Keshilla

Shmangia, jo ankthi, mund të jetë duke sabotuar jetën tuaj

Shmangia psikologjike është një zgjidhje e shpejtë për një emocion të pakëndshëm. Ofron lehtësim emocional, por është i shkurtër dhe ka një kosto të rëndë.

Nga Luana Marques* - Ankthi, për shumë njerëz, është si një mik i padëshiruar, një ndjesi e vazhdueshme që shkakton tension, e turbullon mendjen me "çka nëse ndodh" pafund dhe shfaqet si ndjesi dhe me simptoma fizike.

Në praktikën time, shoh shumë pacientë që vuajnë nga ankthi. Një paciente më tha se ankthi e bën zemrën e saj të rrahë si një daulle vetëm kur e mendon se do të flasë në publik.

Një pacient tjetër më tha se ankthi e bën atë të rrotullohet nëpër shtrat gjatë gjithë natës, i përhumbur nga shqetësimet për të ardhmen e lidhjes së tij. Dhe një pacient tjetër më tha se ankthi se do luajë me një skuadër të fortë e bën që të mos ketë uri për disa ditë me radhë.

Këto nuk janë raste të izoluara. Ankthi është parë se është gjithnjë e në rritje vitet e fundit. Por, ankthi nuk është shkaktari që na “saboton” në përditshmërinë tonë.

Ekziston një ndjenjë më delikate dhe tinëzare dhe quhet shmangie psikologjike. Kur shmangim situata dhe vendime të caktuara, kjo mund të çojë në ankth të shtuar dhe më shumë probleme.

Shmangia psikologjike është një mënyrë për të shmangur shqetësimin

Shmangia psikologjike është një zgjidhje e shpejtë për një emocion të pakëndshëm. Ai ofron lehtësim emocional, por lehtësimi është i shkurtër dhe shpesh vjen me një kosto të rëndë. Shmangia psikologjike është e ngjashme me një struc që fut kokën në rërë, në vend të konfrontimit.

Çrregullimi i ankthit social i klientit tim, i shfaqur si frikë nga të folurit në publik, shkaktoi një devijim të karrierës në një punë me pagë më të ulët. Ajo po heq dorë nga 25 për qind të të ardhurave të saj të mundshme vetëm për të anashkaluar fjalimin publik.

Shqetësimi i klientit tim për marrëdhëniet e ardhshme e bëri atë të humbiste gjumin, gjë që çoi në vonesë dhe ulje të produktivitetit në punë. Kostoja e humbjes së produktivitetit të lidhur me shëndetin mendor është tronditëse. Një studim i kryer nga studiues brenda Organizatës Botërore të Shëndetësisë vlerëson se depresioni dhe çrregullimet e ankthit i kushtojnë ekonomisë globale 1 trilion dollarë çdo vit në humbje të produktivitetit.

Dhe për pacientin tim të tretë, shqetësimi nga konfrontimi bëri që ai të anashkalonte problemet e performancës së ekipit të tij, duke rrezikuar suksesin e skuadrës.

Në çdo rast, ‘problemi’ i vërtetë nuk është ankthi. Është shmangia, një strategji që jo vetëm nuk zgjidh problemet, por i nxit ato.

Shmangia psikologjike nuk ka të bëjë me veprimet që ne bëjmë ose nuk bëjmë, por qëllimet pas tyre. Nëse veprimet tona synojnë të mposhtin shqetësimin me ngut, atëherë ndoshta po i shmangim. Për secilin nga klientët e mi, shmangia u bë një ‘patericë’, fillimisht duke i futur në ankth dhe më pas duke e përforcuar atë në mënyrë progresive. Shmangia psikologjike, në vend që të lehtësojë çrregullimet e ankthit, mund t'i përkeqësojë ato.

Tre modele të shmangies psikologjike

Të kuptuarit e modeleve të shmangies psikologjike është hapi i parë drejt ndryshimit. Këtu janë tre mënyrat se si njerëzit priren të praktikojnë shmangien psikologjike.

Duke reaguar

Reagimi është çdo përgjigje që kërkon të eliminojë burimin e shqetësimit. Është kur i përgjigjemi me nxitim një emaili që na shqetëson ose ngremë zërin pa marrë parasysh pasojat.

Ne po angazhohemi me situatën, por vetëm për të zhdukur shpejt shqetësimin. Reagimi shpesh thjesht nxit zjarrin, duke çuar në edhe më shumë probleme. Kjo shpesh duket si të përdorni një tenxhere me presion pa një valvul presioni.

Duke u tërhequr

Tërheqja është akti i largimit nga situatat që shkaktojnë ankth. Për shembull, klienti im me frikën e të folurit publik mori një punë tjetër për ta shmangur atë. Të tjerët mund të kërkojnë një gotë verë për t'u shmangur ose të lëvizin nëpër burimet e mediave sociale në vend që të përballen me një bisedë të vështirë.

Ndërsa mund të ndihet mirë në këtë moment, kjo shmangie vjen me një çmim të lartë sepse tenton të rrisë ankthin, pasi situata themelore është ende atje.

Të mbesësh aty

Mbetja është t'i përmbahemi status quo-së për të shmangur shqetësimin e ndryshimit. Shumë prej nesh kapemi pas një pune ose marrëdhënieje edhe kur e dimë se nuk është e mirë për ne.

Strategji për të kapërcyer shmangien psikologjike

Shmangia psikologjike është një armik i fuqishëm, por ka tre aftësi të bazuara në shkencë për ta luftuar atë.

Zhvendosja

Zhvendosja përfshin kontrollimin me mendimet tuaja, veçanërisht kur ankthi vjen duke ‘trokitur’. Në ato momente, shpesh kemi mendime bardh e zi, të shtrembëruara, njësoj si klienti im, i cili ishte i shqetësuar për një lidhje romantike, duke i thënë vetes: “Nuk do të jem kurrë në një marrëdhënie të shëndetshme”.

Zhvendosja është heqja e syzeve të errëta njëngjyrëshe dhe shikimi i botës përsëri me ngjyra. Sfidoni mendimet tuaja duke pyetur veten: "A do t'i thoja këtë mikut tim më të mirë nëse do ishte në të njëjtin skenar?"

Klienti im ishte në gjendje të ndryshonte mënyrën se si fliste me veten. Duke imagjinuar se çfarë do të thoshte një mik, ai mendoi me vete: "Kam shumë për të dhënë në marrëdhënie" dhe "Kam pasur marrëdhënie të suksesshme në të kaluarën". Mbajtja e këtyre ‘syzeve’ të reja e lejoi atë të flinte më mirë gjatë natës dhe e nisi atë në një udhëtim për të ndjekur atë që ka më shumë rëndësi për të.

Duke u afruar

E kundërta e shmangies është afrimi, i cili nuk ka të bëjë me ngarkimin ballë për ballë me frikën tuaj, por me marrjen e një hapi që ndihet i menaxhueshëm.

Pyete veten: Cili është një hap i vogël që mund të bëj drejt frikës dhe ankthit tim për të kapërcyer shmangien time. Klientja ime doli vullnetare për të lexuar një libër në klasën e djalit të saj si hapi i parë për të kapërcyer frikën e saj nga të folurit në publik. Edhe akti më i vogël i përballjes me frikën tonë mund ta rindërtojë trurin tonë për t'u përballur më mirë me ankthin, në vend që ta anashkalojë atë.

Përafrimi

Përafrimi është të jetuarit e një jete të drejtuar nga vlerat, ku veprimet tona të përditshme janë në përputhje me atë që ka më shumë rëndësi për ne: vlerat tona.

Kjo është e kundërta e asaj që shumica prej nesh bëjnë ndërsa jemi në ankth. Në momentet e ankthit intensiv, ne priremi të lejojmë që emocionet tona, jo vlerat, të diktojnë veprimet tona. Për të jetuar një jetë të drejtuar nga vlerat, së pari duhet të identifikojmë vlerat tona, qoftë shëndeti, familja, puna apo diçka tjetër. Atëherë duhet t'i kushtojmë kohë dhe përpjekje vlerave tona.

Përafrimi i veprimeve me vlerat mund të zvogëlojë ankthin dhe të përmirësojë cilësinë e jetës sonë.

Tendenca për t'u përfshirë në shmangien psikologjike mund të jetë e fortë, por duke kuptuar modelet e saj dhe duke përdorur strategjitë e duhura, ne mund të lundrojmë në këtë sfidë dhe të dalim më të fortë. Mos harroni, nuk ka të bëjë me të qenit të patrembur, por të mos lejojmë që frika të diktojë jetën tonë.

*Luana Marques, PhD, është profesoreshë e psikiatrisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit

Burimi: Washington Post. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë