Mendim

Shpenzimet e ulëta për NATO-n, Trump gati të tërheqë trupat nga Gjermania

Uashingtoni duket se po planifikon zhvendosjen e trupave amerikane nga Gjermania për shkak të shpenzimeve të ulëta ushtarake të Berlinit, e cila nuk e arrin objektivin e NATO-s.

Me një total prej 35.000 trupash, Gjermania është vendi ku është vendosur baza më e madhe amerikane në Europë. Por muajt e fundit, diplomatët amerikanë kanë debatuar për transferimin e mundshëm të disa prej trupave që janë vendosur në Gjermani në Lindjen e Europës, duke e lënë Berlinin të shqetësuar për marrëdhëniet transatlantike me Uashingtonin.

"Prania e trupave amerikane në Gjermani është një interes i ndërsjellë. Unë nuk kam asnjë sinjal që Shtetet e Bashkuara besojnë ndryshe, "tha Ministri gjerman i Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer për të përditshmen gjermane “Bild”.

Në samitin e Uellsit në vitin 2014, anëtarët e NATO-s u zotuan të arrinin një objektiv prej 2% të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024. Sidoqoftë, në maj të vitit 2018, ish-ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen tregoi se Gjermania do të shpenzonte vetëm në 1.5% të PBB-së deri në vitin 2024. Pas një sërë paralajmërimesh dhe kritikash, Presidenti amerikan, Donald Trump u ka kërkuar të gjitha vendeve të NATO-s të shpenzonin më shumë për mbrojtjen ushtarake. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka theksuar ndër të tjera se Shtetet e Bashkuara po humbasin durimin dhe se gjitha vendet e NATO-s duhet të përmbushnin detyrimet si anëtare të barabarta të aleancës ushtarake. Këto paralamërime kanë shkaktuar jo pak ankth në kontinentin europian, ku shumica e vendeve anëtare, përfshirë edhe kombet më të fuqishme, nuk përmbushin objektivat e NATO-s.

Merkel viziton trupat amerikane ne Gjermani, Gazeta Si, 21 gusht 2019

Por kjo çështje duket të jetë rikthyer sërish në tryezë, pas një projekt-propozimi të fundit për buxhetin afatmesëm nga Ministria gjermane e Financave Olaf Scholz, e cila parashikon se Berlini do të shpenzojnë vetëm 1.26% të PBB-së për NATO-n.

Ky plan ka tensionuar koalicionin qeverisës në Gjermani, pasi social-demokratët nuk duan të rrisin buxhetin për ushtrinë dhe NATO-n.

"Amerikanët kanë të drejtë. Gjermania duhet të shpenzojë më shumë. Ne fakt duhet të paguajmë për të pasur një ushtri më moderne pasi kemi shpenzuar shumë pak për një kohë shumë të gjatë, " thotë Henning Riecke, një ekspert në Këshillin e Jashtëm Gjerman për Marrëdhëniet Transatlantike. Kjo çështje është kthyer në një betejë politik, pasi publiku gjerman nuk mbështet rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes kur ka ende detyra të tjera politike për të përmbushur në lidhje me arsimin ose çështjet sociale."

Edhe pse administratat e mëparshme amerikane kanë qenë gjithashtu kritike për shpenzimet e ulëta të Gjermanisë, perspektiva e zhvendosjes së trupave amerikane nga Gjermania në Poloni është bërë më realiste që nga koha kur Trump mori detyrën. Në fillim të këtij muaji, Ambasadori amerikan në Varshavë, Georgette Mosbacher, rifilloi debatin për zhvendosjen e tyre. Në përputhje me një deklaratë të nënshkruar në qershor midis Presidentëve Trump dhe Andrzej Duda, Polonia pret që Uashingtoni të rrisë praninë e saj ushtarake në vend nga 4,500 në 5,500 trupa.
Varshava ka bërë përpjekje të mëtejshme për ta lidhur veten më afër me Uashingtonin dhe për të promovuar veten si një vendndodhje alternative për vendosjen e bazave amerikane. Qeveria i ka dërguar një ftesë Trump për të marrë pjesë në 80 vjetorin e pushtimit nazist të Polonisë.

Por administrata Trump ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të dërgojë forca shtesë në Europë, por se do të transferojë trupa që tashmë janë të stacionuar në kontinent.

Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, deklaroi javën e kaluar se një skenar i tillë është tanimë më i mundur se kurrë.

“Është vërtet fyese të presësh që një taksapagues amerikan të vazhdojë të mbajë mbi 50,000 amerikanë (ushtarë dhe nëpunës civilë) në Gjermani, ndërsa Gjermania po përdor paratë për qëllimet e veta," tha Grenell në një intervistë me agjencinë gjermane të lajmeve “DPA” .

Ushtria shqiptare ne NATO, Gazeta Si,21 gusht 2019

Për Riecke, këto komente vijnë si presion që të nxisin gjermanët të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.

"Trump po përpiqej t'u sinjalizojë Europës Lindore, polakëve posaçërisht, se administrata e tij e merr seriozisht sigurinë e tyre. Por ai po u sinjalizon gjithashtu gjermanëve se nëse nuk paguani mjaftueshëm dhe nëse nuk do të zbatoni angazhimet tuaja, ne mund të shkojmë diku tjetër”, tha Riecke për EURACTIV.

Ashtu si shumë vende të tjera anëtare, as Shqipëria nuk i është afruar këtij objektivi. Për Shqipërinë, shpenzimet e parashikuara për mbrojtjen janë ulur në 0.7 për qind, në vitin 2017. Kjo e ka zbritur Tiranën zyrtare në listën e vendeve që shpenzojnë më pak për mbrojtjen, duke qenë shumë larg detyrimit të NATO-s. Në vlerë, Shqipërisë i duhet të shpenzojë mbi 100 milionë euro shtesë çdo vit. Në pamje të parë duket se në një buxhet prej më shumë se tre miliardë eurosh, kjo shtesë nuk është një sakrificë e madhe. Por, në fakt, 70 për qind e buxhetit është e paprekshme për shkak se shkon për shpenzime të domosdoshme, si rroga, pensione e kosto administrative. 100 milionëshi shtesë çdo vit, do të duhej të hiqej ose nga investimet, ose përmes borxhit nga qeveria ose rritjes së taksave. Megjithatë, në Konferencën e Komitetit të NATO-s që u mbajt në Tiranë në tetor, Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria do të rrisë kontributin e saj në radhët e Aleancës dhe do të shtojë shpenzimet ushtarake.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë