Futboll

Shpërthen Vidal: Me tradhtarët s’luftohet, shkatërrohen vetë

Te Barcelona vlonte prej kohësh çështja “Vidal” dhe shpërthimi i saj ishte vetëm çështje kohe. Arturo Vidal e ka parë shumë pak fushën këtë sezon me fanellën e Barcelonës, ka luajtur vetëm 176 minuta, më pak se dy ndeshje të plota, sepse edhe kur e ka nisur si titullar ndaj Xhironës dhe Atletiko Bilbaos, është zëvendësuar. Por kileni nuk është mësuar me stolin…

Këtë situatë nuk ishte parashikuar aspak ish-lojtari i Bajernit të Mynihut dhe reagimi i tij ka shkaktuar shumë reagime në rrjetet sociale. Pasi nuk luajti në ndeshjen e fundit ndaj Valencias, Vidalit i ka humbur durimi dhe ka publikuar një postim në Instagram, që ka bërë xhiron e botës në një kohë të shkurtër. "Me tradhtarët nuk luftohet, ata shkatërrohen vetë”, - shkruante Vidal dhe këtë tekst e shoqëronte me foton e tij në stol në stadiumin “Mestalla”. Edhe disa emoji më tej, tre grushte dhe dy mbretër. Nuk ka emra konkretë në këtë postim, por kuptohet lehtë kujt I drejtohet mesazhi i koduar.

Mesazhi i Vidalit, që më pas u fshi

Miliona ndjekës të lojtarit nga Kili e kanë lidhur këtë mesazh me trajnerin Ernesto Valverde, i cili po i jep shumë pak hapësirë “mbretit Artur”, edhe pse e kërkoi me ngulm në verë dhe për të shpenzoi 18 milionë euro. Tani që trajneri i katalanasve po kalon një moment të vështirë, pas katër ndeshjesh radhazi pa fitore, po qarkullojnë zërat për shkarkimin e mundshëm të tij. Bën përshtypje fakti se ata që i kanë bërë “like” këtij postimi janë Mark-Andre Ter Shtegen, shok skuadre te Barcelona me Vidal, si dhe Hames Rodriguez, i cili po kalon të njëjtën situate te Bajerni, ku është përdorur me “pikatore” nga trajneri Niko Kovaç dhe dëshiron të ndërrojë ambient. Mesfushori e ka fshirë postimin pas më pak se një ore, por të gjithë tani flasin për një sulm direkt të tij ndaj trajnerit Valverde. Tani mbetet të shihet, nëse Vidal do të gjejë qetësi me Kilin, që do të luajë dy miqësore me Perunë dhe Meksikën. Vidal kërkon të jetë protagonist në këto ndeshje, për t’u kthyer më pas te Barcelona. Atëherë do të kuptohet më mirë sa vlen ai për këtë skuadër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë