Sport

Bota ka një shqiptar kampion të ri në boks

Jurgen Uldedaj, boksieri lezhjan ka mposhtur mbrëmjen e të shtunës kundërshtarin argjentinas, Nikolas Alganaraz. Në përballjen e zhvilluar në parkun olimpik të Tiranës, Uldedaj e ka marrë me vendim unanim të jurisë, titullin e Kampionit të Botës në kategorinë WBO për moshën nën 24 vjeç.

Boksieri i talentuar shqiptar e nisi pak keq këtë sfidë, duke u vënë në vështirësi nga kundërshtari i tij argjentinas, që shfrytëzoi në maksimum teknikën dhe eksperiencën. Por në raundin e tretë Jurgen Uldedaj do e merrte vetën, madje duke e çuar boksierin argjentinas pranë një “knock down”. Edhe në raundin e katërt boksieri i ri nga Lezha do të ishte imponues ndaj rivalit Alganaraz ndërsa në setet 5 dhe 6 do të humbiste disi terren. Por kaq ishte ajo që mund të bënte boksieri nga Argjentina, pasi sportisti shqiptar u imponua dhe i fitoi të tre raundet e fundit dhe më pas krejt ndeshjen me vendim unanim të jurisë.

Vendimi i të tre gjyqtarëve të ndeshjes ishte 98-91 në favor të Jurgen Uldedajt, që pasi vari gjerdanin në brez shpërtheu në lot. Emocionet e mëdha të djaloshit nga Lezha u shtuan edhe më shumë pas thirrjeve të pallatit të sportit, “Feti Borova” në kryeqytet. Pas ndeshjes, duke folur për RTSH, Uljdedaj nuk i ka fshehur emocionet e tij dhe i ka falënderuar të gjitha ata që e kanë mbështetur në këto ditë.

“Ky është thjesht një motivim i vogël, për t’u shpallur kampion bote kur të rritem, në këtë federatë. Kundërshtari nuk kishte ardhur kot, edhe ai luftoi, por sonte fitoi më i miri. Përderisa kam marrë iniciativën për të hipur në këtë ring, nuk kam frikë. Kam qenë i sigurt për fitoren. Titullin ia dedikoj dy personave shumë të rëndësishëm, babait dhe xhaxhait tim.”- tha Jurgen Uldedaj.
Kjo ishte fitorja e 10-të për Jurgen Uldedajn nga 10 ndeshje të zhvilluar duke mbetur i pamposhtur në peshën cruiserweight të kategorisë WBO.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë