Mendim

Shkrimtari spanjoll, Vila-Matas: Europa qëndron e bashkuar falë letërsisë

Vazhdoj të mendoj për vetminë e Gorbaciov-it në fund të jetës së tij dhe për thellësinë, bukurinë e mjegullave të skajshme, të stuhive të Rusisë së madhe që ai e mishëroi aq mirë. Kur e pyetën se çfarë do të donte të shkruhej në varrin e tij, u përgjigj: ‘E provuam’. Dhe çfarë është ajo që provuam të bënim? Epo, diçka mjaft të arsyeshme: që Rusia të ishte një aleate më natyrore për Perëndimin krahasuar me fuqitë e tjera, dhe të bashkohej në projektin e një shtëpie të përbashkët europiane. U provua, por me pak sukses. Dhe hija e atij dështimi ende rëndon mbi ne sot.

Nga Paolo Di Paolo- “Letërsia është si një mesazh në shishe”, thotë ai, me një shikim që është njëkohësisht ironik dhe melankolik. Me kalimin e kohës, ai është bërë një shkrimtar kulti, dhe kjo nuk është diçka e zakonshme në një epokë që, siç vëren edhe vetë, tregon një padituri gjithnjë e më skandaloze për sa i përket historisë së letërsisë.

Nga ana tjetër, Enrique Vila-Matas, emri i të cilit përmendet herë pas here për çmimin Nobel, ushqehet dhe ushqen romanet e tij me thirrje, evokime dhe ndjesi të paarritshme artistike.

 “Rezonanca”, do të thoshte ai. Dhe këtë e thekson edhe në romanin e ri, të sapo botuar në Spanjë. Një personazh i përkushtuar në ndërtimin e një kanoni letrar të pamundur dhe, mbi të gjitha, të pavlefshëm për kohën. Ndoshta është një qenie njerëzore, ndoshta një android. Autori bën një sqarim paraprak: fantashkenca nuk është më një zhanër letrar, sepse ne tashmë jetojmë në fantashkencë.

Në fjalimin e tij, të fuqishëm në Universitetin e Barcelonës , dedikuar shkrimtari të ndjerë Antiono Tabuchi, fjalim i shënuar nga një farë nostalgjie, Vila-Matas rrëfeu admirimin për “lehtësinë poetike” të Tabucchi-t, dhe se ndonjëherë e kishte ndier veten si hija e tij.

“E admiroja imagjinatën e tij si dhe aftësinë për të hetuar realitetin e për të arritur më pas një realitet paralel, më të thellë , atë realitet që ndonjëherë shoqëron atë të dukshmen”.

Ishit miq?

Po, ishim miq. Në fillim, u magjepsa nga “Gruaja e Porto Pim-it”, ‘Moby Dick-u’ i tij në miniaturë. Dhe në romanin tim të fundit “Montevideo”, kujtoj momentet e mëdha të përjetuara bashkë dhe ndikimin që leximet e librave të tij të parë patën mbi punën time. Kur e lexoja, ndihesha sikur hyja në kontakt me ‘zëra të sjellë nga diçka, e pamundur të thuash çfarë’, por pa dyshim të thirrur në shkrimin tim për të shtuar, zgjeruar, shumëzuar koordinatat e realitetit tonë të dyshimtë.

Tabucchi ishte një mjeshtër në shndërrimin e jetës në letërsi. Edhe ju bëni të njëjtën gjë, por mendoni se në botën e sotme është ende e qartë çfarë është “letërsia”?

Ekziston një padituri gjithnjë e më skandaloze për historinë e letërsisë botërore. Për këtë arsye, kohët e fundit has vetëm romane të reja që kufizohen në tregimin e përvojës personale, duke hequr dorë nga zgjerimi i ‘unit’ të vet dhe nga zgjerimi i realitetit. Unë e lexoj jetën, jetën time, në çelës letrar. Së bashku me dashurinë time për Paula de Parma, nuk kam gjetur mënyrë më të mirë se shkrimi për t’i dhënë kuptim ekzistencës.

Në fakt, ka një mbingarkesë me dëshmi, kujtime, rrëfime të sinqerta për trauma të jetuara. Por ju thoni se edhe Bibla është autofiksion. Atëherë, gjithçka është autofiksion?

Ajo që dua të them është se ekziston vetëm termi ‘fiction’ (trillim), sepse ai përjashton termin autofiksion, që në një farë mënyre është i vetëkuptueshëm. Gjithsesi, unë propozoj rivendosjen e plotë të trillimit, në mënyrë që ngjarjet e rrëfyera, edhe nëse nuk kanë ndodhur, ashtu si ato që nuk janë rrëfyer por kanë ndodhur, të jenë pjesa më emocionuese e shkrimeve autobiografike. Sepse, natyrisht, edhe gjithçka që mendojmë, gjithçka që imagjinojmë, madje edhe ajo që nuk ka ndodhur (por që mund të kishte ndodhur), është pjesë e historisë së jetës sonë.

Enrique Villa- Matas

Për Tabucchin është thënë se është një shkrimtar europian. Çfarë do të thotë për ju ky mbiemër? Ka ende kuptim, ekziston një dimension europian i letërsisë?

E shoh veten si një shkrimtar në komunikim me historinë e letërsisë botërore, por pa asnjë pretendim, sepse kurrë nuk humbas nga sytë kuptimin që Borges i dha letërsisë: si vepër kolektive dhe anonime. Apo nuk do të mbetet në fund të kohërave vetëm ajo që është shkruar në emër të të gjithëve?

Çfarë është sot për ju Europa?

Një vend ku ende reziston, edhe pse në pakicë, letërsia e madhe, për mua e vetmja disiplinë e domosdoshme për të kuptuar kompleksitetin që po përjetojmë në këtë moment.

A ju duket ende një dimension pozitive politike? Si e përjetoni këtë moment të ri të frymës luftënxitëse?

Po, është ende një dimension pozitiv, më shumë se kurrë. Por mbetet për t’u parë nëse liderët e saj do të jenë në nivelin e detyrës. E shoh pikën shqetësuese, natyrisht, te fryma luftënxitëse e padëshiruar dhe megjithatë e rikthyer. Vazhdoj të mendoj për vetminë e Gorbaciov-it në fund të jetës së tij dhe për thellësinë, bukurinë e mjegullave të skajshme, të stuhive të Rusisë së madhe që ai e mishëroi aq mirë.

Kur e pyetën (një pyetje nga Werner Herzog) se çfarë do të donte të shkruhej në varrin e tij, u përgjigj: ‘E provuam’. Dhe çfarë është ajo që provuam të bënim? Epo, diçka mjaft të arsyeshme: që Rusia të ishte një aleate më natyrore për Perëndimin krahasuar me fuqitë e tjera, dhe të bashkohej në projektin e një shtëpie të përbashkët europiane. U provua, por me pak sukses. Dhe hija e atij dështimi ende rëndon mbi ne sot.

Si mbrohet frymëzimi përballë turbullirave dramatike të botës?

Miku im i admiruar Bobi Bazlen thoshte se nuk bëhet fjalë për të luftuar budallenjtë deri në fund, sepse ka budallenj në të gjitha ambientet, por për t’i dëgjuar ata dhe për t’i kuptuar, për të krijuar më pas një botë ku budallenjtë të mos kenë hyrje

A mund të jetë një përdorim i mirë i ironisë një zgjidhje, ose të paktën një antitrup?

“E kam thënë gjithmonë se ironia është një mjet i fuqishëm për çaktivizimin e realitetit, ndoshta sepse është edhe forma më e lartë e sinqeritetit.

Burimi: La Repubblica


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë