Mendim

Shqipëria në Këshillin e Sigurimit, mundësi e jashtëzakonshme edhe për Kosovën

Këtë fundjavë Shqipëria mund të shënojë një prej arritjeve më të mëdha në diplomacinë ndërkombëtare: të bëhet anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, pritet të votojë për pesë shtetet e reja të cilat do të jene anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023.

Votimi do të mbahet më 11 qershor dhe Shqipëria është kandidatura për të përfaqësuar Europën Juglindore në këtë institucion kaq të rëndësishme për politikën dhe sigurinë globale. Duke qenë kandidaturë e vetme Shqipëria ecën e sigurt drejt zgjedhjes dhe marrjes së konfirmimit, kur i duhen 2/3 e votave të vendeve anëtare.

Ambicien për të qenë pjesë e Këshillit të Sigurimit Shqipëria e ka shfaqur që në shtator të vitit 2018, me kryeministrin Edi Rama që deklaronte në atë kohë së pas marrjes së Presidencës së OSBE-së, kjo do të ishte një arritje edhe më e madhe për vendin tonë të vogël. Nëse konfirmohet më 11 qershor, Shqipëria e merr mandatin në janar të vitit 2022 dhe do të përfaqësojë në fakt jo vetëm vendin tonë, por edhe Kosovën, e cila duke qënë se nuk është anëtarë e OKB-së, e ka të pamundur të këtë një zë në Këshillin e Sigurimit, edhe pse ky i fundit me nismën e Rusisë ose Kinës, mban shpesh herë diskutime në lidhje me Prishtinën.

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve. Vendimet e këtij organi quhen rezoluta dhe janë të obligueshme, ashtu si rezoluta 12/44 për Kosovën.

Ka dy lloje shtetesh në Këshillin e Sigurimit: 5 shtete anëtare të përhershme dhe 10 shtete të zgjedhura. ShBA, Franca, Britania e Madhe, Kina dhe Rusia janë shtetet anëtare të përhershme.  10 shtetet e zgjedhura kanë ulëse në Këshill për një mandat 2-vjeçar. Një nga këto 10 shtete duhet të jetë nga Europa Lindore.

Besiana Kadare

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka e vlerëson si një moment të  jashtëzakonshëm për Shqipërinë, mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke deklaruar të martën pas një takimi me kreun e kësaj organizate, Antonio Guterrez, se me të gjitha gjasat Shqipëria pritet të zgjidhet anëtare jo e përhershme e Këshillit.

“Ky është një moment i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Në 65 vite të anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara, Shqipëria nuk e ka pasur asnjëherë mundësinë për të qenë një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë të OKB-së që është në fakt forumi më i lartë apo tryeza më e lartë vendimmarrëse e Kombeve të Bashkuara. Është një mundësi e jashtëzakonshme për politikën tonë të jashtme, për diplomacinë tonë, për maturinë e diplomacisë sonë”, tha ajo gjatë një interviste televizive.

Ajo ka theksuar ndër të tjera në mënyrë të vazhdueshme se zgjedhja e Shqipërisë si anëtare e përkohshme, është një mundësi e mirë që edhe Kosova të risillet në vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar. Raportimi në Këshillin e Sigurimit është një procedurë që përfshin aktualisht edhe Kosovën që nga rezoluta 1344 e pas krizës me Serbinë dhe mbrojtjes që mori nga NATO. Ekspertët shpresojnë se ndër të tjerat, Shqipëria pritet të lobojë edhe për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, duke u nisur edhe nga faki se ambasadorja e Shqipërisë në këtë organizatë, Besiana Kadare, ka kërkuar vazhdimisht dhe po lobon së paku në përfshirjen e Kosovës në raportin e OKB për dhunën seksuale gjatë luftës

Në një mbledhje të fundit në prill, Flamuri i Kosovës është bërë shkaktar i ndërprerjes së takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Përfaqësuesi i Rusisë, Dimitri Polyanski, kërkoi nga udhëheqësi i seancës që përfaqësuesja e Kosovës, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla të heqë flamurin e Kosovës që ndodhej pas saj.

Në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Xhaçka paraqiti prioritetet e Shqipërisë në tryezën më të lartë vendim-marrëse politike në botë, duke përmendur mes të tjerash edhe Kosovën.

“Kosova patjetër që është çështje e interesit tonë kombëtar dhe patjetër që do të kemi një mundësi shumë të mirë përmes të qenurit në Këshillin e sigurimit për ta risjellë Kosovën në vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Patjetër vlen të thuhet që jemi shumë të ndërgjegjshëm për kufizimet që kemi si një vend i vogël në këtë tryezë të madhe, por kjo nuk na pengon që të bëjmë maksimumin për të avancuar ato që janë çështje të interesit kombëtar, çështjet rajonale dhe patjetër ato të paqes dhe sigurisë edhe me gjerë se sa rajoni ynë përmes prioriteteve që i kemi vendos vetes”, ka thënë ajo.

Antonia Guterrez dhe Olta Xhaçka

Ajo theksoi se, “ky nuk është një vendim që në fakt vjen nga të tjerët, është një lobim i gjatë serioz dhe i qëndrueshëm i Shqipërisë por edhe i të gjithave le të themi, veprimtarisë së strukturave të politike sonë të jashtme, të shërbimit tonë diplomatik, për ta pasur këtë mundësi”.

 “Prioritetet që ne kemi janë pa diskutim  edhe respektimi i të Drejtave të Njeriut dhe Ligjit Ndërkombëtar si një parakusht për paqen, sigurinë, të drejtat e grave, respektimi i të drejtave të grave dhe këtu ne jemi një histori suksesi me një përfaqësim vërtet dinjitoz të grave në administratën publike, në role ekzekutive, në  shoqërinë civile në përgjithësi dhe patjetër që respektimi i të drejtave të grave është një kusht  për paqen edhe sigurinë”- tha Xhaçka, ndërsa theksoi se “takimet do të kenë në thelb prezantimin e prioriteteve të Shqipërisë dhe arsyet pse Shqipëria duhet votuar fuqimisht në këtë mundësi të jashtëzakonshme”, theksoi ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë