Financa Personale

Shqiptarët ndjekin traditën, kursejnë më shumë se sa investojnë

Bankat rezultojnë më të besueshme për shqiptarët, se sa rreziku që mund të bart investimi i çfarëdo lloji.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë gjysmës së dytë të 2018-ës, kursimet e individëve rezidentë u rritën me 1.2% ose me 13 miliardë lekë.

Aktivet e individëve rezidentë në sistemin financiar

Depozitat në lekë dhe në valutë kanë zënë mbi 80% të kursimeve të përgjithshme të individëve, ndërkohë që investimet në obligacione, bono thesari dhe në fondet e investimeve zënë përkatësisht 6.9%, 5.3% dhe 5.1% të totalit të mjeteve financiare të individëve.
Gjatë periudhës, individët kanë rritur investimet e tyre në formën e depozitave (kryesisht në formën e depozitave në valutë), ndërkohë që investimet në bono thesari dhe në fonde investimi kanë rënë lehtë në terma nominalë (përkatësisht me 8% dhe 10%) dhe në peshë, ndaj strukturës së investimeve.

Kreditimi

Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018-të, kredia për individë u rrit me 1.8%. Rritja, sipas shpjegimit që jep Banka e Shqipërisë, ka ardhur si pasojë e rritjes së kredisë për individët në lekë, gjë që ka sjellë edhe rritje të peshës së kredisë në lekë në strukturën e përgjithshme të kredisë.

Cilësia e portofolit të kredisë së individëve është përmirësuar gjatë gjithë vitit 2018, dhe kontributin kryesor e ka dhënë kredia në lekë.
Gjatë periudhës, raporti i kredive me probleme ra me 1.2 pikë përqindje në nivelin 6.4%. Për portofolin në lekë, raporti i kredive me probleme ra me 1 pikë përqindje, në nivelin 5.5%, ndërsa raporti i kredive me probleme në valutë shënoi 8.8%, pa ndryshime të rëndësishme gjatë vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë