Analize

Përse Trump i kërkoi Shqipërisë distancimin nga Kina dhe daljen nga 17+1?

Në një letër që i ngjante një ultimatumi të prerë, presidenti amerikan Donald Trump e përfshiu Shqipërinë në luftën tregtare me Kinën, duke i kërkuar dilte nga Samiti 17 plus 1.

Edhe pse kreu i Shtëpisë së Bardhë u ka shkruar vazhdimisht vendeve të Europës Juglindore, duke i kërkuar të mos bashkëpunojnë më Huawein për teknologjinë 5G, gjë që ia kërkonte edhe Shqipërisë, letra e së enjtes bëri publike kërkesën e parë të SHBA-ve për braktisjen e kësaj iniciative nga aleatët europianë. Tirana zyrtare e ka bërë prej kohësh publike qëndrimin në lidhje me 5 G-në, madje Rama e përforcoi edhe këtë të premte gjatë mbledhjes së përbashkët me qeverinë e Kosovës.

“Mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë”, thuhet në letrën e presidentit amerikan. “Jam gjithashtu i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve – një alternativë transparente, e bazuar në treg dhe e drejtë, e formatit Kina 17 + 1 prej të cilit unë ju nxis të dilni”, vijon letra.

Çfarë është formati i Kinës 17+1?

Ky samit, i cili është padyshim iniciativa më e madhe diplomatike e Kinës në Europë, bën bashkë 17 vende të Europës Lindore dhe Qendrorë në një takim disa-ditor më udhëheqës dhe investitorë kinëzë.

Formati u themelua në 2012 në Budapest dhe përfshin Shqipërinë, Bosnjen dhe Hercegovina, Bullgarinë, Kroacinë, Republikën Çeke, Estoninë, Greqinë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Poloninë, Rumaninë, Serbinë, Sllovakinë dhe Slloveninë.

Por përse kërkon Trump largimin e Shqipërisë nga kjo iniciativë dhe a jua ka kërkuar edhe vendeve të tjera pjesëmarrëse?

Fptoja e udhëheqësve anëtare të nismës 17 plus 1, me kryeministrin kinez, Gazeta Si, 2020

Ajo që ka alarmuar prej kohësh ekspertët është se Kina e përdor këtë nismë për të përfshirë vendet pjesëmarrëse në atë që po cilësohet investimi më i madh i shekullit, projekti “Një Rrip, një Rrugë”. Projekti është një strategji gjigante e Kinës, për të lidhur pothuajse të gjitha shtetet euroaziatike dhe europiane me Pekinin. E shpallur fillimisht në vitin 2013, iniciativa është një projekt infrastrukturor që do të ndryshojë të gjithë Euroazinë dhe periferinë e saj detare. Fotografitë e projektit janë të paqarta, por shifrat e financimit të deklaruara nga burimet zyrtare kineze arrijnë deri në 1 trilionë dollarë.

Me nisjen e iniciativës “Një Rrip, Një Rrugë”,  e cilësuar ndryshe si rruga e re e mëndafshit, Kina është bërë një lojtar i fuqishëm në Ballkan. Në vitin 2014, Kina caktoi një fond investimesh prej 3 miliardë dollarësh veçmas për rajonin e Ballkanit. Ndërkohë që po bëhet gati të ndërtojë këtë rrjet të madh infrastrukturor përmes Euroazisë, vendet e Ballkanit kanë një pasuri të vlefshme për t’i ofruar Kinës: gjeografinë e tyre. Kina e sheh Ballkanin si një port të çmuar midis Mesdheut dhe Europës Qendrore dhe si një urë gjeopolitike midis botës perëndimore dhe Euroazisë.  Është pikërisht kjo qasje ajo ka të ngjarë ta vendosë rajonin në qendër të luftës tregtare SHBA-Kinë.

Përfundimi i këtij projekti do ta kthente Kinën në kryeqytetin e ri ekonomik të botës, pasi të gjitha rrugët tregtare do të çonin në Pekin. E alarmuar nga një skenar i tillë, administrata Trump ka vendosur të shkëpusë zinxhirët e bashkëpunimit, duke nisur me Shqipërinë.

Që nga viti 2012, falë iniciativës 17 plus 1, Kina ka shtrirë ndikimin e saj në të gjithë Europën Juglindore dhe Ballkan, duke kapur sektorët  strategjikë të vendeve anëtare. Deri më tani, pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë samit ka qene më shumë formale, pasi siç thonë edhe ekspertët, vendi ynë duket se i ka rezistuar zgjerimit ekonomik kinez më mirë se vende të tilla si Serbia apo Bosnja. Por siç sinjalizon edhe Trump në letrën e tij, kjo mund të jetë thjesht çështje kohe.

Sherefedin Sehu, Gazeta Si, 2020

Shqipëria është një pjesë e rëndësishme e Ballkanit Perëndimor për Kinën, kryesisht falë vendndodhjes së saj në bregdetin e Adriatikut, një pozicion kyç në “Rrugën e re të Mëndafshit”. Gjatë një takimi me Kryeministrin Edi Rama, në Bullgari, ku dy liderët ndodheshin për të marrë pjesë në samitin 17 plus 1 kryeministri kinez, Li Keqiang u shpreh se Kina është e gatshme të punojë me Shqipërinë për të përshpejtuar zbatimet e strategjive të zhvillimit rural në vendin tonë dhe për t’i çuar marrëdhëniet e ndërsjella në një nivel të ri.

Ish-Zëvendës Ministri i Financave në kohën e Partisë Demokratike Sherefedin Shehu në një komunikim me gazetën “Si”, shprehet entuziast për kërkesën e Donald Trump për daljen nga marrëveshja me Kinën 17+1.

Sipas Sherefedin Shehut e ardhmja e investimeve shqiptare duhet të jetë perëndimore.

“Kam qenë në parlament kur kam kundërshtuar investimet e mëdha kineze. Në 2013-ën vërshuan investimet kineze dhe ruse. Nuk kam qenë dakort, i kam kundërshtuar me forcë në parlament. Kërkesa e presidentit Trump më pëlqen dhe nuk duhet të mbetet sipas meje në formën e një letre, por duhet të ushtrojë presion. Nga ana formale mendoj se prek të gjithë investimet kineze, por nga ana strategjike lajmi është shumë i  mirë sepse investimet në Shqipëri duhet të shohin nga Perëndimi, jo nga Kina dhe Rusia”- thotë eksperti i fushës së ekonomisë Sherefedin Shehu.

Çfarë i ka sjellë nisma “17 plus 1” Shqipërisë?

Harta e nismës "Nja rrip një Rrugë", Gazeta Si, 2020

Pas një pauze prej më shumë se 30 vjetësh, kthimi i Kinës në Shqipëri u motivua kryesisht nga investimet në sektorët e transportit dhe energjisë.

Në vitin 2014, "Jiangxi Copper", prodhuesi më i madh i bakrit në Kinë, bleu një 50 për qind të aksioneve të një kompanie turke që operonte minierat e bakrit në Shqipëri për 62.4 milion dollarë. Në mars të vitit 2016, “Canada’s Banker's Petroleum” ia shiti të drejtat e saj të kërkimit dhe shpimit në fushat e naftës në Patos-Marinze dhe Kucovë filialit kinez Geo-Jade Petroleum për një çmim prej 384.6 milion euro. Këto investime fillestare kineze në sektorin e energjisë shqiptare mund të shihen si investime të ankoruara. Ata shërbyen si katalizator për aktivitetet vijuese nga kompanitë kineze në sektorë të tjerë.

Në tetor 2016, “China Everbright dhe “Friedmann Pacific Asset Management Ltd”. (të dyja me seli në Hong Kong) fituan 100 për qind të aksioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA).  Shqipëria po punon po ashtu për hapjen e eksporteve të produkteve bujqësore më Kinën.

Këto investime në sektorë strategjikë nxjerrin në pah rritjen e bashkëpunimit ekonomik kinezo-shqiptar.  Në vitet 1960 dhe 1970, Kina u përpoq të mbështeste një ekonomi të tërë në Shqipëri. Sot, kompanitë kineze përqendrohen në sektorë të zgjedhur si energjia dhe infrastruktura e transportit ose identifikojnë projekte transporti me potencial siç është Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.  E njëjta strategji po përdoret në fakt  në të gjitha vendet pjesëmarrëse të nismës 17 plus 1.

Ndikimi në Ballkan

Që nga takimi i parë formal në Varshavë në vitin 2012, dyshimet rreth natyrës dhe qëllimit të platformës “17 plus 1” kanë shkaktuar kritika të vazhdueshme nga komentatorët politikë.

Kina është duke u përfshirë fuqishëm në rajon përmes ofrimit të kredive të buta, ose investimeve jo transparente është kthyer tashmë në një polikë strategjike për qeverinë kineze, duke krijuar atë që ekspert perëndimorë e quajnë “diplomacia e borxheve”.

Mali i Zi është ai që kryeson me përqindjen më të lartë të borxhit të jashtë ndaj Kinës, i cili përbën plot 39 për qind të borxhit të jashtëm në total. Të njëjtin nivel borxhi ka edhe Serbia.

Marrja e një kredie prej 809 milionë eurosh për të ndërtuar një autostradë nga Podgorica në Serbi e ka çuar nivelin e borxhit të Malit të Zi në 80 për qind të PBB-së së saj, duke ngritur shqetësimet se Kina është duke “nënshtruar” vendin fqinj. 

Presidenti Aleksander Vucic dhe Presidenti Xi Jinping, Gazeta Si, 2020

Po ashtu prania kineze në Serbi u bë edhe më e dukshme në syte e opinionit publik gjatë pandemisë kur Pekini dërgoi në Beograd disa avionë me ndihma mjekësore. Dy vendet i dhanë një shtysë të qenësishme bashkëpunimit mes tyre vitin e kaluar me rritjen e numrit të kompanive dhe punëtorëve kineze në Serbi. Linja ajrore “Hainan Airlines” nisi fluturimet e drejtpërdrejta Beograd-Pekin dhe në shtatorin e vitit 2017 filloi ndërtimi i qendrës së parë kulturore kineze në Ballkan.

Po ashtu një vit më parë, Banka e Kinës, një nga pesë më të mëdhatë në botë, hapi degën e saj serbe më 21 janar. Përveç se do t’i shërbejë interesave të kompanive kineze dhe serbe, ajo do të veprojë si qendra kryesore e bankës për biznes me vendet e tjera të Ballkanit dhe Greqinë.

Ekspertët thonë se hapja e bankës është thjesht përpjekja e fundit e Kinës për të çuar përpara strategjinë e saj për zgjerim në tregjet globale, duke shtuar se Serbia, e cila ka ushqyer prej kohësh marrëdhënie të mira me Kinën, është një partner i rëndësishëm për Pekinin.

Ndërsa tregu i Serbisë në vetvete është i vogël, marrëveshjet e ndryshme tregtare të Serbisë me Rusinë, BE-në dhe Turqinë formojnë një bazë solide që kompanitë kineze të ndërhyjnë dhe të përfitojnë për vete dhe për Serbinë.

“Kina ka zgjedhur Serbinë si një nga vendet nga ku do të ketë akses në tregun e BE-së. Megjithëse Serbia nuk është një vend anëtar, ka marrëveshje tregtare me Runë dhe Turqinë, që i kanë dhënë avantazh krahasuar me vende të tjera në rajon,” thotë analisti serb Aleksandër Saviç.

Gjatë vizitës së tij tre-ditore në Serbi në qershor 2016, presidenti kinez Xi Jinping theksoi rëndësinë e Serbisë për planin “Rruga e Re e Mëndafshit”. Gjatë vizitës Kina dhe Serbia nënshkruan 22 marrëveshje bashkëpunimi, përfshirë një deklaratë të përbashkët për një partneritet strategjik nënshkruar nga Xi dhe homologu i tij serb, Tomislav Nikoliç. Po ashtu Serbia dhe Kina nënshkruan një marrëveshje për heqjen e përbashkët të vizave në nëntor 2016.

Kina ka investuar shumë edhe në Greqi gjatë krizës dhjetëvjeçare ekonomike të vendit fqinj, i cili iu bashkua në vitin 2016 këtij formati. Në vitin 2016, “Cosco”, kompania shtetërore e transportit detar të Kinës, siguroi shumicën e aksioneve në portin më të madh të Greqisë, duke e bërë Pireun “kokën e dragoit” të projektit të saj të infrastrukturës globale të njohur si Nisma “Një Rrip, Një Rrugë”. Gjatë të njëjtit vit, kompania “China State Grid” mori 24% të aksioneve në rrjetin grek të energjisë.

Një vit më vonë, qeveria e mëparshme e Greqisë vuri veton ndaj rezolute të BE-së që e dënonte Kinën për shkeljen e të drejtave të njeriut. “Cosco” e përdor tashmë Pireun, portin e dytë më të madh në Mesdhe pas Valencias, si një qendër për anijet me kontejnerë aziatikë që udhëtojnë përmes Kanalit të Suezit për në Europë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë