Treg

Shqiptarët shpenzuan rreth 48 euro për frymë në prime sigurimi gjatë vitit 2020

Primi mesatar për frymë pësoi rënie vitin e kaluar, duke u ulur me 4.9% krahasuar me vitin 2019, sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF) dhe shqiptarët shpenzuan mesatarisht më pak se 5900 lekë.

Primi për frymë kishte njëkohësisht vlerën më të ulët që prej vitit 2017 për shkak të rënies së volumit të primeve të sigurimit, si rrjedhojë e pandemisë së Covid-19.

Statistikat e AMF treguan se vitin e kaluar tregu i sigurimeve pësoi rënie me 5.7%, e shtrirë në pjesën më të madhe të klasave të sigurimit të jetës dhe jo-jetës.

Tregu i sigurimeve edhe për vitin 2020 ruajti një shkallë të lartë të përqendrimit në Tiranë, ku janë regjistruar 59% e primeve të shkruara bruto.

Përqendrimi i tregut në kryeqytet është i dukshëm edhe sipas primeve të sigurimit për frymë. Për Tiranën ky tregues vitin e kaluar arriti në rreth 10 800 lekë për frymë. Megjithë rënien me 6.5% krahasuar me një vit më parë, sërish primi i sigurimit për frymë në Tiranë është dy herë më i lartë krahasuar me qarkun e dytë në renditje, atë të Gjirokastrës.

Në këtë qark, primi për frymë raportohet në vlerën e rreth 5500 lekëve. Në fund të renditjes janë qarku i Dibrës me rreth 2200 lekë prime sigurimi për frymë dhe ai i Kukësit me 2500 lekë për frymë.

Qarqe si Shkodra, Lezha, Dibra dhe Kukësi shënuan një rritje të primit mesatar për frymë krahasuar me vitin 2019.

Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet me shpenzimet më të ulëta për prime sigurimi në Europë.

Vitin e kaluar, Shqipëria është lënë pas edhe nga Kosova, ku primi mesatar i sigurimit arriti në 55 euro për frymë.

Vendi i Bashkimit Europian me shpenzimet më të ulëta për prime sigurimi është Rumania, me rreth 120 euro në vit, ndërsa në Zvicër primi mesatar për frymë arrin në rreth 7 mijë euro në vit. Mesatarja europiane vlerësohet në më shumë se 2 mijë euro për frymë në vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë