Treg

Shoqata e fasonëve: Hetimet e SPAK, drejtësia të veprojë shpejt, sektori i tekstileve do të vuajë pasojat

Nëse nuk ka një val të re të pandemisë, fasonët pretendojnë të mbërrijnë nivelet e para krizës

Shoqata e fasonëve Pro Export Albania në një bisedë me Gazetën “Si” vlerëson drejtësinë shqiptare për nismat antikorrupsion, por kërkon prej saj të veprojë shpejt në lidhje me tenderin për uniformat e policisë.

Përndryshe, thotë shoqata, do të jetë faturë e kripur në të gjithë industrinë e cila sapo ka dalë nga kthetrat e pandemisë.

“Nëse medie të caktuara përflasin çdo ditë çmime të paqena të prodhimit dhe shitjes së uniformave të policisë dhe drejtësia vonon të japë vendimin, sektori i tekstileve dhe këpucëve do të dënohet rëndë nga tregu. Nuk kemi nevojë për prishje imazhi. Secili të bëjë punën e tij”- shpehet për Gazeta “Si” Florian Zekja nga Pro Export Albania.

Ai gjykon se duhet pritur të përfundojë procesi.

“Duhet të presim zhvillimet dhe të shpresojmë që drejtësia të veprojë sa më shpejt që të zbardhet çdo parregullsi që mund të ketë pasur në këtë kontratë. Ne jemi shumë të interesuar që më në fund fillojnë të vendosen rregullat e drejta të konkurimit. Normalisht jemi të interesuar që fituesit e këtyre kontratave të jenë prodhues serioz shqiptarë. E vetmja gjë që desha të vë në dukje është se kontributi i z. Ismail Kadiu ( anëtar i PEA) në biznesin e tekstileve është jashtëzakonisht pozitiv. Kjo ilustrohet me ndërmjetësimin për sjelljen në Shqipëri nga ana e tij të dy gjigandëve italiane  si ALFREDO GRASSI dhe LOWERS në fushën e prodhimit të veshjeve ushtarake dhe policore që arrijnë të punësojnë rreth 10 rrobaqepsi në të gjithë Shqipërinë apo 2000 të punësuar. Kompani me gati një shekull eksperiencë në tregun fqinj”-shprehet Zekja.

Pak ditë më parë, menjëherë pas zbulimit të lajmit të arrestimeve të fundit për abuzime me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit, administratori I një prej kompanive të prodhimit të tyre D&E shpk Ismail Kadiu ka reaguar publikisht duke mohuar çmimet e bëra publike në medie në lidhje me kapelet dhe produktet e tjera.

Tregu I tekstileve dhe këpucëve drejt përmirësimit, nëse nuk ka një vale të re të pandemisë

Pro Export Albania bën me dije për Gazeta “Si” se situata në industrinë e tekstileve dhe këpucëve  ka ndryshuar mjaft krahasuar me fillimin e këtij viti.

“Gjë që e konfirmojnë dhe të dhënat e INSAT.”- thotë Zekja.

Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT për muajin maj,  grupi tekstile dhe këpucë është rritur 7,1 pikë përqindjeje kurse si pesëmujor 6,7 pikë përqindjeje.

Gjithsesi, vijon Zekja, krahasimet duhet të bëhen me vitin 2019 si viti më i mirë i viteve të fundit.

“Shtëpitë e mëdha të modës po përgatiten për një sezon shitjesh shumë premtues duke prodhuar një numër mjaft të madh koleksionesh, por çdo gjë do varet nga fushata e shitjeve dhe sfilatat. Nëse kjo fushatë do shkojë mirë, atëherë prodhimi i produkteve të tekstileve dhe këpucëve do ketë një rritje padiskutim dyshifrore. PEA (Pro Export Albania)  po vazhdon aktivitetin me ritëm të plotë në të gjitha drejtimet, dhe këtu kam parasysh dialogun me qeverinë për fillimin e aplikimit të paketës për manifakturat të trumbetuar me të madhe në fushatën elektorale, po bashkëpunon me të gjitha agjensitë dhe shoqatat homologe të vendeve si Turqia apo Italia për të bërë promovimin e produktit Made in Albania. Bisnesi ynë po përgatitet në mënyrën më të mirë për tu përfaqësuar për herë të parë me produktet e prodhueve shqiptarë në panairet më prestigjioze siç është Panairi i fashion në Londër në muajin shtator dhe në Panairin A+A te Dyseldorf për veshjet e punës në Tetor të këtij viti.”- shprehet Zekja.

Me gjithë sinjalet positive, sipas tij,  çdo gjë do të varet nga pandemia, nga mënyra se si do të jetë mbështetëse qeveria shqiptare për biznesin fason si dhe si do të sillen qeveritë e vendeve të Europës perëndimore me bizneset e tyre, të cilët janë klientë kryesorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë