Para

Shqipëria merr 15 mln euro borxh për kitet anti-Covid, ambulanca, veshje mbrojtëse të mjekëve

Qeveria do të marrë 15 milionë euro borxh tek Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim me një afat maturimi 12-vjeçar. Paratë do të përdoren për të fuqizuar sistemin shëndetësor në përballimin e pandemisë së shkaktuar nga Covid dhe financimin e masave të tjera kundër përhapjes së infeksionit.

Marrëveshja është depozituar në Kuvend dhe pritet që të kalojë për miratim në seancën plenare të ditës së enjte.

Në relacionin shoqërues të saj, këto para do të përdoren për përmirësimin e kapaciteve dhe infrastrukturës së Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për rritjen e numrit të shtretërve në reanimacion dhe instalimi i pajisjeve shëndetësore të nevojshme, e deri tek blerja e kiteve diagnostikuese për koronavirusin, që shërbejnë për testimet.

E njëjta shumë do të përdoret për sigurimin në shkallë të gjerë të pajisjeve mbrojtëse personale për punonjësit e sistemit të shëndetësisë, trajnimin e tyre për të identifikuar rastet e dyshuara me Covid.

Gjithashtu, në relacion thuhet se nga kjo shumë do të sigurohen fondet për blerjen e ambulancave moderne dhe tek tërheqja e mjekëve dhe e profesionistëve të kualifikuar në fushën e shëndetit që ushtrojnë aktivitetin e tyre në privat, që t’i bashkohen sistemit publik të kujdesit shëndetësor.

Një pjesë më e vogël e këtij borxhi do të përdoret për fushata ndërgjegjësuese për zbatimin e masave parandaluese të përhapjes së infeksionit, përfshirë krijimin dhe shpërndarjen e materialeve në media të llojeve të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë