Para

Shqiptarët mbajnë 40 mld lekë borxh të qeverisë, interesi për letrat me vlerë në rënie

Nga Gazeta ‘Si’ - Më shumë se 40 mld lekë e borxhit të qeverisë mbahet nga qytetarët, me anë të letrave me vlerë. Shifrat e fundit, raportuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i referohen të gjithë vitit 2023 dhe kjo vlerë është rreth 24% më e ulët se në 2022-shin.

Edhe numri i transaksioneve raportohet më i vogël, nga 16.7 mijë në 13.7 mijë të tilla.

Sipas llojit të letrave të borxhit, shqiptarët preferojnë Bonot e Thesarit, ku kanë investuar mbi 31 mld lekë gjatë 2023-shit, kryesisht ato 12-mujore. Gjithsesi nga një vit më parë kjo vlerë ishte 25% më e lartë.

9 mld lekë u investuan në obligacione, po ashtu me rënie nga 2022-shi, me 19%.  Më të kërkuara rezultojnë ato me maturim 7-vjeçar.

Në 2023-shin u zbeh ndjeshëm interesi i investitorëve për letrat me vlerë, si pasojë e një zbutje të politikës monetare nga ana e Bankës qendrore. Yield-et e titujve iu afruan normës së interesit dhe nuk ishin më tërheqëse për investitorët. Në disa ankande, qeveria as nuk mundi të akumulonte të gjithë shumën që kërkonte.  Sipas BSH-së, vetë kërkesa e lartë e qeverisë për para, ka ulur interesin e letrave me vlerë.

Qeveria shqiptare nisi një fushatë ndërgjegjësimi vjeshtën e 2022-shir për të nxitur qytetarët të investonin në tituj, sidomos bono, pasi normat ishin tepër të larta, shumë pranë 7%. Entuziazmi nuk zgjati përgjatë 2023-shit dhe duket se nuk do të rikthehet as në 2024-n.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë