Mendim

Shqipërinë e pabërë, bëje Shqipëri të bërë, bëje ose vdis…

Nga Igli Tola*-Shumë qeveri brenda Unionit Europian po bien një-nga-një si 'birilat' në lojën Bowling. Të gjitha kanë një emërues të përbashkët mes tyre, Korrupsionin.

Austria pak ditë më parë u zgjua me lajmin e dorëheqjes së kancelarit Sebastian Kurz; pas hetimit të nisur ndaj tij e qeverisë se kishin përdorur fonde publike për blerjen dhe manipulimin e mbështetjes mediatike. Hetim i cili shpjegon mjaftë mirë sesi ndodhi 'katapultimi' i tij politik në krye të PVP, e më tej si ministër i jashtër dhe kancelar; edhe pse ishte vetëm në të tridhjetat e tij.

Në Çeki, po i vjen fundi politik ANO-s dhe kryeministrit multi-milioner Andrej Babis, pasi ky i fundit u përfshi nën akuzë për tjetërsim dhe keqpërdorim të subvencioneve nga BE-ja. Dyshim që ishte ngritur prej kohësh për kompaninë e tij Agrofert nga OLAF (institucion i BE-së), por që publikimet e "Pandora Paper"s e zbardhën përfundimisht skemën që ishte përdorur për të 'gllabëruar' dhjetëra milionë euro nga paratë e taksapaguesve europian.

Ngjarje këto që kurrsesi nuk janë sporadike, pasi pritet që shumë shpejtë të pasohen nga 'rrëzimi' i qeverisë Morawiecki në Poloni, pas akuzave të rënda për korrupsion dhe kapje të pushtetit gjyqësor; i Orbanit në Hungari etj.

Dr (c). Igli Tola Pedagog, ekspert ekonomie

Njihet që korrupsioni është fenomen gobal, i vjetër sa vetë njerëzimi; që duke punuar ashtu heshtur e tinëz, ia del të 'gërryejë' strukturën dhe themelet e shtetit. Nësoj siç bëri edhe me një nga Perandoritë më të mëdha, atë Romake.  Ia del të minojë institucionet demokratike dhe vlerat morale të shoqërisë, të ngadalësojë zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin social të vendit.

Andaj kjo që po ndodh sot mes vendeve anëtare te BE-së, mundet që shumë kollaj të 'kapërcejë' kufijtë politikë të Unionit dhe të përfshijë skemën politike të Rajonit tonë. Që Ballkani ka probleme madhore me korrupsionin, kapjen e shtetit etj ky është fakt; mjafton t’u hedhim një sy raporteve të gjithë instancave dhe organizatave ndërkombëtare. Për shembull, Transparancy International në raportin vjetor për perceptimin ndaj korrupsionit për vitin 2020, e rendiste të 104-tën Shqipërinë, mes 180 shteteve të analizuara. Ndër vendet me vlerësimin më negativ, por edhe fqinjët tanë ishin në po të njëjtat nivele.

Korrupsioni ndërlidhet me pushtetin, pra duhet të jesh aty ku realisht pozicioni ose lidhjet që ke të bëjnë të kesh fuqi që të marrësh (influencosh) vendime, ndaj të cilave dikush mund të ketë interes të korruptojë. Së pari, duke nisur nga prokurimet publike, lejet e ndërtimit apo shfrytëzimit të pasurive publike, pushteti gjyqësor etj. Mos të neglizhojmë edhe aspektin e punësimit në administratë. Në vendet tona, qeveria është punëdhënësi më i madh dhe që punësohesh duhet të ketë shpesh 'trafik influencash'

'Këmbanat po bien' dhe duket se edhe popujt tanë do të ndërgjegjësohen për të mos qenë kaq 'tolerantë' ndaj korrupsionit. Atëherë politikanët dhe drejtuesit publik do të kuptojnë politikanin dhe filozofin Ukshin Hotin, që thoshte: “Shqipërinë e pabërë, bëje Shqipëri të bërë, bëje ose vdis…!” Nuk do të mund të fshihen lehtë 'pas gishtit', pushteti ta përdorin për të mundësuar zbatimin e politikave dhe strategjive të premtuara dhe jo si 'shkop magjik' për të grumbulluar rreth vetes dhe të ngjashmëve të tij kapital faraonik. Pasi përndryshe, 'vdekjen' (fundin) politik do ta kenë shumë afër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë