Treg

OSHEE letër ERE-s: Kabinat dhe HEC-et private shkaktojnë ndërprerje dhe “shfuqizojnë” OSHEE

Në shkresën e dërguar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike tek Enti Rregullator i Energjisë, lidhur me cilësinë dhe tregtimin e energjisë problemi kryesor i të gjithë procesit të furnizimit përcaktohen kabinat private.

Këto kabina zënë pjesën më të madhe të të gjitha kabinave në total, 51% të tyre dhe operojnë në rrjetin e 6-10kë.

Sipas OSHEE-së pronarët e këtyre kabinave nuk i mirëmbajnë ato, nuk operojnë dhe i shfrytëzojnë ato duke stimuluar ndërprerje të shpeshta, avari në rrjet dhe vonesa në rikthim.

“Përdoruesit e rrjetit të lidhur ndër vite deri 2013 nuk kanë plotësuar standardet e kërkuara të OSSH në pikën e lidhjes duke operuar me pajisje të cilat për më tepër nuk i nënshtrohen asnjë remonti” thuhet në dokument “, tregohet në letrën e OSHEE-së.

Kompania sqaron se ajo nuk mund të ndërmarrë veprimtari në këto kabina pasi nuk janë në pronësi të saj.

Enti Rregullator i Energjisë miratoi vetëm pak kohë më parë kriteret e cilësisë së furnizimit duke parashtruar në të detyrat që duhet të përmbushen nga operatorët dhe kryesisht nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

OSHEE vlerëson se në zonat rurale të thella ka linja të cilat janë ndërtuar nga vetë banorët dhe janë jashtë kushteve teknike. Duke qenë pjesë integrale e rrjetit ato shpesh provokojnë ndërprerje dhe avari në rrjetin shpërndarjes.

Po kështu rritja e numrit të HEC-eve të vegjël në zonat ku konsumi është i vogël e ka kthyer rrjetin e shpërndarjes në të paaftë të përmbushë detyrimin sipas licencës për sigurimin e shpërndarjes.

Duke u ndalur tek treguesit për ndërprerjet e energjisë OSHEE nënvizon se një përllogaritje e saktë do të dilte vetëm nga një sistem “smart” (inteligjent) ndërsa aktualisht ato mbahen në Excel.

Për zona ku janë bërë investime treguesit e cilësisë sipas kompanisë janë dukshëm të mira ndërsa në zona rurale dhe ato të thella mungesa e tyre, rrjeti i amortizuar dhe lidhjet e gjata bëhen shpesh arsye për ndërprerje të shumta.

Situata e pandemisë sipas OSHEE dhe ajo e lidhur me mungesën e reshjeve që ka detyruar OSHEE të shpenzojë miliona euro në tregun e lirë për sigurimin e energjisë ka bërë që të ketë më pak mundësi për të investuar në rrjet e për rrjedhojë të ketë pak ndikim tek cilësia e furnizimit.

Së fundmi Operatori i Shpërndarjes mori 70 mln euro hua nga Banka Europiane për Zhvillim që të kalojë dëmet e pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë