Financa Personale

Shqiptarët kanë kulturë financiare të dobët

Shqipëria ka një kulturë financiare inferiore ndaj mesatares së vendeve të tjera.

Publikimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë i datës 7 qershor 2019, por që i referohet hulumtimit të 2015-ës, tregon se vendi ynë ka një indeks të përgjithshëm të kulturës financiare në vlerën 12.7 nga 21 të mundshme, ose një pikë më poshtë mesatares së vendeve të OECD-së dhe 0,6 pikë poshtë mesatares së të gjitha vendeve që kanë marrë pjesë në këtë vrojtim.

Banka e Shqipërisë shpjegon se këto diferenca vijnë kryesisht si pasojë e diferencës në njohuri, ndërkohë që niveli i indeksit të qëndrimeve financiare të vendit tonë është i njëjtë me atë të vendeve të OECD-së dhe ai i sjelljeve financiare qëndron lehtësisht pak më poshtë mesatares së indeksit të vendeve të OECD-së dhe mesatares së të gjitha vendeve.

Hulumtimi është kryer në një kampion prej 1000 personash nga BSH në bashkëpunim me INSTAT me qëllim matjen e nivelit të kulturës financiare të popullatës.
Të dhënat e raportit tregojnë se shqiptarët nuk janë shumë të përfshirë financiarisht.

Kriteri i parë i përdorur për matjen e kulturës financiare të individëve është ai i njohurive financiare, pra në përvetësimin e koncepteve bazë, si inflacioni apo norma e interesit, dhe përdorimin e aftësive llogaritëse lidhur me financat. Rezultatet e përftuara për matjen e nivelit të njohurive tregojnë se shqiptarët nuk zotërojnë njohuri mjaft të mira financiare, duke shënuar një nivel të përgjithshëm prej 64% përgjigjesh të sakta.

Njohuritë më të mira, ata i shfaqin për koncepte si interesi i huasë (84% përgjigje të sakta), marrëdhënia midis rrezikut të një investimi dhe kthimit prej tij (77% përgjigje të sakta), dhe inflacioni (75% përgjigje të sakta). Nga ana tjetër, njohuritë e tyre financiare çalojnë në koncepte si interesi i thjeshtë (48% përgjigje të sakta) dhe ai i përbërë (vetëm 28% përgjigje të sakta).

Megjithëse me një rritje prej 4% nga hulumtimi i parë i vitit 2011, vetëm 46% e të intervistuarve ka raportuar se ka zotëruar dhe përdorur një llogari rrjedhëse apo kursimi në dy vitet e fundit.

Grupet socio-demografike me njohuri më të mira financiare janë: banorët e zonave urbane; të rinjtë dhe individët me arsim të lartë; ndërkohë që nuk vihen re diferenca mes meshkujve dhe femrave.

Për të matur përbërësen e dytë dhe më të rëndësishme të kulturës financiare, sjelljen financiare, vrojtimi vjel informacion mbi sjelljen e të intervistuarve sa i takon administrimit të parave dhe buxhetimit, shlyerjes së detyrimeve në kohën e duhur dhe përcaktimit dhe ndjekjes së objektivave financiarë afatgjatë. Të dhënat tregojnë se përgjithësisht shqiptarët kanë sjellje të matur financiare. Grupet demografike me sjellje më të përshtatshme në çështjet e financave individuale dhe familjare rezultojnë të jenë femrat dhe të intervistuarit e grup-moshës 18-29 vjeç.

Të dhënat mbi qëndrimet financiare të të intervistuarve, të cilat nënkuptojnë mënyrën se si individët mendojnë mbi financat, si ndihen apo qasjen e tyre dëshmojnë se në përgjithësi, qëndrime të duhura në çështje që i përkasin parasë, mbajnë veçanërisht: (i) femrat, (ii) individët e moshës 35-59 vjeç, (iii) banorët e zonave urbane si dhe (iv) ata me nivel të lartë të ardhurash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë