Opinion

Shmangie apo rikthim tek kaosi? Maqedonia vendos të dielën

Nga Pandeli Majko - Me referendumin e të dielës, në 30 shtator, Maqedonia është në udhëkryqin e vet më të rëndësishëm pas pavarësisë së saj nga ish-Jugosllavia. Kjo është vetëm ajo që shikohet. E “padukshmja" e referendumit e ka kthyer këtë shtet në shesh-betejën e dytë, pas Sirisë të "Luftës së Ftohtë" të Perëndimit me Lindjen. Është një Perëndim tjetër më i zgjeruar, i cili ka përballë një Lindje më të vërtetë.

Pyetja e refendumit është: “Nëse jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”

Përballë kësaj pyetjeje, Maqedonia është e ndarë në paqartësitë e saj midis të djathtës nacionaliste dhe aleancës së të majtës maqedonase dhe me partitë shqiptare.

Nëse Referendumi nuk fiton, Maqedoninë e pret kaosi. Dhe jo vetëm kaq. Ky është vetëm fillimi për rajonin. Justifikimet se referendumi është “konsultativ" nuk do të vlejnë. Maqedonia do të kthehet në një shtet “epruvetë" ku Lindja do të shpallë fitoren më të hidhur ndaj Perëndimit.

Europa është në një ditë të keqe sot përballë referendumit të Maqedonisë. Ajo nuk ka politikanë që ta përfaqësojnë si hapësirë, me përjashtim të Merkelit. Të tjerët, dinë vetëm cfarë nuk duan.

Referendumi ka kundërshtarë në kutitë e votimit edhe votuesit shqiptarë të “ngopur" nga premtimet boshe pas Marëveshjes së Ohrit. Kjo "kontratë bashkëjetese" megjithëse u nënshkrua me shqiptarët nuk i përmend ata në letrën që i dha paqen Maqedonisë në gusht të vitit 2001. Mosrealizimi i saj dhe lodhja nga premtimet boshe nxit rrezikun që një pjesë e shqiptarëve të shkojnë drejt mosvotimit. Marrëveshja e Ohrit ka prodhuar pushtet por jo cilësi jete për shqiptarët.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=10213980974892324&id=1048908073

Nëse referendumi do të humbet ai nuk do të jetë “konsultativ”. Ai do të jetë i barazvlefshëm me aktin e nacionalistit serb, Gavrilo Princip, i cili më 28 qershor 1914, vrau trashëgimtarin e fronit austro-hungarez, Arkidukën Franc Ferdinand, dhe gruan e tij Sophie. Në Ballkan detaji kthehet në demon dhe e kundërta.

Me vendimin për referendumin e 30 shtatorit, me mendjelehtësi Maqedonia ka hedhur në udhëkryq sigurinë e vet kombëtare. Humbja apo fitorja e referendumit për elitën politike të Shkupit është luftë për pushtet. Ata ankohen nga e kaluara dhe kanë frikë nga e ardhmja. Kryeministri Zaev dobësinë ka pikën e tij më të fortë. Askush nuk di të thotë se cfarë ndodh pas dorëheqjes së tij kur referendumi të humbasë dhe Maqedonia ti thotë zyrtarisht “JO" bashkimit të saj me Perëndimin.

Humbja e Referendumit do të konsiderohet sidomos edhe një humbje e shqiptarëve.

Sot, shqiptarët kanë ndruar “vendet” në rajon. Ata përfaqësojnë statuskuonë. Shqiptarët kanë "firmosur" anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Paketën Ahtisarit në shtetin e Kosovës, Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoni dhe pavarësinë e Malit të Zi. Të gjitha bashkë, përbëjnë një kontratë ndërkombëtare që elita shqiptare e post-Luftës së Ftohtë e pranoi si garante e paqes. Sot, shqiptarët janë protagonistët më të fortë rajonal për integrimin në NATO dhe Bashkimin Europian.

Në Luftën midis Perëndimit dhe Lindjes në Maqedoni, shqiptarët janë të “dënuar" të mos kenë dilema. Humbja e referendumit në Maqedoni do të ishte për ta më e rëndë se sa fati i një qeverie në Shkup.

Referendumin e Maqedonisë “të gjitha ose asgjë" e konsideroj një ftesë për kaos. Vite më parë ftova shqiptarët ti vinin flakën flamurit të Maqedonisë në sheshet e protestës kur i quajtën “barbarë” në librat e akademisë maqedonase. Sot, më duhet tu them se Maqedonia duhet mbrojtur nga barbaria e politikës mëndjelehtë të Shkupit!

Përgjigjen shqip të referendumit e di. Atë maqedonase po pres me ankth! Votat që do numërohen në Maqedoni kanë më shumë se një përgjigje. Vetëm njëra i takon Maqedonisë! Sigurisht!

Marrë nga profili në Facebook i ministrit të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë