Shendet

Shqipëria në kulmin e sezonit alergjik, ka nisur më herët dhe është më agresiv

Nga Gazeta Si- Sezoni i poleneve ka nisur më herët dhe me intensitet më të lartë këtë vit në Shqipëri, duke sjellë një rritje të ndjeshme të rasteve me alergji dhe komplikacione respiratore.

Sipas Prof. Mehmet Hoxha, alergolog në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, situata është më e rënduar krahasuar me vitet e kaluara.

“Jemi në sezonin e madh polenik, ku barishtet e këqija kanë sezonin e tyre të polenizimit. Ndryshe nga vitet e tjera, polinoza këtë vit është shumë më agresive. Ka filluar më herët, që në javën e dytë e të tretë të marsit dhe nuk përqendrohet vetëm në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, por ka prekje edhe të astmës bronkiale,” thotë Hoxha.

Ai thekson se përveç simptomave klasike si teshtimat, lotimi dhe kruarja e syve, bllokimi i hundëve dhe kolla e thatë, këtë vit po shfaqen edhe simptoma më të rënda.

“Kemi raste me fishkëllimë në gjoks, dispne (marrje fryme), shtrëngim në kraharor dhe kollë mbytëse, në një nivel që pacientët mezi përballojnë aktivitetet e përditshme dhe kanë vështirësi edhe gjatë gjumit,” shton ai.

Sipas tij, situata është reflektuar edhe në rritjen e shtrimeve në spital, ku ka pasur pacientë të rinj të shtruar me status asmatik.

“Ndryshe nga herët e tjera, kur këto raste qetësoheshin shpejt, këtë vit pacientët qëndrojnë disa ditë në spital për të kaluar gjendjen,” thotë alergologu.

Hoxha nënvizon rëndësinë e diagnostikimit të saktë për trajtimin e duhur të alergjive.

“Është e domosdoshme një diagnozë e saktë, që realizohet përmes provave në lëkurë dhe testeve të alergjisë molekulare. Vetëm pasi të identifikohet shkaktari real, mund të vendosim për imunoterapinë, e cila është një terapi shpëtuese,” shpjegon ai.

Në fund, mjeku paralajmëron qytetarët të shmangin vetëmjekimin që duket si një zgjidhje e shpejtë, por nuk e menaxhon sëmundjen në afatgjatë.

“Kjo mund të kthehet në një sëmundje kronike ku do të kesh nevojë të mjekohesh gjithë jetën”, përfundon Hoxha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë