Trashëgimi

Shpatat, a prodhoheshin në Shqipëri dhe çfarë llojesh përdornin paraardhësit tanë

Në Shqipëri, shpata për shkak të historisë, të sjell menjëherë në mend Gjergj Kastriotin - Skënderbeun, por ato kanë qenë përdorur edhe në kohën e ilirëve. Ekspertët thonë se në kohët e sotme për këto elementë të kujtesës historike dhe materiale të vendit tonë ka rënë mjegulla.

Sipas arkeologëve dhe restauratorëve shpatat pasqyrojnë copëza të rëndësishme historie, për këtë arsye, Gazetasi.al ka biseduar disa prej tyre për të kuptuar se çfarë llojesh ishin shpatat që janë përdorur nga paraardhësit tanë dhe a prodhoheshin në vendin tonë dhe në cilat vende.

“Të flasësh për shpatën në Shqipëri nuk është një gjë e thjeshtë. Nuk flitet shumë për to, për arsye të vështirësive që paraqet”, thotë për Gazetasi.al restauratori Frederik Stamati.

Restauratori Frederik Stamati

Ai thotë që në vendin tonë ruhet një sasi shpatash në muzeumet ose në familje të ndryshme. Sipas tij, këto shpata të pastudiuara në përgjithësi mund të kategorizohen në dy grupe: në shpata luftarake dhe në shpata ceremoniale ose dekorative.

Çështja që ai ngre është: ‘sa janë prodhuar në Shqipëri?’

Restauratori Stamati thotë se një pjesë e shpatave në Shqipëri janë të importuara, kryesisht ato dekorative.

Që shpatat në Shqipëri janë të importuara dhe nuk janë të gjitha vendëse e pohon për Gazetasi.al edhe arkeologu Adem Bunguri.

Arkeologu Adem Bunguri

Ndërsa liston dy tipet e shpatave të bronzit të tipeve egjeane që përdoreshin gjatë periudhës së Bronzit të Vonë (1400-1100 para Kr.), ai thotë se pas arritjes në Shqipëri këto tipe shpatash, nxitën më vonë edhe prodhimin dhe shtimin e elementeve të tjera në vendin tonë.

“Kjo mund të shihet në disa detaje tipologjike lokale që u shtohen shpatave të tipit me dorezë në trajtë gjuhe (Vajza, Dukat dhe Vodhina)”, shprehet arkeologu Bunguri për Gazetasi.al.

Dy tipet e shpatave që Bunguri liston dallojnë nga doreza që janë në trajtë briri ose gjuhe.

Tipi I: Shpatat e tipit I me dorezë në trajtë briri, karakteristike për Helladikun e Vonë IIIA-B (1400-1200 BC) dhe që vazhdojnë të jenë në përdorim edhe gjatë Helladikut të Vonë C (1200-1100 BC), që I përkasin tipeve C1-D1-2 sipas klasifikimit të Sandars.

Në Shqipëri njihen 9 ekzemplarë të këtij tipi: Komsi (Burrel), Kallmet (Lezhë), Varibobë (Fier), Gërmenj (Lushnje-2 ekzemplar), Nënshat (Shkodër), Rrethe Bajze dhe Shtogj (Mat) dhe Këlcyrë (Përmet).

Tipi II: Shpatat e tipit II kanë dorezë në trajtë gjuhe, dhe njihen si shpata të tipit “Naue II” ose “Griffzungenschëerter” me origjinë nga Europa Qendrore. Në Shqipëri janë zbuluar 12 ekzemplar të këtij tipi (tuma e Dukatit (Vlorë), Gërmenji (Lushnjës), Vajza (3 exemplars), Vodhina (Gjirokastër), Mavrova, Kakavija, Pazhok (Elbasan), Barç (Korçë), Rrethe Bajza (Burrel) Rashtan (Prrenjas).

Ai thotë se tipi II i shpatave është formuar në Europën Qendrore, dhe janë përhapur në Ballkan gjatë fazës së parë të dyndjes egjeane (shek. 13-12 para Kr.) drejt Mesdheut, përfshirë edhe Shqipërinë.

Ekzemplarët më të hershëm të këtyre sëpatave në Shqipëri, datohen në shek.13-12 para Kr., ndërsa në Shqipërinë Juglindore ata nuk shfaqen para gjysmës së dytë të shek. XII para Kr.

Ndërsa restauratori Stamati thotë se edhe pse shpatat dekorative mbeten të vërtetuara që kanë ardhur nga jashtë, “nuk dihet se ku janë prodhuar”. Por në Shqipëri ato mbaheshin në vitrinat e njerëzve të pasur, duke vënë në pah edhe aftësinë e mjeshtërve të dekorimit.

“Këto lloj shpatash, (dekorative) bëjnë pjesë tek arti i aplikuar njësoj p.sh sikur mund të jetë një vazo që ka një pikturim, apo një pjatë ashtu janë përdorur edhe shpatat për të paraqitur në to aspekte historike, lutje fetare, dekoracione, dhe mbaheshin në vitrinat e njerëzve të pasur për të treguar se çfarë ishte në gjendje të bënte mjeshtri i dekorimit të shpatave”, shprehet për Gazetasi.al Stamati.

Ndërsa, shpatat luftarake sipas tij janë të prodhuara në Shqipëri.

“Shpatat luftarake me siguri janë prodhuar në Shqipëri, sepse Shqipëria mund të nxirrte rreth 200 mijë luftëtarë, dhe secili kishte nga dy shpata sepse ata dëmtoheshin, duhet të kishte dhe një rezervë. Ata janë prodhuar në disa qytete të ndryshme ku ka pasur zanatçinj për të bërë të tilla prodhime”.

Ndër vite, sipas Stamatit një treg i këtyre shpatave luftarake ka qenë Pazari i Krujës.

“Në pazar të Krujës, shiteshin shpata të tilla. Përpara ka pasur plot. Po ashtu edhe dekorativet mund t’i gjeje në Krujë”, shprehet Stamati.  

Ndërsa sa i përket prodhimit të shpatave, sipas tij ka disa vende, por asnjëra nuk jepet nga studiues të mirëfilltë.

“Ka referenca për prodhimin e tyre në Elbasan. Në Shkodër ka një të dhënë tjetër, por jo shumë të detajuar. Është botuar në një almanak të Universitetit të Shkodrës vite më parë. Thonë edhe për në Mirditë. E keqja është se nuk jepen nga studiuesit e mirëfilltë, që ta kenë ndjekur në thellësi të kohërave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë