Analize

Shqiptarët të përçarë për presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut

Edhe pse ishte përfolur se presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut mund të ishte shqiptar, kjo perspektivë duket tanimë më e largët se kurrë. Jo vetëm që nuk ka mbështeteje nga LSDM (Partia me e madhe maqedonase ne pushtet), por nuk ka Konsensus as edhe mes shqiptarëve, ashtu siç edhe ka ndodhur ne zgjedhjet e mëparshme presidenciale në Maqedoni.

Lëvizja Besa dhe kryetari i saj Bilall Kasami kanë deklaruar se do të dalin me një kandidat të përbashkët me Aleancën për Shqiptarët, por kanë refuzuar çdo bashkëpunim me partinë më të madhe, BDI-në. Por në anën tjetër kryetari i kësaj partie Ali Ahmeti dhe kryeministri Zoran Zaev kanë bashkuar tanimë forcat për kandidat të përbashkët.

Ekspertët shprehen se pas arratisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevksi dhe trazirave politike që solli ndryshimi i emrit, Shkupi zyrtar ka nevojë për një president që do të kërkonte një shkallë të fortë të miratimit politik, një president me personalitet të fortë rreth të cilit do të arrinin të krijonin konsensus të gjitha partitë politike. Por a mund të jetë edhe kreu I shtetit shqiptar, ashtu si kryetari i Parlamentit Maqedonas, Talat Xhaferi?

Ali Ahmeti

BDI ka thënë prej kohësh se një kandidat konsensual nuk duhej të ishte domosdoshmërisht shqiptar. Në kundërpërgjigje, si Kasami, ashtu edhe Zela kanë deklaruar se Ahmeti I ka fyer vazhdimisht partitë opozitare shqiptare, duke kujtuar se BDI-ja kishte refuzuar një thirrjet e tyre për të diskutuar për një agjende të përbashkët për çështjen emrit. Për Aleancën për Shqiptarët “çdo fjalë që del nga goja e BDI-së, duhet të përbuzet, ndërsa për Lëvizjen Besa, kjo parti është anti-shqiptare.

Edhe pse fillimisht ishte përfolur se shqiptarët mund të dilnin të bashkuar në zgjedhjet presidenciale, eksperti Shpëtim Pollozhani thotë se kjo ishte një lëvizje e pritshme.

“Shqiptarët nuk do të zgjedhin kandidat të përbashkët, pasi asnjëherë nuk do të merren vesh me njëri-tjetrin. Që nga themelimi i partive, janë marrë vesh për t’u mos u marrë vesh. Atyre nuk u beson më askush, e kanë humbur kredibilitetin, nuk kanë ide, nuk kanë agjenda politike dhe kandidatë të përshtatshëm”, thotë Pollozhani për mediat maqedonase. “Kryeministri Zaev nuk do të arrijë të fitojë në kampin politik maqedonas dhe kërkon shpëtim tek shqiptarët. Nëse duan partitë shqiptare mund ti vënë lehtësisht kusht që kandidati i përbashkët të jetë shqiptar, por nuk bien dakord më njëra-tjetrën”, shton ai.

Ziadin Sela dhe Bilall Kasami

Por, ish-kandidati për president, Imer Selmani, i cili fitoi një numër të konsiderueshëm votash në Maqedoni në vitin 2009 mendon se është koha që një shqiptar të bëhet kreu i shtetit.

“Shqiptarët kanë votuar deri tani për të gjithë presidentët … është koha të mendojmë për një kandidat konsensual shqiptar i cili do të miratohet nga maqedonasit dhe nga të gjithë të tjerët”, tha Selmani.

Të tjerë ekspertë thonë se skenari më i mundshëm do të ishte që shqiptarët të mund të fitojnë nënpresidentin, i cili pritet të jetë nga radhët e BDI-së, por edhe kjo iniciativë ka të ngjarë të kundërshtohet ashpër nga VMRO DPMNE-ja.

Kush janë kandidatët?

Edhe pse Besa dhe Aleanca për Shqiptarët nuk kanë dhënë ende një emër, BDI-ja dhe qeveria duket se e kanë zgjedhur kandidatin e tyre. LSDM-ja ka sinjalizuar se do të mbështesë Ministrin e Jashtëm Nikolla Dimitrov, një emër i përfolur në qarqet qeveritare si zgjedhja më e mirë e mundshme, duke qenë se ministri tregoi vullnet të pashembullt në negociatat me Greqinë për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Zoran Zaev dhe Nikolla Dimitriov

Në vendin e Dimitrovit, në Ministrinë e Punëve të Jashtme pritet të vijë Radmilla Sheqerinska, që aktualisht është Ministre e Mbrojtjes, ndërkohë që pozicionin e saj pritet ta marrë Stevo Pendarovski, koordinatori aktual i NATO-s. Kandidatura e Dimitriov duket se ka marrë edhe bekimin e BDI-së, pasi kryetar i saj, deklaroi pas një takimi me Zaev se kishte arritur në një konsensus.

“Kam zhvilluar një takim me kryetarin e partisë më të madhe në vend, zotin Zoran Zaev, gjatë të cilit kemi analizuar situatën duke parë mundësinë që të kishim një kandidat të përbashkët presidencial. Mund t’ju them se konsensus do të arrihet”, pohoi Ali Ahmeti.

Ndërkohë nga VRMO DPMN-ja ka tashmë katër kandidatët të cilët do të shqyrtohen nga organet e partisë, por ende nuk ka ende një emër zyrtar.

Së bashku me zgjedhjet presidenciale, në Shkup po përflitet edhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Zaev duket ende i pavendosur dhe po peshon interesat shtetërore kundrejt atyre partiake.

“Dilema është midis dy opsioneve, të fitojmë edhe një mandat tjetër që të kalojmë reformat në ekonomi dhe përmirësimin e standardit jetësor, ose do të zgjedhim interesin shtetëror duke mos i dhënë motive vendeve anëtare të BE-së, pasi që një pjesë e tyre janë kundër anëtarësimit, ndërkohë që Maqedonia po pret vendim pozitiv në samitin e qershorit”,- tha kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë