Analize

A po kthehet Shqipëria nga Mini-Shengeni sa herë bllokohen negociatat?

Një ditë pas Bashkimi Europain shtyu për të pestën herë në tre vite nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk nguroi të shprehte mbështetjen e tij,  duke thënë sa rajoni duhet të qëndrojë i bashkuar përballë refuzimit të BE-së. Ai njoftoi një samit me kryeministrin Edi Rama dhe Zoran Zaev për të diskutuar sesi mund të çojnë përpara nismën e Mini-Shengenit Ballkanik, të cilën presidenti serb e cilëson si një mundësi të madhe për të ardhmen e rajonit.

Deklarata e tij ri solli në vëmendje kritikat e shumë ekspertëve por edhe politikanëve rajonalë të cilët këmbëngulin se Mini-Shengeni nuk është asgjë tjetër veçse një çmim ngushëllimi për bllokimin  e procesin e integrimit në BE.

Një javë pas shtyrjes së negociatave, Zaev dhe Rama mbajtën një takim online me Vuçiç, pa pjesëmarrjen  e liderëve të tjerë nga Ballkani, edhe pse kjo nisëm përfshin gjithë rajonin, dhe vendosën të takohen të tre në Shkup.

Në një deklaratë të përbashkët, tre liderët shprehin zhgënjimin për shtyrjen e negociatave, duke thënë se disa nga vendet anëtare nuk duhet të harrojnë se Ballkani i nevojitet Europës, po aq sa Europa Ballkanit. Zaevi, Rama dhe Vuçic theksonin se vetëm me punë të përbashkët dhe nxitje të bashkëpunimit rajonal në kuadër të iniciativave e të ndryshme rajonale të tre vendet mund t’u sjellin rezultate qytetarëve të tyre.

Por që nga shfaqja për të herë të parë e kësaj iniciative, e cila po mbështetet fortë nga Serbia, ekspertët kanë qene të ndarë nëse qëllimi i Mini-Shengenit është të shkurtojë kohën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, apo të shërbejë si alternativë ndaj këtij proces.

Në thelb, Shengeni i Vogël Ballkanik synon të garantojë 4 liri themelore: lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.

Megjithatë, analisti Seb Butyci thotë se kjo iniciativë rrezikon të shndërrohet në zëvendësim për anëtarësim në BE, sidomos në kushtet që e shikojmë të përmendet sa herë bllokohet procesi i anëtarësimit. Një tjetër problem po aq i madh sipas tij, është fakti se Mini-Shengeni e ekspozon ekonominë e vendeve të rajonit ndaj industrisë serbe, e cila është disa herë më e fortë. “Pra ai është një Bashkim Ballkanik që nuk i ofron të mirat e BE-së por që na detyron t'i paguajmë kostot ekonomike të anëtarësimit në BE. Nuk e faktorizon Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë Veriore përmes anëtarësimit në BE, por i ekspozon ekonomitë e tyre ndaj një shteti më të industrializuar, Serbisë. Më poshtë do të shohim se pse nga Mini-Shengeni përfiton vetëm Serbia për shkak të strukturës ekonomike e tregtare të rajonit”, thekson eksperti.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçic dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Gazeta Si, 2020

Ai i bashkohet kritikëve, duke theksuar se Mini-Shengeni Ballkanik po rezulton të jetë një zëvendësim i mungesës së angazhimit të BE, pasi liderët e rajonit po e përdorin si alternative sa herë që unioni u vë shkopinj nën rrota, duke shtyrë bisedimet e anëtarësimit.

Dy herët fundit që liderët e rajonit u mblodhën në Tiranë për të diskutuar mbi Mini-Shenhenit, ishin disa ditë përpara se BE të njoftonte shtyrjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ata u mblodhën në 21 dhjetor te 2019-ës, një javë përpara shtyrjes së bisedimeve dhe më 10 qershor, pak para mbledhjes së këshillit të BE-së. Pothuajse të gjitha herët që janë mbajtur disktutime në lidhje më këtë iniciative, perspektiva e anëtarësimit në BE ka qënë e paqartë.  Pasi Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën në mars të 2020-ës dritën jeshille për nisjen e bisedimeve, Mini-Shengeni u la në harresë për muaj të tërë. Madje një sërë mediash rajonale filluan të aludonin  se kjo nismë ishte shuar. Ai filloi të përmendej serish megjithatë nga liderët e rajonit pasi Bullgaria njoftoi vendosjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, duke bllokuar sërish procesin.

Sipas Butycit, kjo përdoret për të hequr fokusin larg zhgënjimit të shkaktuar nga shtyrja e hapjes së negociatave të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sidoqoftë, ka shumë ekspertë të tjerë besojnë se Mini-Shengeni Ballkanik nuk ka ndonjë ndikim negativ në procesin e pranimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe se ajo shkon paralel me procesin.

"Një nga kushtet për kandidatin dhe vendet e mundshme kandidate për t'u anëtarësuar në BE është krijimi i një bashkëpunimi efektiv rajonal përpara se të anëtarësohet. Mini-Shengeni Ballkanik e bën pikërisht këtë, "thotë për Ballkanin Perëndimor Europian Srđan Cvijić, analist në Institutin e Politikës Europiane për Shoqërinë e Hapur. "Ju nuk mund të ndërtoni ura në të njëjtën kohë dhe të ndezni publikun e brendshëm kundër fqinjëve siç po bëjnë disa liderë në rajon, por Mini-Schengen në përgjithësi po bën një hap në drejtimin e duhur që mund të jetë i dobishëm vetëm për qytetarët e Ballkanit , ”deklaron Cvijić.

Eksperti Visar Xhambazi, i cili ka realizuar një studim mbi mbështetjen e kësaj nisme në Kosovë, thotë se Mini-Shengeni u iniciua nga liderët e Ballkanit Perëndimor për të shtyrë përpara në mënyrë bashkëpunimin rajonal ekonomik ndërkohë që dera e Bashkimit EUropian mbetet e mbyllur.

Mos informimi i mjaftueshëm i qytetarëve rreth këtij procesi, sipas Xhambazit ka qenë një dukuri shqetësuese. “Mini-Shengeni si iniciativë ka dështuar të informojë qytetarët se çfarë do të këtyre dhe se si do të implementohet. Është e vështirë të themi nëse ka ndonjë gjë kontrete ”, theksoi Xhambazi, duke e cilësuar një strategji politike që do të dukej mirë vetëm në letër".

Pas konferencës virtuale, Rama, Zaev dhe Vuçiç u pajtuan që të takohen në Shkup më 29 korrik që të shqyrtojnë progresin e marrëveshjeve ekzistuese dhe të nënshkruajnë marrëveshje shtesë ndërmjet të tre vendeve për ndihmë në rast të katastrofave natyrore, lehtësime për tregtinë, eksportin dhe importin.

Por qeveria Kurti, i cili nuk mori pjesë në konferencë dhe nuk dihet a do të marrë pjesë në takimi e paerashikuar në Shkup, vazhdon ta kundërshtojë Mini-Shengenin Ballkanik. Kryeministri Kurti deklaroi disa javë më parë se ishte pro bashkëpunimet rajonal, por vetëm mbi bazën e barazisë dhe për aq kohë sa nuk zëvendësohet integrimi në BE.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu duke kundërshtuar këtë nismë, tha më gjashtë qershor se çështja e Mini-Shengenit ballkanik nuk ka qenë asnjëherë temë në qeverinë Kurti II.

“Ju e dini qëndrimin e qeverisë sa i përket projektit të Mini-Shengenit, i cili meqenëse vendlindjen e ka në Novi Sad më saktë është t’i themi ideja e zonës së Novi-Sadit. Ne si qeveri dhe si shtet jemi të hapur për bashkëpunim rajonal, mirëpo vetëm mbi bazën e barazisë dhe reciprocitetit. Po ashtu jemi të hapur për bashkëpunim rajonal por jo nëse zëvendëson projektit e BE-së dhe integrimit tonë në të.”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë