Politike

Kurti “kundër” Ramës: Të shohim nga vetja! Mos fajësojmë BE-në

Albin Kurti nuk ndau të njëjtin mendim si Edi Rama dhe Zoran Zaev mbi përgjegjësinë e Bashkimit Europian për dështimin e proceseve të integrimit në Ballkanin Perëndimor. Ai e ndau përgjegjësinë dhe barrën më të madhe të saj ja faturoi vetë vendeve të rajonit.

“Kemi histori të përbashkët, kemi luftuar në luftëra të njëjta. Në vend që të vazhdojmë të ndihemi të frustruar, duhet të pyesim veten çfarë ardhmërie dëshirojmë dhe çfarë duhet të bëjmë të arrijmë aty. Vetë ne jemi larg të qenit të përkryer. Nëse shohim brenda vetes do të vërejmë që kemi shumë probleme. Ekzistojnë luftëra me pushtetet autoritare, kundër monopoleve kriminale, kundër thyerjes së shtetit të së drejtës. Aktrimi se mund të ndërtojmë shoqëri demokratike nëse ndryshojmë situatën duhet ta shohim nga ne. Pyetjet duhet t’ja adresojmë vetes për të mësuar përgjigjet. Edhe ne duhet të bëjmë punën tonë të shtëpisë. Ajo që nuk duhet të bëjmë është t’u ikim përgjegjësive dhe në fund të krijojmë më shumë konfuzion”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës nuk e përmendi me emër, por nënkuptoi Serbinë kur tha se pakënaqësia e BE s’mund të përdoret si argument dhe instrumentalizim nga vende që nuk duan NATO-n dhe janë aleate me Rusinë.

“Pakënaqësia me BE nuk duhet të instrumentalizohet nga vende që nuk e duan NATO-n, apo e mbështesin Federatën e Rusisë. Në Tiranë, propozova një kornizë që sjell progres për të gjithë. E para është demokratizimi i rajonit. Ne, më shumë se çdo kush tjetër e kuptojmë vlerën e lirisë. Duhet të kemi demokraci të institucionalizuar, pushteti të jetë në duart e popullit. Edhe ekonomia është e rëndësishme. Ja pse ne si demokratë promovojmë demokraci sociale. Siç i duhet lirisë demokracia, demokracia ka nevojë për drejtësi”, tha ai.

Kurti kërkoi që në nismën e minishengenit ballkanik të përfshihet edhe Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë