Analize

Shqiptarët që po kandidojnë për zgjedhjet europiane në Itali dhe Greqi!

Të dielën, kur shumica e vendeve europianë të drejtohen drejt kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Europian , shqiptarët në Itali dhe Greqi do të kenë mundësinë të votojmë për dhjetëra kandidatë shqiptarë që do të marrin pjesë në zgjedhjet më të mëdha të botën perëndimorë. Përveç zgjedhjeve europiane, si Roma ashtu edhe Athina mbajnë edhe zgjedhjet lokale, me dhjetëra shqiptarë që po kandidaojnë për të përfaqësuar komunitetin e tyre në bashki.  Po ashtu në Itali dhe Greqi ka dy kandidate shqiptarë që duan të përfaqësojnë emigrantët shqiptarë në Bruksel.

Kandidatë shqiptarë për zgjedhjet komunale dhe ato europiane në Itali tregojnë se politikisht komuniteti shqiptar është bërë tanimë një pjesë e gjallë e Italisë. Nga “fama” për kryerjen e veprave të këqija të lidhura me drogën dhe krimin, tanimë shqiptarët njihen si njerëz dhe të artit dhe sportit.

Fakti që dhjetëra përfaqësues të një komuniteti të madh prej gjysmë milioni aplikojnë për të përfaqësuar komunitetin e tyre në fusha të ndryshme të pushtetit (europian, rajonal, komunal) sinjalizon edhe përfshirjen e tyre të plotë në shoqërinë italiane.

Për Gjergj Kanajën, analist shqiptar që jeton në Itali, të dyja vendet kanë ndryshuar që nga fillimi i valës masive të emigracionit shqiptar në Itali.” Shqipëria për mirë sepse është bërë më e hapur për botën, por Italia për keq sepse po mbyll dyert nga frika e të huajve”, rrëfen ai.

Zgjedhjet administrative italiane do të mbahen më 26 maj, në të njëjtën kohë me zgjedhjet europiane. Në listën e kandidatëve me origjinë shqiptare janë plot 170 kandidatë shqiptarë për të dyja zgjedhjet.

Gerarta Ballo është kandidatja e vetëm me origjinë shqiptare nga Italia për zgjedhjet e ardhshme europiane. Ajo është kandidate e Partisë Demokratike në Jugun e Italisë (Abruzzo, Molise, Campagna, Puglia, Basilicata, Kalabria).

Geralda Ballo

34-vjeçarja ka lindur në Shqipëri dhe është rritur në Itali që nga mosha 11 vjeçare. Ajo është diplomuar per Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Torinos dhe ka diplomë master në Politikë, dhe Dizajn.

Ajo i bëri hapat e parë në një redaksi të vogël në Torinos, për të punuar më pas radio. Më vonë ajo u angazhua në botën e diplomacisë, duke punuar për tetë vite në Ambasadën Shqiptare në Romë.

Ajo punoi me shoqatat italiane-shqiptare, sipërmarrësit dhe profesionistët, duke ndërmarrë iniciativa kulturore, turistike dhe sociale.

Për më tepër, në Jug, Ballo ka ndërtuar marrëdhënie të forta me arbëreshët, duke punuar për integrimin e tyre në institucionet italiane dhe shqiptare.

Ndër mbështetësit e shumtë të Ballos, është edhe shkrimtari i famshëm, ish-ministri dhe Ambasadori i Shqipërisë, Besnik Mustafaj.

Sapo Ballo publikoi kandidaturën e saj me Partinë Demokratike italiane, Mustafaj ishte ndër të parët që reagoi me entuziazëm:

"Uroj që të kisha të drejtën për të votuar për Geri Ballon."

Sot ai është edhe i bindur se kjo kandidaturë duhet të mbështetet duke deklaruar se ka një ëndërr: “Të shohë Geri Ballo në Parlamentin Europian”.

Nga ana tjetër, Për, Anilda Brahimin, një prej kandidateve për zgjedhjet lokale në Itali, bashkësia shqiptare në Itali, e dyta sipas madhësisë, është me përshtatshmja për të folur për interesin e komuniteteve të emigrantëve në Itali.

“Është e pamohueshme që në këtë moment historik në Itali, shumica e debatit politik përqendrohet në çështjet që lidhen me emigracionin dhe marrëdhëniet me të huajt dhe është një debat që po bëhet gjithnjë e më i nxehtë dhe e vetmja gjë që mund ta ndalojë është e njëjta forcë e gravitetit që e ka shkaktuar: emigrantët”, thotë ajo”. Aktualisht, duke lexuar gazetat, Italia duket se ndahet midis dy fraksioneve, njëra që akuzon tjetrën për fashizmin dhe tjetra që përgjigjet me akuzat për tentativa etnocidi kundër italianëve vendasve nëpërmjet emigracionit të nxitur nga interesat e gabuara ekonomike. 450 mijë shqiptarët në Itali (duke mos llogaritur 200 mijë të natyralizuar që nuk hyjnë në statistikat zyrtare) e kanë tjetërsuar komunitetin duke pritur vëllezërit, kushërinjtë, të afërmit, janë pronarë të kompanive që punësojnë rregullisht bashkatdhetarë, punojnë, studiojnë dhe jetojnë mes shumë vështirësive”, theskon Brahimi.

Sonila Alushi, nga ana tjëtër, është shqiptarja e parë që kandidon për këshillin bashkiak të Bergamos, në listën Gori. 40 vjeçarja rrëfen se sfida e saj kryesore është paragjykimi ndaj emigrantëve.

Sonila Alushi

“Paragjykimi pengon gjetjen e punës, gjetjen e shtëpisë, gjetjen e shokut, gjetjen e integrimit. Paragjykimi është një nga problemet më të mëdha që kemi si shoqëri e jo vetëm në Itali. Deri dje e kam luftuar nëpërmjet shembullit tim, shumë emigrantëve të tjerë dhe aktiviteteve kulturore, të cilat i kam promovuar nëpërmjet konferencave dhe mediave. Sot dua të bej një hap më shumë, dua ta luftoj me politikat sociale të duhura. Urrejtja raciale e ka rënduar klimën në Europë e në botë, ndaj dua të punoj për një Bergamo më të hapur në mentalitet, më moderne, më të bukur. Me Listen e pavarur Gori të cilës kryebashkiaku i Bergamos i ka dhënë mbiemrin e tij, ka nje vit që formohem por edhe dëgjohem e konsultohem. Në çdo pjesë të programit tonë për fushën sociale, është dhe zëri im. Kam disa projekte specifike për të cilat e gjithë skuadra më mbështet”, thotë ajo. “Nuk kam kandiduar për të treguar sa e integruar jam, atë e kam bërë me shumë punë të tjera nga më e përulura e deri tek biznesi, gazetaria, kultura, aktivitetet vullnetare, etj. Kam kandiduar për të punuar për një integrim më të mirë e më të shpejtë të pjesës më të dobët të shoqërisë sonë, qoftë autoktone apo jo”, thekson Alushi

Kandidatët shqiptarë në Greqi

Po ashtu edhe në Greqi, janë radhitur dhjetëra përfaqësues të komunitetit shqiptar për zgjedhjet europiane dhe lokale me 26 maj. Greqia ka 21 vende në Parlamentin Europian dhe do të duhet vota e shqiptarëve që ta çojnë përfaqësuesen e tyre në Bruksel.

Eda Gemi është kandidate e PASOK, Partisë Socialiste Greke dhe po kërkon votën e emigrantëve shqiptarë në fqinjin tonë, por jo vetëm. Me një karrierë të gjatë akademike në disa universitet, Eda Gemi ka jetuar në 30 vjetët e fundit më shumë në Greqi, por pa u shkëputur nga vendi i saj. Gemi ka një bashkëpunim të gjatë me Partinë Socialiste të Greqisë, pasi në vitin 2002, ka qenë këshilltare e eurodeputetes së PASOK-ut. Ndërsa në vitin 2009-2010 ishte anëtare e komisionit të kryeministrit Jorgo Papandreu, për politikat migratore. “Europa nuk është utopi. Mjafton vota jote për ta bërë realitet.

Më 26 maj voton për herë të parë përfaqësuesen tënde në Parlamentin Evropian.”, -thuhet në kryefaqen e profilit të Eda Gemit në Facebook. Ajo është përfaqësuese e qendrës së majtë, dhe siç shihet ajo beson në një Europë të bashkuar, të fortë. “Çdo shqiptar, në çdo cep të Greqisë, mund të shohë te kandidatura ime për Parlamentin Europian, nevojën për t’u dëgjuar, për t’u përfaqësuar dhe për t’u bërë pjesë aktive e zhvillimeve evropiane. “-shkruan ajo në një tjetër status në  faqen e saj zyrtare në Facebook.

Vota e shqiptarëve në Greqi pritet të luajë rol deciziv për mjaft bashki të vendit, madje dhe atë më kryesoren, Bashkinë e Athinës, ku jetojnë e punojnë përqindja më e lartë e emigrantëve. Në shumicën e listave të gjata të fletëvotimeve përfshihen emra shqiptarësh, ndërsa kërkesat nga partitë e mëdha mbeten të hapura edhe për zgjedhjet parlamentare të tetorit 2019.

Ekspertët shqiptarë në Athinë thonë se nëse reagimi do të jetë i duhuri, nëse votojnë të gjithë dhe mbështesin bashkatdhetarët, atëherë e diela do të jetë padyshim një ditë historike.

Kandidatët shqiptarë në Greqi

Sfida më e madhe e të djelës janë dy kandidaturat për zgjedhjet europarlamentare nga spektri i majtë politik grek: Eda Gemi me partinë “Lëvizjen për Ndryshim” (ish-PASOK) dhe Ermela Jana me partinë “Potami”. Të dy kandidatet janë lindur në Shqipëri, kanë studiuar në Greqi dhe në vende të tjera europiane, ndërsa sot kanë karrierë akademike tepër të suksesshme. Si Eda Gemi ashtu dhe Ermela Jana janë specializuar në sferën e emigracionit dhe të drejtave të njeriut, me kontribut të jashtëzakonshëm në evidentimin dhe zgjedhjen e çështjeve madhore për integrimin e komuniteteve emigrante në shoqërinë europiane.
Në çdo kënd të Greqisë, numri i plotë i kandidaturave të emigrantëve shqiptarë është sa i madh, aq edhe i vështirë për t’u përcaktuar apo saktësuar, për vetë faktin se emrat nuk dallohen dhe kandidatët janë plotësisht të integruar në shoqërinë vendase.

Në Athinë dhe zonat përreth të Atikës disa prej kandidatëve për këshilltarë të bashkisë apo këshilltarë të guvernatorit rajonal janë: Arjana Bariaba, Kristi Dedja, Sajmir Kostandin Stathi, Sotir Shehu, Skerdilajd Agalliu, Gani Xheka- i cili mori shtetësinë greke në shenjë mirënjohje për kontributin e tij në tragjedinë e Matit, në verën 2018, Lefter Kuqo, Adiljan Koxhaj, Vivian Horieti, Eliona Gjergo Tanka, Juli Rexhepaj dhe Lisandër Niko Daullja.


Kandidaturat e bëra publike nga Selaniku dhe veriu i Greqisë janë: Luan Zika, Loreta Spaho, Ana-Keti Çela Pendidhu, Anila Rezhda, Spiros Janakis, Kristina Sulillari Aleksandru. Gjithashtu pjesë e garës për zgjedhjet lokale janë edhe Kristaq Konduri, Majlinda Zhuleku dhe Kristo Shezo Bushi.

Ndërsa në ishullin e Kretës konkuron Maria Kapllani, e lindur dhe rritur në Greqi, në profesion gazetare, e cila madje ka punuar dhe në kanalin e madh televiziv “Star Channel”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë