Treg

Shqipëria blen energji me 200 euro/MWh për 2 javë konsum. Kosto e trefishuar

Shqipëria rinis blerjen energjisë elektrike me çmim të trefishuar nga periudhat e kaluara.

Gjatë muajit shtator, Furnizuesi i Tregut të Lirë ka realizuar 2 procedura blerjesh të energjisë elektrike, ku në njërën prej tyre është paguar 185.87 euro/ MWh. Në total, në 2 procedurat e blerjes së energjisë janë shpenzuar 11.79 mln euro, për sasi energjie që do të duhet të konsumohet deri në datën 19 shtator.

Në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar, çmimi është tre herë më shumë pasi në të njëjtën periudhë të një viti më parë energjia u ble me një çmim prej rreth 68 euro/MWh. Ndërkohë që, gjatë procedurave të blerjes së energjisë në muajin gusht çmimi me të cilin u sigurua energjia kapi vlerat e rreth 160 euro/ MWh, ndërsa për korrikun çmimi mesatar me të cilin u sigurua energjia ishte 106 euro/MWh. Aktiviteti i blerjes së energjisë në Shqipëri u rikthye përsëri me ardhjen e verës dhe mungesën e rreshjeve të shiut, por ndryshe nga vitet e kaluar, çmim është disa fish më i lartë.

Paralelisht, bursa e energjisë që parashikohet të sjellë çmime më të ulta nuk është ende funksionale. Aktualisht, ngritja e platformës Tenderi për ngritjen e Platformës Elektronike të Tregtimit për Tregun e Ditës në Avancë dhe atë Brenda Ditës është ende në fazë tenderimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë