Analize

“Shqipëria, viktimë e gabimeve të saj diplomatike”

Diplomatët Ksenofon Krisafi dhe Agim Nesho komentojnë për Gazeta "Si" kërkesën e Presidentit Trump për Ramën, zhvendosjen e Ambasadës në Jeruzalem dhe daljen nga nisma e Kinës 17+1
SHBAKIne

Shqipëria mbetet një aleate besnike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ajo nuk është as e vetmja mes vendeve aleate që nuk kanë ndjekur Uashingtonin në njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit dhe të zhvendosin ambasadat e tyre në këtë qytet. Shqipëria sërish nuk është as e vetmja dhe as më e rëndësishmja aleate e SHBA pjesë e nismës së Kinës “17+1”.

Por, përse Donald Trump i kërkon kaq hapur dhe drejtpërdrejt Shqipërisë që të njohë Jeruzalemin dhe të dalë nga nisma kineze “17+1”? Gazeta “Si” mori mendimet e diplomatëve të sprovuar, Agim Nesho dhe Ksenofon Krisafi.

Nesho rendit dy arsye.

“Së pari, politika e jashtme e Qeverisë “Rama” e ka kthyer vendin në një vend klientelist, ku qëndrimet e saj variojnë nga interesat personale të Kryeministrit dhe të Qeverisë, që një herë mban një qëndrim dhe herën tjetër qëndrim të kundërt, për të ruajtur pushtetin e saj të korruptuar dhe si rrjedhojë për të mbrojtur atë shkatërrimin e shtetit ligjor në Shqipëri”, thotë Nesho.

Arsyen e dytë, ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, e lidh me dobësitë e Qeverisë shqiptare, që sipas tij, në prag të zgjedhjeve të reja, e bëjnë më vulnerabël për t’u përdorur për politika të Uashingtonit, që Nesho i vlerëson si të avancuara.

“Së dyti, figura e qeverisë së zotit Rama, tashmë e diskredituar në fund të mandatit të dytë, vulnerabël dhe që ka shkatërruar balancat e ekuilibrit të pushtetit të brendshëm, duke krijuar një krizë të thellë institucionale për të mbajtur regjimin e tij. Duke i njohur këto dobësi dhe vulnerabilitetin e saj ndaj ndërkombëtarëve, dihet që është më e lehtë që të përdoret për disa politika të avancuara, sidomos nga administrata amerikane, që kërkojnë një fitore diplomatike para zgjedhjeve të 3 nëntorit. Gjithmonë kjo politikë bosh do të krijojë probleme, sidomos me BE, ku kërkohet që të ketë një përafrim të politikave të jashtme para se vende të aderojnë në BE. Do të krijojë kontradikta, do të krijojë probleme për Shqipërinë, jo vetëm me BE, por edhe me vende të tjera të interesuara, që njëherë mbajnë një qëndrim dhe herën tjetër qëndrim ndryshe”, deklaron ish-ambasadori.

Agim Nesho

Nesho thotë se letra nuk mund të nënvlerësohet, sepse ajo vjen nga udhëheqësi i shtetit më demokratik dhe më të fuqishëm në botë, në një kohë ku kompeticioni i fuqive të mëdha është bërë shumë më tepër i dukshëm. Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB shprehet se SHBA po përpiqet të kufizojë interesat kineze në Europë, ndërsa Jeruzalemi kryeqytet është pjesë e planit të administratës “Trump” për paqen në Lindjen e Mesme.

Ambasadori kujton gjithashtu se Shqipëria ka mbajtur qëndrime të kundërta me Uashingtonin, si kur u bë pjesë e nismës së Kinës “17+1”, ashtu edhe tek vota kundër Jeruzalemit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa shton se sot, politika e jashtme është personalizuar nga Kryeministri.

“Politika e jashtme e Shqipërisë, e cila është personalizuar nga Kryeministri Edi Rama, ka pasur qëndrime të kundërta me administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dyja çështjet. Së pari, me nismën e saj është bërë pjesë e grupit “17+1” dhe delegacione të nivelit të lartë gjithmonë kanë biseduar për projekte me administratën kineze. Ndërsa për nismën e Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, Shqipëria në OKB ka votuar kundër duke bashkuar votën e saj me atë të Turqisë dhe vendeve të tjera islamike”, shprehet Nesho.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Ksenofon Krisafi, duke njohur të drejtën e SHBA për t’i kërkuar Shqipërisë të transferojë ambasadën në Jeruzalem, kujton se ajo është bërë në kuadrin dypalësh dhe jo në emër të OKB, ku Shqipëria votoi njëherë kundër.

“Është e drejta e tij që të bëjë çdo propozim që e gjykon me vend dhe në interes të programit të vet politik. Por, Shqipëria në këtë rast ndodhet në pozitë të vështirë, sepse kur kjo çështje u shtrua në OKB, ajo votoi kundër”, shpjegon Krisafi.

Ksenofon Krisafi

Në vijim, ai vë theksin tek pesha e kësaj vote në OKB dhe kërkon që çdo qëndrim kundër do të duhej të ishte më përfshirës dhe jo vetëm ekskluzivitet i Qeverisë.

“Nuk e thashë rastësisht fjalën Shqipëria, sepse në OKB, ku është bërë votimi përfaqësohen shtetet dhe jo qeveritë. Për rrjedhojë vendimin për ta ndryshuar tashmë pozicionin nga ai i mëparshmi, nuk e merr dot vetëm Qeveria, por organet që kanë atributin kushtetues që të shprehen në emër të shtetit. Pra, Kryeministri nuk mund t'i thotë dot as po, dhe as jo, pa e kaluar çështjen për shqyrtim e vendimmarrje në organet që morën vendim që Shqipëria të mos votonte pro, në votimin e kryer në Asamblenë e Përgjithshme të OKB për transferimin nga Tel Avivi në Jeruzalem, të ambasadave të shteteve me të cilat Izraeli ka marrëdhënie diplomatike”, shton Krisafi, duke theksuar se respektimi i kësaj procedure është thelbësor.

Kryeministri Edi Rama e përjashtoi mundësinë që Shqipëria të transferojë ambasadën në Jeruzalem, ashtu sikundër e kërkon Donald Trump, por nëse do ta bënte këtë, Profesor Krisafi paralajmëroi pasojat.

“Nëse kërkesës së Presidentit amerikan do t'i jepej përgjigje pozitive, së pari shqiptareve iu duhej shpjeguar se përse u hoq dorë nga qëndrimi i mbajtur në OKB.Përveç sa më sipër, Shqipëria duhet të mbante parasysh edhe faktin se ndryshimi i qëndrimit të saj në këto kohë, nuk mund të mos ndikonte edhe në raportet e saj me BE-në dhe me Turqinë. Nuk besoj se do të ishte veprim me mend që ajo të shkëputej nga veprimi në të njëjtën vijë me BE-në, veçanërisht në këto kohë, kur ajo pret zhvillime inkurajuese në marrëdhëniet me Brukselin. Në këtë optikë është shumë i arsyeshëm, i mirëpritur dhe në dobi të vendit, njoftimi i ardhur nga goja e Kryeministrit Rama për këtë çështje. ”, mbyll deklaratën e tij për gazetën “Si”, profesori Ksenofon Krisafi. Përgatitën: S.Balliu/ M.Kasa


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë