Bota

Shpërthimi në Monako, shpallet në kërkim 39-vjeçarja ukrainase (e maskuar si burrë)

Gazeta Si – Është identifikuar gruaja që vendosi një bombë pranë rezidencës në Monako të oligarkut ukrainas, Vadim Ermolaev dhe familjes së tij: bëhet fjalë për 39-vjeçaren Anastasia Berezovska, shtetase ukrainase me banim në Gjermani, e cila njihet nga hetuesit “për lidhjet e saj me krimin e organizuar”, sipas gazetës franceze “Le Parisien”.

Fillimisht, ajo i kishte çuar në gjurmë të gabuara hetuesit duke përdorur një maskim për t’u paraqitur si burrë.

Hetuesit arritën të rindërtonin lëvizjet e autores pas incidentit në Principatën e Monakos. Ditën e sulmit, ajo u largua drejt Francës, kaloi kufirin italian në Ventimiglia dhe më pas udhëtoi drejtpërdrejt për në Zvicër. Më vonë, sipas një burimi gjyqësor në Monako, ajo u pikas në Gjermani.

Shpërthimi, nga i cili mbetën të plagosur oligarku ukrainas, Vadim Ermolaev, partnerja e tij dhe djali i tyre 13-vjeçar, ndodhi të hënën, më 29 qershor, rreth orës 21:00, para një ndërtese banimi në Principatë.

Një mjet shpërthyes i vendosur në një çantë shpine ose në një pako shpërtheu ndërsa familja po kalonte aty pranë.

Autoritetet e Monakos kanë nisur një hetim për tentativë vrasjeje dhe, të paktën në këtë fazë, nuk po e trajtojnë si prioritet pistën e terrorizmit.

Hetimi po kryhet në koordinim me autoritetet franceze, pasi dyshohej se autori ishte larguar drejt Beausoleil-it, që ndodhet menjëherë pas kufirit, në territorin francez.

Sipas informacioneve që kanë dalë nga hetimi, autoritetet thuhet se arritën të gjurmonin sinjalet e antenave celulare të telefonit të saj – një pajisje që shfaqej në duart e personit që vendosi eksplozivin në pamje të ndryshme.

Besohet se, në ditët para sulmit dhe pikërisht në mëngjesin kur ndërmori veprimin, gruaja ukrainase kreu disa vizita vëzhgimi jashtë shtëpisë, ku jetonin Ermolaev, partnerja e tij, Anna Nasobina dhe djali i tyre.

Lëvizjet e saj janë rindërtuar në detaje: pak para orës 21:00 të së hënës, gruaja e pikasi familjen ukrainase në zonën përreth “Place des Moulins” dhe nisi t’i ndiqte, duke u shfaqur në kamera të ndryshme sigurie.

Në një moment, ndërsa familja Ermolaev po i afrohej shtëpisë, gruaja i parakaloi dhe u ndal rreth 10 metra para tyre.

Ajo u drejtua drejt shtëpisë, u ngjit në shkallët që të çonin në hyrjen kryesore dhe e la pakon-bombë në tokë.

Pastaj, u largua shpejt nga zona, duke u ndalur vetëm për të verifikuar nëse familja po hynte në ndërtesë. Djali 13-vjeçar i Ermolaev ishte i pari që kaloi nëpër derë; ai pësoi vetëm lëndime të lehta.

Megjithatë, pikërisht kur Anna Nasobina kaloi pranë pajisjes, sulmuesi i dyshuar si grua, aktivizoi detonatorin në distancë, duke shkaktuar shpërthimin.

Deri më sot, Nasobina mbetet viktima më e plagosur rëndë; ajo i është nënshtruar amputimeve të këmbëve dhe prognoza e saj mbetet kritike.

Ermolaev, një biznesmen me origjinë nga Dnipro dhe banor i Monakos, mori shtetësinë qipriote dhe iu nënshtrua sanksioneve nga autoritetet ukrainase në vitin 2023 për shkak të lidhjeve të dyshuara ekonomike me Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Sipas raportimeve të mediave të ndryshme franceze, hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e një larjeje hesapesh që lidhet me krimin e organizuar ose me aktivitetet e biznesit të oligarkut, pa përjashtuar pista të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë