Para

Shqiptarët të pasigurt për të investuar në letra me vlerë, s’i përgjigjen kërkesës së qeverisë (arsyeja)

Nga Gazeta 'SI' - Tregu i titujve me vlerë vazhdon të mos reagojë ndaj kërkesës së lartë të qeverisë për para.

Vetëm gjatë janarit ministria e Financave ka hapur 4 ankande të Bonove të Thesarit 12-mujore, ku nuk siguroi dot asnjëherë shumën e shpallur. Në atë të një dite më parë, MF kërkoi një shumë prej 13.5 mld lekësh dhe kërkesa arriti deri në rreth 11.3 mld.

Yield-i mesatar i ponderuar shënoi sërish një rritje të lehtë në 3.62%, nga 3.6% që kishte qenë në ankandin e javës së kaluar.

Vetëm për tre muajt e parë të 2024-s, qeveria planifikon të marrë hua me anë të letrave me vlerë 144.5 mld lekë.

Gjithsesi duket se shqiptarët nuk janë të sigurt për një panoramë afatgjatë përballë zhvlerësimit të vazhdueshëm të lekut dhe lëvizjes së normave të interesit. Nga ana tjetër Bonot 6-mujore kanë pasur më shumë sukses. Shuma e shpallur ishte 1 mld lekë dhe kërkesa mbi 2 mld. Yield-i arriti në 3.28%.

Rritja dhe ulja e interesave të titujve lidhet drejtpërdrejtë me normat bankare të interesit dhe pritshmëritë e investitorëve për to. Rritja e lehtë e yield-eve tregon se tregu pret një tjetër rritjet të normës së interesit nga Banka Qendrore, siç ka njoftuar dhe vetë Guvernatori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë