Biznes

QKB thirrje bizneseve: Deklaroni pronarët ose do t’ju pezullohet aktiviteti

Nga Gazeta 'SI' - Qendra Kombëtare e Biznesit, QKB, ka rikujtuar bizneset të deklarojnë pronarët e tyre përfitues ose do t’i ndryshohet statusi nga biznes aktiv në biznes të pezulluar. Po ashtu bizneset do të përballen me gjobën e 600.000 lekëve.

“QKB-ja dhe autoriteti përgjegjës për mbajtjen e Regjistrit të Organizatave Jofitimprurëse për subjektet raportuese, nuk do të ofrojnë shërbimet ndaj jush, përveç regjistrimit të ndryshimeve të të dhënave të përfaqësuesit ligjor, si dhe do të ndryshojnë statusin për subjektet raportuese nga status “aktiv” në statusin “të pezulluar” në Regjistrin Tregtar dhe në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse deri në pagimin e gjobës dhe regjistrimin e të dhënave përkatëse për pronarët përfitues”, -thuhet në njoftim.

Ligji “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, parashikon që të gjitha subjektet raportuese të regjistruara në Republikën e Shqipërisë kanë detyrimin e regjistrimit të pronarëve përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Afati fillestar ishte data 30.6.2021, por që më pas u shty deri më 30 qershor të këtij viti për shkak të problemeve që bizneset me kapital vendas dhe të huaj kishin me procesin.

Deklarimi i pronarëve përfitues në Shqipëri është një ndër pikat që FMN dhe MoneyVal, struktura kundër pastrimit të parave të BE-së, i kushtojnë shumë rëndësi për shkak të riskut që mban mosdeklarimi i tyre.

Sipas ligjit, pronari, emri i të cilit regjistrohet në biznes 1. “Pronar përfitues”, individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit subjektin dhe/ose individi në emër të të cilit po kryhet një transaksion ose veprimtari.

Për QKB-në është hera e dytë brenda vitit, që bën një njoftim të tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë