Biznes

Shoqata e bizneseve gjermane kundër Amnistisë: Rrit informalitetin dhe është i padrejtë për bizneset

Nga Gazeta "Si" - Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, DIHA, është shprehur se Amnistia Fiskale, do të realizonte disa të ardhura të shpejta në buxhetin e shtetit në terma afatshkurtër, por në terma afatgjata do të sillte gjithashtu me vete efekte negative.

Efektet negative, sipas DIHA-s, janë nxitja e bizneseve formale për të kaluar në informalitet “me shpresën e një Amnistie të dytë”.

Dhoma gjermane thekson se një problem tjetër në këtë draft është tatimi i ulët i parave që do të amnistohen, 5, 7 dhe 10%, duke e cilësuar si të padrejtë për bizneset e tjera që kanë paguar detyrimet e tyre në kohën e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi me një përqindje shumë herë më të lartë, por njëkohësisht do të nxisë informalitetin në të ardhmen.

“Ne mendojmë qe ky ligj duhet të ishte pjesë e një pakete ligjore gjithëpërfshirëse, e cila do të synonte efikasitetin dhe modernizimin e administratës tatimore me qëllim reduktimin e evazionit fiskal. Këto masa jo vetëm do të rritnin të ardhurat në buxhetin e shtetit por njëkohësit do të nxitnin konkurrencën në tregun shqiptar. “

DIHA i ka parashtruar këto kërkesa edhe gjatë konsultimeve për projektligjin “Për amnistinë fiskale dhe penale të subjekteve që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive” të prezantuar në vitin 2020 nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të cilat sipas tyre, nuk janë reflektuar në projektligjin e ripunuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë