Menaxhim

Shqipëria del nga ‘lista e zezë’ e porteve, por anijet me flamur shqiptar mbeten me rrezik

Nga Gazeta 'SI' - Shqipëria nuk është më në listën e anijeve me “flamuj të zinj” të Europës dhe vlerësohen tashmë me rrezik të ulët.

Komiteti i Memorandumit të Parisit, MoU, mekanizmi për inspektimin e anijeve në Europë, ka njoftuar se Shqipëria ka dalë nga lista e zezë e anijeve, por mbetet tek ajo gri, pasi rreziku është prezent, por i ulët. Monitorimi për këtë vlerësim është bërë për periudhën 2021-2023 dhe gjatë kësaj periudhë anijet shqiptare kanë rezultuar me flamur të gri që nënkupton siguri dhe shërbime jo fort të mira.

Duke qenë se pragu i përfshirjes në listën e zezë është vendosur në tetë ndalime, Shqipëria është zhvendosur në listën gri, shtoi MoU.

Tek anijet me flamur shqiptar janë kryer 59 inspektime dhe në 6 raste ka patur dënime.

Shqipëria renditet në vendin e 56-të për vitin 2023, nga vendi i 70-të që renditej në vitin 2021, kur vlerësohej me rrezik tepër të lartë. Vendi jonë u rikthye në listën e zezë të 2021-shit pas 11 vitesh, por rikuperoi shpejt.

Për viti 2023, në listën e bardhë janë renditur 42 vende, në listën gri 17 dhe në listën e zezë 12.

Memorandumi i Parisit është një program inspektimi për anijet e regjistruara në porte, përveç atyre që i përkasin vendit ku është porti, me qëllim ndalimin dhe marrjen e masave kundër anijeve që nuk janë në përputhje me rregullat dhe sigurinë. Inspektorëve u kërkohet të  hetojnë pajtueshmërinë me kërkesat e konventave ndërkombëtare. Aty përfshihet kontrolli i anijes dhe personelit nëse respektohen ligjet ndërkombëtare në fuqi, aftësitë e drejtuesve dhe pajisjet e anijes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë