Analize

Shqiptarët të përçarë para presidencialeve në Maqedoninë e Veriut

Ndërkohë që Shkupi ndodhet nën ethet e zgjedhjeve presidenciale, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të shkojnë drejt kutive të votimit më 21 prill më të përçarë se kurrë.

Shumë janë të pavendosur nëse duhet të votojnë për Stevo Pendarovskin, kandidatin konsensual të LSDM-së dhe BDI-së apo për profesorin Blerim Reka, kandidatin shqiptar, për të cilin sondazhet thonë se vështirë mund të hyjë në raundin e dytë.

Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Alternativa, Partia Demokratike Shqiptare dhe Rilindija Demokratike Kombëtare janë në mbështetje të Pendarovskit, ndërkohë që Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kanë dalë në mbështetje të Rekës. Ziadin Sela e Bilall Kasami kanë kritikuar ashpër Ali Ahmetin duke bërë thirrje për votim mbi baza etnike.

Sipas sondazhit të fundit të realizuar nga Instituti për Studime Politike në Shkupi, kandidati presidencial, Stevo Pendarovski kryeson anketën me 28,8%. Ai pasohet nga kandidatja e VRMO DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova me 26,8%. I treti është kandidati i pavarur, Blerim Reka me 7,1%. Anketa është kryer nga 23 deri më 27 mars të këtij viti dhe janë intervistuar 1110 qytetarë.

Stevo Pendarovski

Pendarovski e humbi një here garën me presidentin e tanishëm Gjorge Ivanov. Megjthatë sipas ekspertëve në Shkup, partia e tij ndodhet tanimë në një pozicion shumë më të favorshëm se pesë vite më parë, pas marrëveshjes me Greqinë dhe hapjes së dyerve për integrimin euroatlantik për Maqedoninë e Veriut.

Si Gordana Siljanovska -Davkova , ashtu edhe Reka apo Pendarovski kanë prezantuar programe mjaft ambicioze në takimet me qytetarët. Kandidatja e opozitës ka premtuar “rikthimin e krenarisë kombëtare” pas marrëveshjes sipas saj të turpshme me Greqinë. Reka është përqendruar tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ndërsa Pendarovksi tek integrimi në BE dhe NATO.

Në takimet e deritanishme midis temave kryesore të kandidatëve janë qëndrimet për Marrëveshjen e Prespës, problemin me emigrimin e të rinjve, perspektivat për anëtarësim të vendit në NATO dhe në BE, por edhe tema të politikës ditore.

Fushata filloi zyrtarisht më 1 prill dhe do të zgjasë deri më 19 prill, dy ditë përpara votimit të raudit të parë. VRMO DPMNE-ja u ka bërë vazhdimisht thirrje qytetarëve të dalin të votojnë, duke theksuar se nëse nuk arrihet pragu zgjedhor prej 40 për qind, presidenti do të zgjidhet në Kuvend.

Duke folur në një miting në Kërçovë, Gordana Siljanovska – Davkova paralajmëroi se nëse i lihej në dorë kuvendit, presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut do të zgjidhej nga LSDM-ja dhe BDI-ja.

”Unë jam kritike e madhe e zgjedhjes së presidentit të Maqedonisë nga Kuvendi pasi atëherë jo vetëm se të gjithë ju si votues nuk do të keni kurrfarë ndikimi, por ata që do të marrin vendimin do të jenë dy liderët e partive në pushtet (Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti)” , deklaroi ajo. “Tetëdhjetë e një deputetë thjesht do ta konfirmojnë. Ai ose ajo nuk do të jetë sipas zgjedhjes tonë, por do të jetë sipas zgjedhjes së tyre. Unë besoj në maturinë e popullit, se ai di të njohë jo vetëm partitë, jo vetëm liderë e tyre, por edhe personalitetet që do të dalin prej tij dhe do të punojnë për të”, theksoi Siljanovska - Davkova.

Gordana Siljanovska – Davkova

Sipas kandidates së opozitës, pas zgjedhjeve presidenciale do të hapet rruga edhe për zgjedhje të reja parlamentare, të cilat sipas saj do të fitohen nga VRMO DPMNE-ja.

“Gjithmonë do të insistoj për respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve, sundimit të së drejtës pasi kjo është filozofia ime. Nëse para meje ndodhet një ligj për të cilin do të konstatoj se është antikushtetues do t’ia kthej Kuvendit. Do t’ua bëj të qartë se edhe Kuvendi edhe deputetët janë nën Kushtetutën dhe ligjet, dhe jo sipër tyre. Atëherë nuk do të jetë e rëndësishme se cila parti do të jetë në pushtet, pasi shteti do të funksionojë sipas Kushtetutës dhe ligjeve. Një shtet i tillë është i denjë për integrimin europian”, tha Siljanovska-Davkova.

Nën moton “Bashkë Përpara” kandidati i koalicionit qeveritar, nga ana tjetër, është duke shfrytëzuar të gjitha arritjet e partisë së tij dhe hapjen e dyerve të NATO-s për Shkupin.

“Qeveria jonë është e angazhuar të zgjidhë problemet më të mëdha të vendit. Ishte kjo vendosmëri ajo që çoi drejt ftesës për anëtarësimin në NATO dhe në qershor do të marrim një datë për fillimin e negociatave me BE-në, deklaroi Pendarovski. “Kjo do të sjellë rritjen e fondeve evropiane, më shumë investime, vende të reja pune dhe standard më të lartë për të gjithë qytetarët”, theksoi kandidati.

Në një miting me banorët e Butelit, ai iu drejtua në veçanti shqiptarëve, duke theksuar se kjo komunë është shembull bashkëjetesës etnike.

“Këtu, në këtë komunë, kam kaluar pjesën më të madhe të jetës me njerëz prej të gjitha bashkësive etnike. Slogani im është “Bashkë përpara”, që do të thotë bashkim dhe jo ndarje. Një shoqëri për të gjithë është koncepti që filluam të realizojmë nga viti 2016. Unë do të jem president për të gjithë qytetarët dhe nuk do t’i ndaj në aspekt, fetar, kombëtar apo për përkatësi politike”, tha Pendarovski.

Blerim Reka

Ndërsa kandidati për president nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa e ka filluar fushatën nën moton “Reka për Republikën”. Aa ka premtuar të ndërmarrë një luftë të ashpër kundër korrupsionit, nepotizmit dhe drejtësisë selektive.

Në një tubim në Shkup, ku edhe filloi fushatën presidenciale, ai deklaroi se votat e qytetarëve nuk janë për tregti dhe u bëri thirrje të dalin në votim, pavarësisht se cilës parti i përkasin.

“Me votën tuaj dëshmoni se nuk jeni anonim. Dëshmoni se ju nuk jeni vetëm votues, por edhe të votuar. Kjo do të ndryshojë më 21 prill, kur ju do ta zgjidhni presidentin. Nga ju varet nëse doni që një shqiptar të jetë president i Republikës. Ju jeni sovrani që vendos, nëse vota juaj do ta bëjë Maqedoninë e Veriut multietnike dhe euroatlantike”, tha Reka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë