 martesa për mijë banorë.
Viti 2017 është edhe viti ku janë regjistruar në zyrat e gjendjen civile më pak martesa, rreth 22,5 mijë martesa. 0,4 % më pak se një vit më parë, por me një rënie prej 5,7 % krahasuar me vitin 2013.
Një lajm i keq social
Sociologu Gëzim Tushi e konsideron rënien e numrit të martesave si një lajm të keq social. Ai thotë për gazetën “SI” se ky fenomen ndikon negativisht jo vetëm në në aspektin demografik, që ndihmon procesin e plakjes së popullsisë por dhe për një varg problemesh morale, sociale, psikologjike dhe të seksualitetit human.
“Me sa duket “skarciteti” i martesës, shtimi galopant i numrit të divorceve, zgjerimi i dimensionit të dhunës në çift, ideja e kalimit sa më lehtë në kornizat e “shoqërisë së qejfit” pa telashe materesore e përgjegjësi prindërore po bëhet nxitëse e mentalitetit që po shton përmasat e monofamiljeve, apo të atyre që i “bëjnë bisht” martesës”. Doemos edhe shtimi i konceptit të martesave për interes apo ndikimet negative të xhelozive patologjike, janë argumenete të tjera që ndihmojnë në “spostimin e martesës”-shpjegon sociologu.
Për të, nuk duhet mohuar edhe fakti që në se në të kaluarën martesa ishte edhe instutucion i seksualitetit, sot ky funksion është spostuar për shkak se është liberalizuar sekualiteti dhe mundësitë e plotësimit të saj jashtë institucionit të martesës. Nga ana tjetër, thotë sociologu Tushi, një pjesë e të rinjve të dhënë marrëzisht pas suksesit, karrierës, famës personale duket se ose e harrojnë ose e shmangin vlerën apo detyrimin e martesës. “Femrat nga ana e tyre janë bërë më selektive për partnerin. Ato nuk duan të martohen me një dembel, parazit, alkhoolist dhe ca më pak me një partner që i cënon sovranitetin duke e kthyer atë nga partnere në skllave.”-shprehet sociology Tushi. Ai mendon se, edhe pse duket se martesa është një lidhje stresante apo problematike për të rinjtë, ata duhet të mendojnë se qëndrimi jashtë martesës si rregull nuk e ka të mirë as perspetivën individuale por as atë sociale.
Sociologu Tushi mendon se kjo kohë ka cënuar standartet dhe modelin tradicional të martesës klasike duke krijuar forma dhe alternative të reja të martesës, bashkëjetesës, por cilësia e dobët e shumë lidhjeve martesore, egocentrizmi partnerëve e kanë dëmtuar vlerën dhe kulturën e martesës, duke e bërë atë institucion të lëkundshëm, të rrëshqitshëm dhe problematik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.