Politike

Letra, Trump i kërkon Shqipërisë të shkëputet nga Kina dhe Ambasadën në Jeruzalem

Kryeministri Edi Rama publikoi një letër që thotë se e ka marrë mbrëmjen e së enjtes nga Presidenti i SHBA, ku ky i fundit e falenderon për rreshtimin e Shqipërisë kundër teknologjisë 5G kineze, i kërkon të dalë nga nisma 17+1 e Pekinit dhe zhvendosjen e Ambasadës në Jeruzalem.

"Mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë", thuhet në letër.

SHBA synon që të nënshkruajë një memorandum mirëkuptimi me Shqipërinë për këtë çështje dhe i kërkon vendit tonë që të dalë nga nisma "17+1" e Kinës, një paketë financiare, ekonomike dhe investimesh kineze me vendet e Europës Lindore dhe Ballkanit.

"Jam gjithashtu i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve - një alternativë transparente, e bazuar në treg dhe e drejtë, e formatit Kina 17 + 1 prej të cilit unë ju nxis të dilni", vijon letra.

Trump vlerëson mbështetjen dhe qëndrimin e Shqipërisë në dialogun Kosovë-Serbi dhe i kërkon Shqipërisë që të zhvendosë Ambasadën në Jeruzalem.

"Ju inkurajoj që t'u bashkoheni Shteteve të Bashkuara dhe të tjera kombeve evropiane në zhvendosjen e ambasadës suaj në Jeruzalem", thuhet në letër.

Ambasadorja Yuri Kim: Presidenti e falënderoi për refuzimin e praktikave abuzuese të Kinës

Për letrën e presidentit Trump dërguar kryeministrit Rama ka reaguar edhe ambasadorja Yuri Kim.

Përmes një postimi në “Twitter”, Ambasadorja Kim shkruan se letrën e Trump ia ka dorëzuar vetë ajo Ramës, në të cilën Presidenti i SHBA i kërkonte kryeministrit shqiptar të bashkohej me Amerikën për zhvendosjen e ambasadës shqiptare në Jerusalem.

Kim në postimin e saj e vë theksin tek refuzimi i praktikave të Kinës, që SHBA i quan abuzive.

Po ashtu, ambasadorja vlerëson mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë normalizimit të marrëdhënieve ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës.

“Pata nderin t’i dorëzoja kryeministrit Edi Rama një letër të Presidentit të SHBA, Donald Trump, që e falënderonte për udhëheqjen në Ballkan dhe Evropë, refuzimin e praktikave abuzive të Kinës dhe mbështetjen e normalizimit ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe marrëveshjen e Abrahamit. Krah për krah”, shkruan ambasadorja.

https://twitter.com/USAmbAlbania/status/1311937636643352577

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë