Futboll

Shkëndija s’ia del, shqiptarët ngrohin stolin në Europa League

Dy penallti nuk e kanë ndihmuar Shkëndijën e Tetotës për të kaluar në fazën e grupeve të Europa League. Skuadra tetovare është mundur edhe në ndeshjen e kthimit nga Rozenborgu, me rezultatin 0-2, duke bërë që rezultati i përgjithshëm të shkojë në 1-5 në favor të norvegjezëve, që një javë më parë fituan 3-1 në fushën e tyre. Mbetet sërish një “mision i pamundur” kalimi i Shkëndijës në fazën e grupeve.

Sulmuesit Besart Ibraimi dhe Izair Emini humbën secili nga një penallti dhe kjo e penalizoi shumë skuadrën nga Tetova. I pari gaboi në pjesën e parë, kurse i dyti në fillim të pjesës së dytë, kur rezultati ishte ende 0-0. Nëse do të shënonin, loja do merrte rrjedhë tjetër. Më pas norvegjezët shënuan dy herë në portën e Zahov, me anë të Hovland dhe Reginiusen. Ndoshta ngarkesa psikologjike ka bërë të vetën në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e Shkupit. Shkëndija nuk ia ka dalë edhe këtë herë të shkojë më tej. Skuadra është dobësuar këtë verë, pas largimit të ish-kapitenit Hasani, por edhe të Cuculit dhe ndonjë lojtari tjetër.

Nga ndeshja Shkëndija-Rozenborg, 0-2

Në Europa League nuk ka luajtur mbrëmë asnjë futbollist shqiptar. Ata kanë qenë në stol, apo edhe nuk janë grumbulluar fare për këto ndeshje. Atalanta e Berishës dhe Gjimshitit është eliminuar pas gjuajtjeve të penalltive në Danimarkë ndaj Kopenhagenit, pasi edhe ndeshja e kthimit u mbyll pa gola 0-0. Në portën e Atalantës ishte sërish Golini dhe Berisha nuk luajti asnjë minutë, ashtu si Gjimshiti. Është kualifikuar në fazën e grupeve Karabaku i Ansi Agollit, por mbrojtësi shqiptar qëndroi në stol. Skuadra azere mundi 3-0 Sherif Tiraspolin.

Taulant Xhaka

Asnjë minutë edhe për Taulant Xhakën e rikthyer nga dëmtimi në humbjen 1-0 me qipriotët e Apollonit. Bazeli u eliminua, pasi fitorja në ndeshjen e parë nuk i mjaftoi. Malmoe e Egozon Binakut kaloi më tej, pas fitores 0-2 në fushën e Mydtjyllandit, por mbrojtësi kuqezi nuk ishte fare i grumbulluar, ashtu si Kameer Qaka me Steauan e Bukureshtit, që fitoi 2-1 ndaj Rapidit të Vjenës, por u eliminua. U kualifikua ndërkohë skuadra e re e Eros Grezdës, Gllasgou Rejnxhërs.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë