Para

Shqipëria ende në listën gri të pastrimit të parave: S’ka rezultate konkrete

Nga Gazeta "SI" - Task Forca Europiane për Veprimin Financiar, FTAF, ka lënë përsëri Shqipërinë në listën gri të rrezikut për pastrimin e parave.

Në mbledhjen e fundit të FTAF, theksohet mungesa e rezultateve konkrete në hetimin dhe dërgimin para drejtësisë të personave të përfshirë në pastrim parash, duke e cilësuar vendin tonë me rrezik.

“Shqipëria duhet të vijojë të punojë në implementimin e planveprimit për adresimin e mangësive ku përfshihen së pari sigurimi i një kuadri ligjor për vendosjen e sanksioneve të pranueshme dhe bindëse për mosregjistrimin e të dhënave nga kompanitë dhe OJF-të dhe së dyti, rritje të numrit të procedimeve penale për pastrim parash, veçanërisht sa i përket shkeljeve të iniciuara jashtë kufijve”,-thuhet në raport.

Në listën me 23 shtete bëjnë pjesë edhe Ishujt Kajman, Burkina Faso, Gjibraltari, Barbados, Pakistani, Panamaja, Filipinet, Turqia, teksa nuk është më Malta.

Në fund të muajit maj, Moneyval, mekanizëm i BE, për luftën e parandalimit të pastrimit të parave, theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të mbetet në monitorim dhe të vëzhgohet, pasi ka ende 5 rekomandime të pa nisura fare.

Një prej faktorëve që solli përmirësimin e Shqipërisë në luftën e pastrimit të parave, vlerësuar edhe nga BE,  ishte krijimi i regjistrit të pronarëve përfitues, ndonëse nuk është vënë ende në funksion të plotë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë